Analisti Ardian Arifaj mendon se prezenca e shtuar e pakicave në Kuvendin e Kosovës nuk i pengon proceset politike në vend dhe thotë se këtë gjë nuk duhet parë si rrezik. Ai pohon se Kosova ende ka nevojë për masa afirmative për komunitetet jo-shumicë.
Deputetët e pakicave, gjatë një takimi të zhvilluar ditë më parë me Ambasadorët e shteteve të BE’së, kanë prezantuar platformën e tyre, në mënyrë që të sigurohet një mbështetje nga përfaqësuesit politikë të shumicës, për propozimin e ndryshimeve kushtetuese, që do t’i siguronte komunitetit jo-shumicë edhe dy mandate për ulëset e rezervuara në Kuvend.
Ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Nenad Rasic, ndërkohë, ka deklaruar se kanë marrë përkrahjen e shumicës së partive politike në Kuvend për vazhdimin e mandatit për ulëset e rezervuara, me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje.
Me futjen në skenën politike kosovare të subjektit politikë “Lista Serbe”, që ka mbështetjen e Qeverisë së Serbisë, pritet që numri i deputetëve të komunitetit serbë në Kuvendin e Kosovës të rritet pas zgjedhjeve të përgjithshme.
Analisti Ardian Arifaj, në një prononcim për lajmi.net, ka deklaruar se prezenca e shtuar e deputetëve të komunitetit serb në Kuvend nuk paraqet ndonjë rrezik për proceset politike.
“Nuk duhet të shikohet si rrezik. Ne po gabojmë, çdo gjë që lidhet me komunitetet tjera joshqiptare, po e shohim si kërcënim për komunitetin shqiptar. Ne jemi ata që jemi shumicë, nuk jemi pakicë. Të tjerët frikësohen prej nesh. Ne nuk duhet të frikësohemi prej të tjerëve”.
Ai thotë se rritja e deputetëve nga partitë e udhëhequra nga pjesëtarë të komuniteteve pakicë nuk mund të pengojë asgjë.
“Nuk paraqesin problem. As nëse hyjnë në koalicion. Askund nuk shkruan në ligj që të lidhësh me dikë koalicion”.
“Po ashtu, nuk mundet kurrë opozita me qenë aq e rrezikshme. Nuk ka opozitë të rrezikshme, pa marrë parasysh se kush e përbën atë opozitë”.
Arifaj, madje, mendon se komuniteti shqiptar duhet të bëjë më shumë që t’i bindë komunitetet jo-shumicë se kanë një trajtim të barabartë.
“Kosova ende ka nevojë për masa afirmative për komunitetet jo-shumicë, sepse shoqëria shumicë ende nuk i ka bindur komunitetet e tjera që trajtohen njësoj, barabartë, dhe që nuk kanë më nevojë për masa afirmative”.
“Kjo gjë vlen edhe për institucionet.”
“Normalisht, duhet të ketë garanci shtesë nga komuniteti shumicë, dhe njëra prej tyre është kjo masa afirmative, që mundëson edhe dy mandate në këtë rast për e ulëse të rezervuara”.