Tërheqja e lehtë e presidentit Thaçi nga insistimi i tij pamatur dhe i pakoordinuar me faktorin ndërkombëtar për avancimin e FSK-së në ushtri të Kosovës, insistim që u pa me shumë rezerva dhe u kritikua nga analistët politikë dhe të sigurisë, tani po vlerësohet si një pozicion në defensiv, i cili do t’i kushtojë shumë shtrenjtë në karrierën e tij të ardhme politike. Analistët politikë, madje vlerësojnë se presidenti i tanishëm i Kosovës do të mbetet në historinë e figurave politike të Kosovës si një nga presidentët më të dështuar dhe të izoluar, jo vetëm nga spektri i brendshëm politik, por tani edhe nga sjellja injoruese dhe izolimi ndërkombëtar, pikërisht për shkak të dështimit të tij në diplomaci dhe papjekuria politike, që kulmoi së fundi me insistim të anashkalimit të Kushtetutës në formimin e ushtrisë së shtetit.
Analisti politik, Florim Zeqa, thotë se veprimet e papjekura dhe të pamatura politike, mosqëndrueshmëria në veprime dhe mosmbajtja e fjalës së dhënë janë elemente, që e karakterizojnë Hashim Thaçin, figurën më kontroverse politike të pasluftës në Kosovë. “Pas urdhrit të Hashim Thaçit si kryeministër i vendit kokë në vete, dhënë Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës (ROSU) më 25 korrik 2011 për shtrirjen e sovranitetit në veri të vendit dhe tërheqjes pak orë më pas, ku e gjitha përfundoi me fatalitet, me djegien e dy pikave kufitare në veri dhe humbjen e jetës së policit Enver Zymberi, ndërsa veprimi i tij i fundit gjoja për transformimin e FSK-së në ushtri (për konsum të brendshëm politik) pa konsultim paraprak me spektrin politik vendor dhe ndërkombëtar, si dhe tërheqja e fundit nga insistimi i pamatur dhe i pakoordinuar me faktorin ndërkombëtar për avancimin e FSK-së në ushtri të Kosovës, e bëjnë Hashim Thaçin njërin prej figurave më të papjekura politike të Kosovës dhe presidentin më të dështuar në rajonin e Ballkanit, të izoluar jo vetëm nga spektri i brendshëm politik, por tani edhe nga sjellja injoruese dhe izolimi ndërkombë- tar, pikërisht për shkak të dështimit të tij në diplomaci, ku pasojat prapë do të jenë fatale, mosbërja me ushtrisë edhe për një kohë të gjatë dhe vazhdimi i izolimit ndërkombëtar të Kosovës”, theksoi ai.
Aventurë me pasoja
Analisti Ridvan Emini dëshiron të besojë se presidenti Thaçi me dërgimin e Projektligjit për shndërrimin e FSK-së në ushtri i ka testuar partitë politike sa janë të gatshme të votojnë një gjë të tillë, pikërisht kur dihet se pozita dhe opozita janë prej vitesh në një krizë të thellë, prandaj ky veprim, mbase ka qenë i qëllimshëm për të provuar, nëse politika kosovare mund të bashkohet për tema të mëdha të interesit nacional. Sido që të jetë, Emini thotë se synimi me seriozitet i transformimit të FSK-së në ushtri, pa koordinim me ndërkombëtarët, nëse ka qenë i tillë, mbetet një aventurë e dëmshme për presidentin e venit.
“Nëse presidenti një veprim të tillë e ka bërë me synimin e plotë për transformimin e FSK-së pa koordinim me SHBA-në dhe vendet e tjera mike, mendoj se ka bërë një hap të gabueshëm, i cili mund t’i kushtojë vendit, por edhe karrierës së tij politike, por nëse një gjë të tillë e ka bërë për të ‘matur’ gatishmërinë e partive politike, ai ka arritur të marrë një mesazh pozitiv. Një lojë e tillë mendoj se është mjaft e ndjeshme dhe si e tillë mund ta kthejë atë në një humbës. Por, se çfarë do të ndodhë më tutje, do ta kemi dëshmitar kohën”, tha analisti Ridvan Emini.