10.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Akt ekonomik apo politik?!

Xhavit halitiXhavit Haliti

Në fund të gushtit u shfaqën publikisht ankesa dhe vërejtje nga biznesmenë dhe shoqata biznesmenësh nga Kosova dhe Shqipëria, për raportet tregtare në mes tyre. Ankesat e të dy palëve, që “fajësonin” administratat doganore të të dy shteteve, mbështeteshin në argumente të mjaftueshme. Çdo palë pretendonte se kishte të drejtë, dhe kjo dukuri është e arsyeshme në kushtet aktuale: Jetojmë në ekonominë e tregut të lirë, që përballen jo vetëm biznesmenët bashkëkombës,por dhe vëllezërit bashkëpronarë. Por, në rastin për të cilin po flasim, duket sikur u shkel ligjësia e përballjes, sepse ndodhi e kundërta : grupet e biznesmenëve në të dy shtetet u mblodhën dhe protestuan bashkërisht në simbolikën politike kufitare të Qafë Morinës. Si rezultat i këmbënguljes së protestuesve u arrit të anulohej vendimi i administratës doganore. Nuk pretendoj të njoh fushën e ekonomisë, por di, dhe për këtë jam i bindur, që ekonomia dhe raportet ekonomike brenda shteteve dhe mes shteteve janë themeli i një shoqërie dhe ndërlidhësi më i rëndësishëm ndërshtetëror. Nisur nga ky vlerësim për vendin, për peshën dhe efektet e ekonomisë në jetën shoqërore , shtetërore dhe ndërshtetërore, po përpiqem të jap ndonjë mendim për zhvillimet më të fundit në raportet ekonomike mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Në ditët e fundit të gushtit biznesmenët nga të dy anët e kufirit , bënë një akt tejet interesave ekonomike, duke protestuar së bashku kundër barrierave reciproke shtetërore për zhvillimin e marrëdhënieve tregtare mes tyre. Dy lëvizje të një kohshme dhe të përfshira në një akt, që ngrihet e i tejkalon interesat e drejtpërdrejta ekonomike, nuk duket se përputhet me kërkesat e njohura të lirisë së tregut dhe të shoqërisë globale, sepse mendoj, që ai nxjerr në pah një element thelbësor e shpirtëror të individit, që e detyron atë të prezantohet e të konfirmohet si një pjesëtar i ndërgjegjshëm historikisht i një etnie dhe i një kombi.

Mesazhi i këtij akti është tejet i qartë : Jemi të gjithë shqiptarë dhe, prandaj edhe në raportet ndërshtetërore duhet të ndihemi, të sillemi dhe të veprojmë si bashkëkombas. Biznesmenët shqiptarë, të ndarë nga kufiri politik dhe dogana shtetërore në Qafë Morinë, mendoj se u “sunduan” më tepër nga ndjesia atdhetare, se sa nga interesat vetanake apo ekonomike. Anulimi i barrierave doganore për importet nga Shqipëria , ishte kryesisht një akt atdhetar.

Ngjarjet e fundgushtit, nxorën në pah një dukuri në raportet e derisotme mes dy shteteve. Nuk mund të mos vlerësohen arritjet e deritashme mes tyre. Kurrsesi nuk mund të anashkalohen lidhjet e krijuara në fushën e arsimit dhe kulturës, sikurse nuk mund të nënçmohen arritjet në bashkëpunimin politik, social, infrastrukturor, madje dhe shpirtëror. Vështirë të thuhet e njëjta gjë edhe për raportet ekonomike. Mund të jetë e përligjur, por ndoshta është dhe rastësi moszbatimi i projektit të miratuar për lidhjen e sistemit energjetik Shqipëri- Kosovë. Po ashtu, përvoja disa vjeçare e eksportit të patates të prodhuar në Kosovë me destinacion Shqipërinë, është bërë përmes rrugëtimit në territorin dhe doganat e shtetit grek. Herë pas here janë vënë pengesa për eksportimin e miellit dhe të grurit tonë në vendet fqinjë. Ndërkohë, eksportet serbe, maqedonase etj, kanë “përmbytur” tregun tonë, ndërkohë që këto mallra mund të importoheshin pa humbje financiare edhe prej Shqipërisë. Pakënaqësitë ndaj këtyre dukurive( me siguri që janë më tepër se kaq) kanë qenë gjithëkohore, por efekti politiko-shtetëror në përballje dhe plotësim të tyre ka qenë më tepër se i pamjaftueshëm. Është folur dhe vazhdon të flitet për përforcimin e gjithë rrugëve dhe mjeteve në funksion të integrimit të gjithanshëm mes dy shteteve. Ky integrim me predispozitën për të qenë i realizueshëm, i vërtetë, i plotë dhe funksional, ka filluar të jetësohet në arsim, kulturë, shkencë, diplomaci.

Gjithçka është thënë dhe është premtuar për integrimin mes dy shteteve shqiptare të Ballkanit, por ekonomia që është arteria kryesore e ekzistencës dhe e funksionimit të marrëdhënieve ndërshtetërore duket si e lënë në haresë. Ky fakt i konstatuar, që mendoj se është i saktë, kam bindjen se nuk është pjellë e ekonomisë. Besoj dhe pres që politika shqiptare në të dy anët e Qafë Morinës ta ketë në konsideratë dhe ta zgjidhë.
(Autori është nënkryetar i parë i Kuvendit të Republikës së Kosovës)

 

Më Shumë

Lajmet e Fundit