19.8 C
Prizren
E diel, 28 Prill, 2024

Ballin lartë e kurrizin drejtë

Nga Rexhep Qosja

Sllobodan Millosheviqi ka vdekur, e kanë dënuar faktorët ndërkombëtarë dhe e ka dënuar historia ballkanike. Por mënyrat e dhunës dhe terrorit të Sllobës nuk kanë vdekur: ato, ja, po përsëriten në Kosovë! Po i përsërisin ata që i kanë shërbyer regjimit të Millosheviqit, e fati i zi i Kosovës ka bërë që sot ata të sundojnë në Kosovë.

Mënyrat e dhunës e të terrorit psikologjik e policor që përdorte regjimi i Millosheviqit u panë pardje, dje e sot në Prishtinë. Pardje e dje u panë në përpjekjet e qeverisë që ta frikësojë popullin për të dalë në protestën paqësore të 28 Nëtorit kundër dy marrëveshjeve: kundër Marrëveshjes mbi krijimin e Bashkësisë së Komunave serbe – në të vërtetë të shtetit të ri të Serbisë në Kosovë dhe kundër Marrëveshjes për caktimin e kufijve të ri të Kosovës me Malin e Zi – në të vërtetë të faljes Malit të Zi një pjese të Kosovës.

Mënyrat e asaj dhune e terrori u panë posaçërisht sot më 28 Nëntor. Mbarimi paqësor i protestës së tri partive opozitare e shqetësoi qeverinë dhe e shqetësoi sepse ajo protestë masive tregoi se do të trashëgohej me protesta të reja kundër të njëjtave shkaqe dhe kundër shkaqeve të reja që e kanë bërë Kosovën plaçkë të zhvatur të klasës sunduese politike dhe vend pa kurrfarë shprese për jetë e ardhmëri të më tepër se gjysmës së popullit shqiptar të Kosovës.

Mënyrat e kësaj dhune e terrori u panë mbas përfundimit të kësaj proteste paqësore – u panë e na i përkujtuan terroret e policisë së Millosheviqit gjatë bastisjes së zyrave të selisë së një partie politike të Kosovës – të Vetëvendosjes.

U panë duke arrestuar në mënyra të egra aq protestues sa arrestoheshin në kohën e Millosheviqit.

Ato mënyra të dhunës e terrorit u panë në mënyrën e burgosjes së anëtarit më të ri të Vetëvendosjes: të ish avokatit të popullit, Sami Kurteshi.

Në mënyrë të veçantë këto mënyra të dhunës e terrorit u panë kur u arrestua vrazhdë, egër, urrejtshëm ish-kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti. Të pa setër veshur policia e futi në “maricën” e saj dhe të pa setër veshur policia e çoi në Pallatin e Drejtësisë! Ashtu arrestoheshin dikur ata që konsideroheshin armiq të Kosovës dhe ashtu, siç e thashë, arrestoheshin protestuesit që kërkonin lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Albin Kurti duhet të krenohet pamatshëm për fatin e tij të sotëm, për ballin lartë e kurrizin drejtë. Donika Kada Bujupi duhet të krenohet për fatin e saj të sotëm. Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli duhet të krenohen me fatin e tyre të sotëm. Qeveria e Kosovës, pushteti i Kosovës, duke e bërë fatin e këtyre dy djemve dhe të këtyre dy grave të tillë çfarë e bëri sot – të lavdishëm po tregohet pushtet i dhunës dhe i terrotit ndaj atyre që ia duan të mirën më të madhe Kosovës. Ky pushtet s’ka ardhmëri.

Partia Demokratike e Kosovës duhet sa më parë të shpëtojë nderin e trashëguar prej luftës së saj çlirimtare: duhet sa më parë, sa nuk është bërë vonë, sa nuk është përlyer politikisht e kombëtarisht përgjithmonë, të distancohet prej politikës që Kosovën e ka bërë shtet privat me polici private.

Kosova do ta tejkalojë krizën e madhe në të cilën është sot atë ditë kur kjo qeveri të shkojë ku e ka vendin: në plehun e historisë.

Më Shumë

Tentim vrasje në Dragash: Dyshohet se dhëndri e ka plagosur vjehrrin

Një tentim-vrasje ka ndodhur sot në Dragash. Dyshohet se dhëndri ka shtënë me armë zjarri në drejtim të vjehrrit të tij. Si pasojë ai ka...

“Beteja 3” në fundjavë

Fundjava pritet të jetë edhe më e ‘zjarrtë’ në basketbollin e Kosovës. Në këtë fundjavë do të zhvillohen ndeshjet e treta gjysmëfinale të “Play-offit” në...

Lajmet e Fundit