Arrestohet drejtori i bankës, vodhi 1 mln euro nga llogaritë

Policia arrestoi Ervin Çekanin, zbardhet e gjithë skema e mashtrimit nga ana e ish-drejtorit të filialit të bankës.

Arrestohet drejtori i një filiali banke të nivelit të dytë në Bilisht, pasi dyshohet se ka përvetësuar një shumë të madhe prej më shumë se 945 mijë eurosh. Policia bën me dije se u arrestua Ervin Çekani, pasi me kërkesë të Prokurorisë së Korçës, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”.

Nëpërmjet veprimeve antiligjore, duke falsifikuar dokumentet ai dyshohet se ka kryer transaksione të ndryshme duke hequr nga llogaria e 25 klientëve shuma të mëdha.

Këto veprime mendohet se i ka kryer për një periudhë disavjeçare dhe fillimisht ka qenë një kontroll i vetë bankës që ka parë mospërputhje të shifrave dhe tërheqje thuajse të menjëhershme të shumave të mëdha nga 25 klientët.

Sipas burimeve zyrtare të prokurorisë, mbi bazën e materialit kallëzues të dërguar nga banka, më datë 02.02.2015 ka regjistruar procedimin penal të vitit për veprën penale të “vjedhjes së bankës” dhe “falsifikimit të dokumenteve”. Në këtë degë të bankës gjatë periudhës 01.11.2005-shkurt 2015 (rreth 10 vjet), në pozicionin e drejtorit të degës së bankës ka qenë shtetasi Ervin Çekani, i cili ditët e fundit është pezulluar nga funksioni, pasi banka është vënë në dijeni të veprimeve të parregullta në degën e qytetit të Bilishtit, nëpërmjet ankesës së klientit të saj S.D.

Ky i fundit është paraqitur në datë 02.02.2015, në degën e qytetit të Korçës dhe ka kërkuar të verifikojë ekzistencën e depozitave bankare me afat, të cilat pretendohej se ishin çelur prej tij në degën e qytetit të Bilishtit, në momente të ndryshme kohore.

Nga këqyrja e llogarisë së shtetasit S.D është konstatuar se kishte mungesë të shumave të depozituara. “Shtetasi Ervin Çekani, gjatë punës së tij si Drejtor i Degës Bilisht i ka shkaktuar bankës një dëm që paraprakisht llogaritet në vlerën e 774 325 eurove (i cili është detyrim ndaj 25 klientëve), nëpërmjet përvetësimit të mjeteve monetare të klientëve”,- shprehen burime të prokurorisë.

Mirëpo nuk i ka mjaftuar vetëm kjo shifër, pasi dyshohet se ish-drejtori përdori një tjetër skemë mashtrimi. Mendohet se shuma të mëdha janë marrë nëpërmjet veprimeve të paautorizuara të mbylljes së parakohshme të depozitave me afat të klientëve, disbursimit të kredive fiktive të pengëzuara me depozita me afat, disbursimit të të paktën një kredie konsumatore fiktive, si dhe nëpërmjet debitimit të llogarive rrjedhëse.

Më Shumë

15-vjeçari në Dragash gjen para në rrugë dhe i dorëzon në polici

Një fëmijë 15-vjeçar ka dorëzuar në Polici një kuletë me të holla që e kishte gjetur derisa po lëvizte në rrugën Dragash-Brod, afër fshatit...

Prizreni pritet t’i ketë tetë deputetë në Kuvendin e Kosovës

Prizreni në legjislaturën e re të Kuvendit, pritet të përfaqësohet me gjithsej tetë deputetë, prej të cilëve tre do të jenë nga komuniteti shumicë,...

Lajmet e Fundit