16.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Ambasadorja gjermane: Brenda pak javësh, Gjermania do t’i kthejë azilkërkuesit

Angelika VietsAmbasadorja gjermane në Kosovë Angelika Viets, ka thënë se brenda pak javësh Kosovën e pret vala e kthimit të atyre që muajve të fundit kanë migruar në rrugë të paligjshme në vendet e Bashkimit Evropian.

Në një intervistë dhënë për Zërin e Amerikës, ajo tha se vendi i saj është përballur me shumëfishim të numrit të strehimkërkuesve nga Kosova, të cilët nuk kanë pothuajse asnjë mundësi që të sigurojnë qëndrimin në Gjermani.

Zëri i Amerikës: Zonja ambasadore, si e shihni ju shkallën e migrimit të paligjshëm të qytetarëve të Kosovës drejt vendeve të Bashkimit Evropian gjatë muajve të fundit?
Angelika Viets: Pyetja juaj është shumë e arsyeshme. Edhe në jemi shumë të shqetësuar për numrin në rritje që tashmë ka marrë përmasa alarmuese të njerëzve që po lënë vendin e tyre. Ata fatkeqësisht janë duke u mashtruar nga kontrabandistët me premtimet se do të gjejnë një jetë më të mirë. Ata po shesin edhe pasurinë e tyre në Kosovë duke u mbështetur në premtimet. Por, fakti është se ata do të kthehen dhe do të përballen me probleme akoma më të mëdha. Me lejoni të them diçka parimore në lidhje më këtë, duke marrë parasysh numrin e madh që dëshirojnë të vijnë në Gjermani dhe shtrojnë kërkesa për strehim. Kërkesa për strehim është një e drejtë politike por kjo nuk vlen për qytetarët e Kosovës. Ne e kuptojmë që ka kërkesa për strehim për shkak të varfërisë, por e dimë që ka edhe të tjerë që shtrojnë kërkesa për strehim dhe janë të përndjekur politikisht. Nëse ne do t’u jepnim strehim qytetarëve të Kosovës, atëherë nuk do të kishte mundësi për ata që më të vërtetë janë të përndjekur politikisht. Ne e dimë që qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë për një gjë të tillë.

Zëri i Amerikës: Çfarë e ka shkaktuar këtë migrim sipas pikëpamjes suaj?
Angelika Viets: Këtë pyetje ia kemi bërë vetes edhe ne, sepse ishte një valë e madhe që ka filluar në shtator e tetor të vitit të kaluar dhe tash për tash është shndërruar në një epidemi. Ne kemi mbledhur të dhëna për numrin e njerëzve që kanë marrë një rrugë të tillë për të hulumtuar shkakun. Besojmë se ka shumë faktorë dhe nuk mund të jetë vetëm një. Një ndër to mund të jetë periudha shumë e gjatë para krijimit të qeverisë. Në përgjithësi ishte një vit jo shumë premtues për zhvillimin ekonomik dhe njerëzit janë të dëshpëruar me këtë, e kanë humbur shpresën. Këtu përfshihet edhe fakti që njerëzit mund të mos kenë një vend pune dhe e kanë humbur besimin për të ardhmen. Një faktor tjetër, mendoj se janë premtimet që u bëjnë kontrabandistët që i mashtrojnë duke i dërguar në vendet e BE-së dhe nga kjo kontrabandë ata përfitojnë shumë. Një arsye tjetër është edhe grumbullimi i problemeve të shumta me të cilat janë përballur njerëzit për një kohë të gjatë, por për të cilat nuk mundet që detyrimisht të bëhet përgjegjëse qeveria e tashme. Porosia ime për qytetarët do të ishte që t’i japin një vit kohë qeverisë aktuale, në mënyrë që të mund të dëshmojë veten me punët që ka marrë përsipër dhe për të cilën ajo do të ketë edhe mbështetjen tonë. Më lejoni të them diç edhe për mediet, sepse mua më intereson shumë roli i tyre meqë janë një faktor shumë i rëndësishëm në shoqëri dhe kanë një detyrë të rëndësishme, meqë liria e medies është një vlerë në shoqëri. Mediet duhet të bëjnë këtë detyrë dhe të shkruajnë edhe rrëfime suksesi që nuk mungojnë këtu.

Zëri i Amerikës: Sa është numri i azilkërkuesve nga Kosova në Gjermani?
Angelika Viets: Numrat janë rritur. Në muajin nëntor të vitit 2014 ishin 600 veta, në dhjetor ishin 1 mijë e 956 dhe në janar 3 mijë e 630. Përqindja e atyre që mund të përfitojnë është 1.1 apo 1.2 për qind. Kjo do të thotë se presim një valë të kthimeve brenda pak javësh dhe kjo do të jetë një sfidë për qeverinë.

Zëri i Amerikës: Çfarë veprimesh po merr shteti juaj për t’u përballur me kërkesat në rritje për strehim?
Angelika Viets: Do doja t’u jap dy përgjigje. Ne kemi filluar një fushatë informimi për t’u thënë njerëzve se ajo që u është thënë se çdokush që shkon në Gjermani do të përfitojë strehim, është një keqinformim, mbase i shpërndarë nga grupe të interesit siç janë trafikantët me njerëz. Ka shume pak gjasa që ata njerëz të qëndrojnë në Gjermani. Mesazhi i dytë është se ne e mbështesim qeverinë e re në përpjekjet e saj për reforma ekonomike. Kryeministri do të publikojë nga mesi i shkurtit idetë e tij për reformat dhe masat ekonomike që do të ndërmarrë gjatë këtij viti. Mendoj se çdo qeveri e re meriton kohë që të përqendrohet në çështjet që e presin dhe kjo qeveri e meriton këtë po ashtu.

Zëri i Amerikës: A jeni e kënaqur me përpjekjet e institucioneve për t’u përballur me sfidën e migrimit?
Angelika Viets: Tani ka shume veprimtari. Mendoj se të gjithëve u është dashur kohë që të kuptojnë se si janë rritur numrat, sepse është liria e lëvizjes dhe asnjë qeveri nuk mund të pengojë banorët e saj q ë të dalin jashtë vendit, të paktën asnjë vend demokratik. Tani shumë masa po merren dhe unë kam kuptuar nga ministri i brendshëm se trafikantët po ndiqen dhe se 19 grupe janë akuzuar tashmë. Mendoj se ka shumë shenja se Kosova po kthehet në rrugë të mbarë.

Zëri i Amerikës: Migruesit e paligjshëm po shfrytëzojnë territorin e Serbisë për të kaluar në Hungari e më pastaj në vendin tuaj, Austri e vende tjera të BE-së. Si po i shihni veprimet e qeverisë serbe? A po bënë sa duhet që të mos lejojë kalimin e paligjshëm të kufirit me Hungarinë?
Angelika Viets: Nuk jam në pozitë të gjykojë këtë. Ajo që di unë është se të gjithë janë alarmuar tani dhe tash ka më shumë bashkëpunim në të dyja anët që të ndërpritet migrimi sepse kjo nuk është në interesin afatgjatë të Serbisë.

Zëri i Amerikës: Çështja e migrimit lidhet me liberalizimin e vizave. Përse po ngurron Bashkimi Evropian të heq vizat për qytetarët e Kosovës që kane mbetur të vetmit pa këtë mundësi në Evropë? Derisa ne po bisedojmë, shumë njerëz po presin para ambasadës suaj për një vizë.
Angelika Viets: Sa për informim ne japim 35 mijë viza brenda një viti dhe nuk është që qytetarët e Kosovës nuk mund të udhëtojnë. Nëse bëj një llogari për gjithë ambasadat e Bashkimit Evropian, ne japim rreth 200 mijë viza në vit dhe ky është një numër i konsiderueshëm. Liberalizimi i vizave është një çështje e Komisionit Evropian dhe ata kanë një raport për këtë çështje. Raporti i radhës është në muajin mars dhe të shohim se çfarë përfundimesh do të sjellin ata. Studentët më pyesin shpesh për procedurën dhe unë u them se është një listë e gjatë e kritereve dhe parametrave që duhet të përmbushen. Qeveria e Kosovës ka punuar dhe po punon për përmbushjen e shumë kritereve siç janë çështjet ligjore, masat për ri integrim etj. Ka një listë të gjatë por ata kanë shumë punë për të kryer detyrat e shtëpisë, siç është luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Zëri i Amerikës: A po bëjnë sa duhet për të luftuar këto dukuri?
Angelika Viets: Ju e keni parë raportin e progresit në tetor dhe sipas tij, nuk është bërë sa duhet.

Zëri i Amerikës: A po rrezikohet liberalizimi i vizave nga migrimi i paligjshëm?
Angelika Viets: Në një mënyrë po, të them sinqerisht. Një nga kriteret është se sa njerëz migrojnë në rrugë të paligjshme dhe numri i strehimkërkuesve nga Kosova. Këto janë pjesë e procesit të vlerësimit dhe natyrisht procesi do të ngadalësohet. Të paktën kjo është frika jonë. Mbase Komisioni mund të sjellë përfundime tjera. Kam marrë vesh se raporti i radhës është në pranverë. Së pari qeveria e Kosovës i raporton komisionit, dhe pastaj ata vijnë për të bërë vlerësimet. Ndoshta ata sjellin përfundime të mira dhe liberalizimi i vizave të ndodhë vitin e ardhshëm.

Zëri i Amerikës: Shumë mendojnë se me liberalizmin e vizave është më lehtë të kontrollohet migrimi i paligjshëm. Si mendoni ju?
Angelika Viets: Mendoj se njerëzit këtu e keqkuptojnë faktin se liberalizimi i vizave nuk nënkupton udhëtimin plotësisht të lirë. Ai nënkupton se mund të udhëtoni në vendet e listës Shëngen për tre muaj dhe pas 90 ditësh duhet të ktheheni. Është masë kontrolli dhe e kuptoj se ka një frikë psikologjike për të qenë “i mbyllur”. Por mund të them se liberalizimi i vizave nuk është zgjidhja, sepse kur shikoni rajonin, në Serbi, Mal të Zi e Shqipëri, ato kanë liberalizim të vizave dhe janë të përfshira në radhën e vendeve të sigurta, por ende kanë probleme me strehim kërkues. Mendoj se çështja qëndron në situatën e përgjithshme ekonomike, posaçërisht kur standard krahasues janë vendet e BE-së. Kosova ka një diasporë të madhe që dërgon para dhe kur njerëzit shohin se pagat në Gjermani, në Francë apo gjetiu janë dhjetëfish më të larta sesa në Kosovë, atëherë nuk janë shumë të motivuar të qëndrojnë dhe të ndërtojnë vendin e tyre. Por, nga ana tjetër, ata e fituan pavarësinë shtatë vjet më parë dhe është detyrë e tyre që të fillojnë të përpiqen të bëjnë më të mirën.

Zëri i Amerikës: Dhe a besoni se numrat do të bien?
Angelika Viets: Diplomati duhet të jetë optimist, në të kundërtën janë në punë të gabuar. Mendoj se do të merr kohë por situata do të jetë më mirë.

Më Shumë

Lajmet e Fundit