19.8 C
Prizren
E diel, 8 Shtator, 2024

Amik Kasoruho, Rrëfimi: I vranë të atin, i thashë “E zuri sëmundja e Enver Zazanit”

85803_2Qyteti i Durrësit ka përcjellë dje për në banesën e fundit, shkrimtarin dhe përkthyesin Amik Kasoruho. Mesditën e djeshme janë zhvilluar homazhet në kishën katolike “Shën Luçia” në nder të kujtimit të intelektualit të madh. Të afërm, miq, familjarë, shkrimtarë e deputetë të opozitës, përfaqësues të Presidencës dhe një numër i madh qytetarësh durrsakë janë përulur para humbjes së personalitetit të madh të letrave shqipe, ndërsa kanë marrë pjesë në homazhe.

Trupi i tij do të prehet në varrezat e qytetit të Durrësit. Sanie Malile, bashkëmoshatare dhe kushërirë e parë e Kasoruhos, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, tregon për një nga momentet më të vështira të jetës së publicistit. Malile ka qenë personi që i ka dhënë lajmin Kasoruhos, ndërsa ai ndodhej në burg, për pushkatimin e babait të tij Qemalit. Ajo thotë se, për shkak të mbikëqyrjes dhe vëzhgimit të rreptë të gardianëve, ia ka komunikuar vrasjen në një mënyrë të tërthortë. “I thashë që, dajë Qemali vdiq nga sëmundja e Enver Zazanit”, – rrëfen kushërira e intelektualit të madh.

Znj. Sanie, ju jeni bashkëvuajtëse e tij, por edhe një prej njerëzve më të afërt. Cili është ai kujtim që nuk ju hiqet nga mendja?
Ishin kohë ferri. Kishte pak ditë që babain e Amikut, dajën tim, e kishin pushkatuar. Ai gjendej në burgun e Tiranës. I shkova në burg, por, si do t’i thosha Amikut që ia kishin vrarë babain? I rrotulloja fjalët nëpër gojë e nëpër mendje. I kisha në kokë e dot s’i nxirrja. Si t’i thosha që, ‘babain ta pushkatuan e nuk e kemi qarë dot’? U bëra burrë, se unë me të isha motër e vëlla, moshatarë, të rritur bashkë. Vajta e takova. Poshtë isha veshur me të zeza dhe lart një xhaketë ngjyrë hiri. Ai e kuptoi. I thashë që, ‘babai vdiq’. E mori sikur kishte vdekur babai im. ‘Të rroni vetë e të jeni të fortë’, më tha. Unë u mbyta nga lotët, se nuk i flisja dot.
Si arrite t’ia jepje lajmin që ia kishin pushkatuar babain?
Asokohe isha studente, e re fare, me dhimbje të madhe. Nuk flisja dot, se na rrinin policët si xhandarë e nuk i thosha dot që e kanë pushkatuar. I thashë ‘dajë Qemali na la’. I thashë që, ‘vdiq nga sëmundja e Enver Zazanit’.
Si reagoi?
Enver Zazani ishte miku ynë familjar, deputet që e kishte pushkatuar pa gjyq Enver Hoxha. Ai e kuptoi menjëherë që ia kishin pushkatuar. M’u hodh në qafë e qau pa pushim. As për të folur nuk na linin. Nuk i kishte bërë akoma 20 vjeç. 10 vjet e dënuan për agjitacion e propagandë, duke e arrestuar nga bankat e shkollës.
Sot (dje), politikanë, personalitete e qytetarë po i japin lamtumirën e fundit…
Po, po përcillet me të gjitha nderimet që i takojnë atij, për vlerat njerëzore dhe punën e tij të palodhur si shkrimtar e përkthyes. Amiku ka sfiduar të gjitha kalvaret e mundimshme që një njeri mund të kalojë në jetë. Ka punuar si punëtor krahu, në Durrës, Kavajë, Elbasan, i përjashtuar nga shoqëria e gjithë familja e tij. Fshehurazi është marrë me letërsi e me përkthime, duke mësuar disa gjuhë. Fatmirësisht u kthye në Shqipëri që të gjithë ta njihnin punën e tij, dhe sot përcillet nga të gjithë njerëzit me nderim. I falënderojmë shumë.

Jeta e publicistit Amik Kasoruho
Amik Kasoruho u lind në Tiranë në vitin 1932, ndërsa në moshën 17-vjeçare u arrestua dhe u dënua me 10 vite burg. Ndërkaq, i ati, Qemal Kasoruho, pushkatohet pa proces gjyqësor, vetëm 5 ditë pas arrestimit, bashkë me 21 intelektualë të tjerë. Pas burgut, bashkë me familjen, Amik Kasoruho jetoi për 27 vite në internim. Përkthimi nisi në burg, për ta shoqëruar si profesion gjatë gjithë jetës së tij, krahas krijimtarisë origjinale dhe publicistikës. Kasoruho përktheu në shqip vepra nga Pirandello, Isabel Allende, Harold Robbins e shumë shkrimtarë të tjerë të njohur. Ai është fitues i çmimit special të jurisë në konkursin “Eks&Tra” për shkrimtarët emigrantë në vitin 1999. Ndërsa në vitin 2000 u nderua me çmimin “Civitas-Arberia 2000 Calabria” për mirëmbajtjen e revistës italo-shqiptare të arbëreshëve “Katundi Ynë”. Letërsia, eseistika dhe publicistika e tij më e rëndësishme mbetet në veprat “Midis burgut dhe dritës”, “Çmimi i një ëndrre”, “Fluturimi i gjatë i një ore” si edhe “Një ankth gjysmëshekullor – Shqipëria e Enver Hoxhës”. Vitet e fundit ka botuar në Kosovë romanin autobiografik “Ikje nga trilli i Perëndive”. Kasoruho është dekoruar nga Presidenti i Republikës me titullin “Nderi i Kombit”

Më Shumë

“Hardh Talk” diskuton për trashëgiminë kulturore dhe historike të kultivimit të hardhisë së rrushit dhe prodhimit të verës

Në kuadër të festës tradicionale të rrushit, Hardh Fest, sot në sallën e kuvendit të Komunës së Rahovecit u mbajt “Hardh Talk” – tryeza...

Nderohet Dr. Tyrhan Kosova

Spitali i Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren mbajti një Akademi Përkujtimore për të nderuar jetën dhe veprën e Dr. Tyrhan Kosova, internist-endokrinolog...

Lajmet e Fundit