Shumë nga zejet e komunës së Prizrenit janë zhdukur apo janë në zhdukje e sipër. Dikur të moshuarit e Prizrenit dinin të tregonin shumë histori për pushkatarët e këtij qyteti. Por, tashmë kanë mbetur vetëm emra rrugësh, si rruga e “Pushkatarëve” apo edhe mbiemra familjesh që janë marrë me atë zeje si familja Pushkatari, Tufekçiu, apo ndonjë të ngjashëm. Profesor Nexhat Çoçaj, njohës i kësaj lëmie, është shprehur për “Kosova Sot” pushkatarët e Prizrenit i takojnë epokës së lavdishme të shqiptarëve. Çoçaj shprehet se njëra prej zejeve që i dha emër Prizrenit, ishte zeja e armëpunuesve.
“Armëpunuesit prizrenas në periudhën osmane kishin bërë emër me armët e tyre, të cilat i eksportonin edhe jashtë Evropës. Tregu i armëve në Prizren ishte destinacioni i shumë vendeve të botës, meqë ishin armë karakteristike, të qëndrueshme, të zbukuruara mirë dhe njiheshin si armë precize”, është shprehur ai. Sipas tij, kualitetin e armëve e mundësonte mënyra e punës, që ishte kryesisht punë dore, meqë armëpunuesit në masë të madhe e shfrytëzonin ujin e lumit për shpimin e tytave dhe punimin e pjesëve të armëve.
“Nga armët e armëpunuesve prizrenas ishte e furnizuar edhe një pjesë e ushtrive elitë, siç ishte Napoleon Bonaparta dhe shumë ushtarakë tjerë, që kishin marrëdhënie ushtarake e diplomatike me oborret e pashallarëve shqiptarë siç ishte Ali Pashë Tepelena dhe Bushatlinjtë, të cilët gjithsesi armët e armëpunuesve prizrenas i mbanin si armët më të bukura dhe të çmuara”, është shprehur ai.
Armët e zbukurimit mbaheshin kryesisht në brez
Pikërisht për shkak të vlerave të armëve, Prizreni një kohë të gjatë deri në gjysmën e dytë të shekullit XIX konsiderohej si qendër e tregtisë së armëve dhe tregu i armëve në Prizren, ishte ndër destinacionet që u interesonte edhe udhëpërshkruesve të huaj, që vizitonin trojet shqiptare. Armëtarët prizrenas në shekullin XVIII armët, që i punon ishin kryesisht të tipit arabo-turk dhe quheshin kapsollaçe dhe breshana. Këto armë u përdorën në masë të madhe edhe nga shqiptarët gjatë kryengritjeve kundër Malit të Zi dhe Serbisë.
“Në fakt armët e tipit breshana ishin armë, që veçoheshin edhe për nga mënyra e zbukurimit, meqë kryesisht mbaheshin në brez. Varësisht nga çmimi varej edhe zbukurimi, meqë kishte armë të zbukuruara edhe me fije ari e të mos flasim për argjend. Ndërkaq, nga fundi i shekullit XIX armëtarët prizrenas nisën të punojnë armët e njohura me emrin “Martina”, që ishin të gjata dhe të shkurtra, por që edhe këto kishin kondakun e zbukuruar”, ka theksuar Çoçaj.
“Ndër pushkatarët që njihen në kujtesën etnografike të Prizrenit ishte Idriz Buza, dhe nga fundi i shekullit XIX edhe Haxhi Ibrahimi.
“Shumë prodhues të armëve kishte afër xhamisë së Sejdio Beut”
“Në qytetin e Prizrenit sot ka ngelur mbiemri ‘Namlexhi’ prej zejes së armëpunuesve, meqë me këtë emër quheshin punëtorët, që bënin shpimin e tytave të pushkëve me fuqinë e ujit të Lumbardhit”, tregon Çoçaj.
Sipas Binak Berishës (97) dikur rreth xhamisë së Sejdio Beut kishte shumë prodhues të armëve. “Koleksioni i armëve përmbante armë të të gjitha llojeve, prodhime vendi që i prodhonin prizrenasit që kishin punëtorinë buzë Bistrice. Artileri e lehtë (topa të vegjël), shek. XIV – Armë zjarri, krahu ose brezi të shek. XVII e në vazhdim. Armë të ftohta tipash të ndryshëm, shek. XVIII – XX. Uta një lloj arme e veçantë”, tregoni ai. Berisha thekson se Prizreni e kishte të zhvilluar zejtarinë, por përpunimi i armëve ishte ajo më kryesorja që e patën bërë Prizrenin qendrën e botës për armë që atëbotë kishte edhe pushkë e armë të tjera të zbukuruara me argjend.
(Kosova Sot)