ARBEN I. KASTRATI
Jam në Strugë. Dhe gjëja e parë qe kujtova pasi shkrimin tënd lexova, ishte viti 1999. Teksa në Kosovë Ramush Haradinaj po udhëhiqte luftën në një zonë, dhjetra mijëra shqiptarë nga Kosova (tanimë disa me vetdëshirë vetquhen Kosovarë), pushonin në brigjet e liqenit të Ohrit. Dhe teksa rreziteshin dhe ziheshin se kush ka marrë më shumë ngjyrë, kur ktheheshin nga plazhet, dëgjonin në shtëpitë e mikpritësve, lajmet për tragjedinë që po ndodhte në Kosovë. Aq shumë vuanin nga lajmet që konsumonin, sa që rendnin me ngut për në plazh. Nje pjese syresh, ishin për herë të parë me pushime. Pjesa tjetër e shqiptarëve, madje s’donin as të identifikoheshin me qenësinë e tyre, kështu që pushonin dhe argëtoheshin me sllavo maqedonasit në Ohër, se u mungonte gjuha sllave, të cilën e njihnin fare mirë për të dëgjuar se ç’urdhër duhet zbatuar.
Kur lufta perfundoi, ne – pushuesit, u kthyem në vendin tonë të çliruar, të festonim lirinë dhe duke kërkuar respekt dhe pushtet…
***
Askush nuk i urren shqiptarët më shumë se shqiptari vetë.
Të kam ndjekur kryesisht tek Opinion-i i gazetarit mediokër Fevziu. Aty ku kryesisht mblidhen mediokritetet dhe kuvendojnë. Aty ku më shumë vleresohen defektet se cilesitë…Aty ku metastazon marria…
Dhe ti s’përbën asnjë përjashtim, analizon çdo ndodhi, cdo fenomen, nga kënveshtrimi yt “superior”. Madje ti i lejon vetes të analizosh e gjykosh çdo gjë dhe çdo kë…Dhe kjo të bën pjestar të shquar të mediokritetit. Të bën prijës.
Dhe kur (në këto ditë pa Opinion) ke mbetur pa vemendje, fillon të trajtosh heronjtë, që ti nuk i njeh fare. Për ç’gjë, duhet të kesh turp. Por soji yt (cosmopolitan me pagesë), që veproni – MADE FOR EXPORT, ka kohë qe jeni kastruar nga morali dhe keni krijuar imunitet nga përgjegjësitë. Ju jeni të preokupuar me pershtypjet që do lini me vardisjen tuaj tek të huajt. Që të arrini të ushqeni egot tuaja me ndonjë privilegj. Të kuroni komplekset tuaja të pakurueshme. Ju jeni një turp i kombit. Ju jeni të perdalet e kombit. Ky soj i juaji është për t’u qarë me vajtojca.
Ti ke pasur hapsirën e mjaftueshme si askush tjetër të shkruash tek mediumet vendore atë që ke thënë tek një gazetë e huaj koti. Por jo rastësisht ke këtë personazh për temë trajtimi, që të arrish të koleksionosh ca mendime pozitive tek të huajt, të cilët, me beso, s’çajnë kokën as për ty as për sojin tënd. Ata ju shfrytezojnë por nuk ju respektojnë. Ata s’respektojnë askënd që mohon kombin e vet. Se e dinë qe ju do bënit të njëjtën gjë dhe për ata.
Prandaj, s’arrij të kuptoj inferioritetin tënd në raport me të huajt dhe “superioritetin” tënd në raport me shqiptarët. S’arrij të kuptoj vardisjen tënde ndaj të huajve ashtu siç s’arrij të kuptoj nevojën tënde për autoritet ndër shqiptarë.
***
Nuk dua të marr rolin e zëdhënësit të Z. Haradinaj e as të historianit që të të dëftoj për punën e kontributin e Z. Haradinaj. Por si qytetar do të marr barrën e përgjegjësisë të mbroj të vërtetën. Ti i bën padrejtësi të madhe të vërtetës. Ti i bën një padrejtësi të madhe veprës së Ramush Haradinajt dhe karakterit të tij.
Nëse dy herë, Tribunali Ndërkombëtarë i Hagës e shpall të pafajshëm Z. Haradinaj, përkundër ndihmës së pakursyer të Serbisë dhe aleatëve të saj, je ti ai që kërkon ta gjykosh. Se ti je aq i arritur (sa që në këtë rast merr dhe detyrën e prokurorit), sa që merr të drejtën dhe ta gjykosh, ta shpallësh fajtor pa fakte por me fjalë Z. Haradinaj, që u lirua nga të gjitha akuzat i pafajshëm. Këto fakte dëftojnë për – “cilësitë” tua. Dëftojnë për komplekset e tua të shumta që bashkëjetojnë brenda teje. Këtij soji të veçantë mediokriteti me pagesë.
Jam mëse i bindur që ti as nuk e njeh të shkuarën e as të tashmen e gjysmës së kombit tënd, as nuk e njeh dhunën e ushtruar ndaj gjysmës së kombit tënd nga serbi dhe shqiptari bashkë, as nuk e njeh Z. Haradinaj, as nuk e njeh vepren e tij. Ashtu siç nuk njeh asgjë përpos interesit tend vetanak.
Fillimisht, gjykoi mendimet e tua. Çlirimtari nuk mund të jetë asnjëherë – vrasës.
Ashtu siç ti asnjëherë s’ke për të më kuptuar mua e askën tjetër qe ka dashuri ndaj atdheut ashtu as unë s’kam për ta kuptuar lehtësinë tënde të papërballueshme të lajkatimit ndaj njerëzve me pushtet dhe të huajve. Prandaj nuk do të merresh kurrë seriozisht nga njerëzit që kanë mendim. Përfitimet materiale dhe ndonjë çmim, që burojnë nga të qenit i shitur intelektualisht kanë efektet e tyre anësore, përbuzjen e përçmimin kolektiv, ndërgjegjen e njollosur…
Dëshira për t’u shfaqur i ditur do t’të – torurojë… Moshën dhe dijen për të mbajtur fajësinë me vete kudo e përgjithmonë, e ke. Pra mbaje.