3.8 C
Prizren
E enjte, 1 Dhjetor, 2022

Aktori sulmon ulët me “Viagra” drejtoreshën në Suharekë në një rast tmerrues të pakuptueshëm

Në mënyrë që të ecim përpara, vazhdimisht janë kërkuar më shumë gra në politikë. Rasti i mëposhtëm është një prej arsyeve pse gratë nuk i hynë kësaj pune.

Një aktor nga komuna e Suharekës gjatë ditës së djeshme vendosi që një ‘akt’ të tij ta bënte jashtë teatrit. Ai demoloi një pjesë të objektit të Komunës dhe sulmoi në mënyrë të rëndë drejtoreshën e Kulturës. Çka ndodhi saktësisht?

Brahim Basha pretendonte se drejtoresha e Kulturës në Suharekë kishte fshehur një vendim nga Ministria përkatëse për themelimin e Teatrit të Qytetit. Por, pavararësisht nëse ankesa e tij ishte e bazuar ose jo, shprehja e saj ishte shumë radikale.

Aktori vendosi që drejtoreshën e kulturës ta sulmonte në profesionin e saj, si farmaciste, duke u përpjekur ta përulte në mënyrë të papranueshme.

Në një prej letrave të vendosura pranë zyres së drejtoreshës Gashi, aktori Basha kishte vendosur edhe një mbishkrim “Viagra: shko shit ku e ke vendin drejtoreshë! Dallaverexhike!” Viagra është një substancë e njohur edhe si Sildenafil, i përdorur për rritjen e ereksionit seksual. Dukej qartë se autori i këtij sulmi ishte shërbyer me paragjykime patriarkale dhe kishte provuar të lidhte disi në mënyrë të papranueshme seksin me punën e drejtoreshës.

Gashi reagoi sot me anë të një postimi në profilin e saj në Facebook e në të cilin shprehu mllefin e saj për sulmin.

“Është e vërtetë dhe me mburrje e them se jam farmaciste, por nuk jam kufizuar asnjëherë në ambiciet e mia për të kontribuar për shoqërinë dhe vendin tim… Me sulmuan për të më ndalur, por sulmi nuk kalon. Dje duke më sulmuar tentuan të më frikësojnë, të më ndalin, të më njollosin, por nuk do të arrijnë. Në syrin e llumave një grua sulmohet më lehtë sepse është grua, por gruja e suksesshme është kockë e fortë për llumat.” – u shpreh mes tjerash znj. Gashi.

Ajo kontaktoi më pas Nacionalen për t’i sqaruar më shumë në lidhje me sulmin në fjalë. Gashi u shpreh se e gjitha kishte të bënte me një vendim të ardhur nga Ministria e Kulturës dhe të cilin donte ta merrte pa e kërkuar zyrtarisht aktori Basha.

E pyetur nëse kishte pasur ndonjë mosmarrëveshje personale me personin, ajo u shpreh: “Suhareka është qytet i vogël dhe ne të gjithë e njohim njëri-tjetrin. Jo (nuk kam pasur asgjë personale). Por, i kam dyshimet e mia nëse prapa sulmit ka pasur diçka tjetër…”

Ajo ka informuar Nacionalen se ka lajmëruar organet e rendit për veprimin e aktorit ndaj saj. Sipas saj, sulmi i bërë në këtë mënyrë nga Basha ka qenë “krejt i pakuptueshëm”.

Në tjetrën anë, Brahim Basha pretendon se vendimin në fjalë e ka kërkuar disa javë por nuk e ka marrë. Po ashtu, në postimin ku ka treguar për sulmin e kryer, ai thotë se tashmë ka kaluar afati ligjor për ankesa.

Ai nuk ka dhënë shpjegime shtesë sa i përket mënyrës se si ka vendosur të sulmojë drejtoreshën e Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Mërgatës në këtë komunë.

Nacionale ka kontaktuar edhe me z. Basha për të marrë më shumë sqarime në lidhje me ankesën e tij dhe me sulmin e bërë por deri në këto momente nuk ka marrë përgjigje.

Në faqen e tij në Facebook, Basha ka shkruar se është drejtor artistik në Shtëpinë Filmike “Dielli”.

Vlen të kujtojmë se Kosova po bën përpjekje të mëdha që të ketë sa më shumë gra dhe vajza në pozicione të rëndësishme publike. Vlerësohet gjerësisht se një prej arsyeve që dekurajon ato për të marrë detyra publike janë pikërisht sulmet e ulëta të lidhura me seksin./Nacionale

Më Shumë

Lajmet e Fundit