2.9 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“Atentat i dështuar ndaj Enverit”- Çfarë zbuloi sigurimi nga përgjimet e diplomatëve për bandën e Xhevdet Mustafës

AFRIM IMAJ/ Ajo që ndodhi 25 shtatorin e vitit 1982 ka qenë një nga ngjarjet më tronditëse të regjimit komunist. Zbarkimi i Xhevdet Mustafës dhe mënyra si u eliminua grupi i tij, i njohur ndryshe si grupi i fundit i diversantëve të ardhur në Shqipëri, ka mbetur një mister me shumë enigma e të panjohura.

 

Dokumentacioni i kohës, ai sekret, por jo vetëm, përveç kronikës së ngjarjes, një komunikatë e rëndomtë e Ministrisë së Brendshme me tri fjali të thata, përmban jo pak paqartësi, sidomos për misionin e bandës dhe porositësin e saj. Publikimi i ndodhisë, së paku ditët e para, të krijonte përshtypjen se zbarkimi i bandës së Mustafës kishte zënë në befasi tërë piramidën e regjimit. Por zhvillimet e mëtejshme, sidomos “loja” e Sigurimit dhe hetuesisë me të mbijetuarin Bajrami, ish-eksponent i Policisë Sekrete i depërtuar në Perëndim qysh në fillim të viteve ’50, tregonin një realitet tjetër:

Ngjarja ishte iniciuar në Tiranë dhe “mysafirët” ishin ftuar të vepronin sipas regjisë së parashkruar nga Shërbimi i Fshehtë shqiptar. Mirëpo, terri informativ me të cilën u përcoll ngjarja nga autoritetet shqiptare, një zgjedhje e qëllimtë kjo prej tyre, këtë radhë zuri në befasi faktorin e jashtëm, kryesisht korpusin e diplomatëve të huaj të akredituar në Tiranë. Desantimi i bandës në zonën e Divjakës ishte për ta një rrufe në qiell të pastër. Në tronditje e sipër, gjithkush prej tyre ndezi “radarët” e vet për të mësuar sadopak mbi të vërtetën e asaj që nuk deshifrohej nga njoftimet zyrtare të Tiranës. Moria e dilemave nuk ishte e vogël: Kush fshihej pas bandës, me çfarë misioni vinte ajo, cilët ishin porositësit, kujt i interesonte zbarkimi i saj, cilat ishin agjenturat që kishin investuar për të, etj.

Gazeta “Panorama.al” ka siguruar një dosje sekrete të Sigurimit të Shtetit me komentet dhe vlerësimet e diplomatëve të huaj në Tiranë për grupin diversionist që zbarkoi në Shqipëri në shtator të vitit 1982. Janë të dhëna dhe argumente të vjela nga Shërbimi Sekret me teknikat e veta në rrugë operative gjatë ditëve të postngjarjes, për të cilat interesohej drejtpërdrejt kupola e regjimit. Në grupin e parë të raporteve sekrete që ministri i Brendshëm, Hekuran Isai, i adresonte Hoxhës pesë ditë pas ngjarjes, bëjnë pjesë vlerësimet dhe hamendjet e ambasadorit italian Françesko Xhentile, atij francez Manel Martin, kryediplomatit grek Apostolios Papasliotis dhe disa diplomatëve të tjerë të këtyre vendeve për misionin e mundshëm dhe porositësit e bandës së Xhevdet Mustafës. Përveç diferencave për profilin dhe qëllimin e saj, argumentet e tyre bashkohen në specifikën e momentit kur ndodhi ngjarja. Në vlerësimin e tyre nuk është rastësi që diversantët e harruar qysh nga vitet ’50, rishfaqen bujshëm menjëherë pas vetëvrasjes së mistershme të Kryeministrit Mehmet Shehu.

Përqasja me ndodhinë e pazakontë, aq sa dominonte opinionin e diplomatëve të Tiranës, së paku në ditët fundit të shtatorit 1982, po aq shfaqej e paqartë dhe intriguese në shtjellimin e enigmave të ngjarjes, që përkonte me tragjedinë e numrit dy të regjimit komunist. Raportet e Sigurimit të Shtetit me këtë lëndë, në pamje të parë të duken si përpjekje profesionistësh për të zbuluar organizatorët dhe porositësit e bandës, por vështruar nga distanca kohore dhe të dhënat e zbardhura nga procesi i Kadri Hazbiut, që shkoi në plumb pas dëshmive të rreme të Halit Bajramit, rezulton tjetër gjë. Mustafa dhe të tjerët vinin në Shqipëri me bekimin e fshehtë të autoriteteve të Tiranës dhe këto të fundit nuk kish si ta kërkonin identietin e tyre në përgjimet e të huajve.

Ca më tepër që grupi i desatuesve shoqërohej nga i besuari i Shërbimit të Fshehtë, i cili shkëmbente informacion me eprorët e Tiranës që nga çastet e nisjes e deri në momentin e asgjësimit të bandës. Përgjimi i të huajave, me sa duket, specialistëve të Hekuran Isait u interesonte të mësonin deri ku arrinte njohja e tyre mbi të vërtetën e bandës së Mustafës, alias Halit Bajramit. Droja se mos ata binin në gjurmët e organizatorëve, tmerronte “regjisorët” e vërtetë të operacionit diversionist, të cilët bënin përpjekje të jashtëzakonshme t’ia faturonin ngjarjen agjenturave të huaja borgjezo-revizioniste.

DOKUMENTI

Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë
Ministria e Punëve të Brendshme
Drejtoria e Parë, Numër 3817, Sekret
Ekzemplar numër 3 Tiranë, më 30.9.1982

Lënda: Mbi disa komente e lëvizje të diplomatëve të huaj për bandën kriminale të Xhevdet Mustafës

Diplomatë të ndryshëm të përfaqësive të vendeve kapitalisto-revizioniste kanë bërë këto komente për asgjësimin e bandës kriminale nga forcat tona: 1-Ambasadori italian, Françesko Xhentile: Banda duhej të ishte e madhe, mbasi me sa konstatova vet, forcat e ushtrisë gjatë ndjekjes ishin të shumta dhe mjetet e përdorura të rënda. Në këto rrethana nuk mund të mos mendohet për një bandë prej pak peronash. Kryebanditi Mustafa për si përmendej në gazetë, duhej të ishte person i njohur në Shqipëri”.

Vlen të përmendet se ambasadori italian, më 26.9.1982, shkoi për një vizitë në Apoloni. Atje ka qenë edhe më parë. Ambasadori konstatoi lëvizje të forcave tona gjatë kthimit nga Lushnja në Rrogozhinë, ku kërkoi prej shoferit të qëndronte për t’i parë ato. 2-Sekretari i Ambasadës Greke, Nikolla Krisogjellos, në bisedë me ambasadorin grek, Apostolis Papasliotis: Disa kolegë më informuan për ardhjen e një bande nga Italia.

Ne mendojmë se Shehu ka pasur lidhje me Italinë dhe se kjo bandë pritej. Një koleg i kishte thënë nëpunësit tonë Jani Gullo se mbas disa ditësh do të fliten shumë gjëra për Italinë. Kjo është një ngjarje serioze, prandaj të informojmë me telefon qendrën. Në përgjigje, ambasadori grek tha: Këtu ka diçka të re, por me rëndësi është fakti se shqiptarët e prisnin këtë bandë, çka do të thotë se ata ishin tradhtuar. Në qoftë se do të jetë e vërtetë se në dërgimin e bandës ka gisht Italia, në bashkëpunim me amerikanët, atëherë marrëdhëniet Shqipëri-Itali marrin një drejtim tjetër”. 3-Nëpunësi i Ambasadës Greke Leonidhas Mingas:

Nga komunikata kuptova se kanë ardhur për qëllime terroriste. Ky është një krim që bëjnë. Për të kryer këto detyra, ata duhet të kenë pasur njerëzit e tyre në Shqipëri. Këta banditë ka shumë mundësi të kenë ardhur nga Italia, jo se u janë gjetur lireta, sepse mund të kishin edhe dhrami, por të arratisurit shqiptarë janë të organizuar në Bari të Italisë. Kryebanditit Xhevdet Mustafa ia kam dëgjuar emrin. Ai është arratisur nga Shqipëria në vitin 1952 dhe ka qenë anëtar i organizatës “Shqipëria e Lirë” në Romë”. Nëpunësi tjetër Andon Helidhonis ka thënë: Banda mund të ketë ardhur nga Italia. Ata i gënjejnë se në Shqipëri nuk është gjendje e mirë dhe vinë e lënë kockat këtej.

Ç’mund të bëjnë këta banditë?! Asgjë! Kështu ndodhi edhe para 20 viteve që hodhën diversantë në Tepelenë me aeroplan, ata vetëm lanë kockat në Shqipëri. 4-Sekretari i dytë i Ambasadës Rumune, Aleksandër Like: Ka shumë vite që nuk kam dëgjuar për ardhjen e bandave terroriste në Shqipëri. Si shpjegohet që filluan përsëri? A njihet drejtuesi i këtij grupi? Cili shtet mund t’i ketë dërguar? Me se erdhën dhe pse u duheshin lireta dhe dollarë amerikanë?”.

5-Lidhur me bandën kriminale na tërhoqën vëmendjen edhe disa lëvizje e qëndrime të diplomatëve koreanë: Më datën 26.9.1982 prej orës 8:00 – 16:00 ambasadori korean, dy diplomatë dhe familjet e tyre kanë parkuar makinat në anë të rrugës te Shkëmbi i Kavajës, ndërsa vetë janë larë në det. Më datë 28.9.1982, ambasadori korean dhe diplomatët e tij morën leje për të vizituar Vlorën. Gjatë rrugës janë kthyer në rrugën e Divjakës, por nuk janë lejuar të futen në Divjakë. Shoferi pretendon se kishte ngatërruar rrugën, kur dihet se ka katër vite në vendin tonë. Edhe në qytetin e Vlorës kanë kërkuar të bëjnë vizita në institucione të ndryshme, megjithëse këto kërkesa në protokollin e Ministrisë së Jashtme nuk ishin parashikuar.

RAPORT

Ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai
Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë Ministria e
Punëve të Brendshme
Tiranë, 4.10.1982

Lënda: Mbi disa komente e vlerësime të diplomatëve të huaj për asgjësimin e bandës terroriste të Xhevdet Mustafës

Diplomatë të përfaqësive të huaja të akredituar në Tiranë, në biseda me burimet tona vazhdojnë të bëjnë komente e vlerësime dhe shprehin këto interpretime: 1-Ambasadori francez Manel Martin, në një bisedë me një burimin tonë: “Banda duhet të ketë pasur njerëzit e vet të komprometuar në vendin ku desantoi. Me paratë që iu gjetën nuk do të thotë se janë financuar nga Italia dhe SHBA, apo anglezët. Konkretisht, nuk dihet asgjë se nga është nisur banda.

Djali i ish-mbretit Zog u ka dhënë intervistë disa gazetarëve të huaj, ku pohonte se njihte kryebanditin Xhevdet Mustafa dhe ky është pjesëtar i një ushtrie shqiptare në mërgim. Këta banditë ka mundësi të mos jenë armiq të popullit shqiptar, por armiq personalë të Enver Hoxhës. Ishte një atentat ndaj tij që dështoi. Besoni se Enver Hoxha nuk ka armiq personalë?!

A nuk ishte Mehmet Shehu një armik personal i tij?! Pse nuk informoni popullin më gjerësisht për kapjen dhe asgjësimin e bandës? Diktatura e proletariatit është një regjim totalitar, ku udhëheq vetëm një parti, prandaj dhe Stalini është akuzuar si diktator e vrasës. Unë e kuptoj sa i lidhur është populli shqiptar me Partinë dhe Enver Hoxhën, por përsëri dyshoj se Enver Hoxha ka armiq personalë.

2-Sekretari i parë e Ambasadës franceze, Jean Bujal, shprehu kënaqësi që bandës nuk iu gjetën franga franceze dhe se Franca nuk ka gisht në këtë çështje. 3-Atasheu i Ambasadës hungareze, Gjergj Llukaç, në bisedë me burimin tonë: Më çuditi shumë lajmi i dhënë në shtyp lidhur me diversantët, pasi nuk kemi dëgjuar më parë gjëra të tilla. Nuk dimë nga cili vend janë hedhur dhe ku kanë desantuar”.

http://www.panorama.com.al/dokumenti-atentat-i-deshtuar-ndaj-enverit-cfare-zbuloi-sigurimi-nga-pergjimet-e-diplomateve-per-banden-e-xhevdet-mustafes/

Më Shumë

Ancelotti shpallet trajneri i vitit

Trajneri i Real Madridit Carlo Ancelotti, është shpallur trajneri më i mirë i vitit. Ky çmim u nda nga FIFA, në ceremoninë që u mbajt...

SHMP “Lasgush Poradeci” shënoi Ditën e Shkollës

Shkolla e Mesme Profesionale “Lasgush Poradeci” në Kijevë organizoi sot një manifestim festiv me rastin e Ditës së Shkollës, ku mori pjesë edhe Kryetari...

Lajmet e Fundit