8.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

“Ballkani i zgjeroi kufijtë e tij, shkroi historinë e Kosovës”

Ballkani, ekipi kampion i Kosovës, të enjten mbrëma, regjistroi fitore historike 3-4 në fushën e turqve të Sivassporit, duke u bërë klubi i parë kosovar që regjistron fitore në një garë evropiane (Conference League).

“Goal.it” i ka kushtuar një shkrim kampionit kosovar, të cilin e ka ngritur në qiellin e shtatë: “Ky është një tjetër objektiv i madh i arritur nga një popull që dëshiron të njihet dhe ta ngre flamurin e tij në piedestalin e ‘Kontinentit të Vjetër’ edhe falë futbollit”.

Pasi është inkuadruar në ligën elitare kosovare pesë vjet më parë, klubi nga Suhareka, një qytet me 10 mijë banorë dhe 57 kilometra nga Prishtina, arriti ta fitonte titullin e parë dhe historik të kampionit të Kosovës.

Më pas, gëzimi i madh evropian: hap pas hapi, deri në fazën e grupeve të Conference League. U eliminua nga lituanezët e Zalgirisit në raundin e parë kualifikues të Champions, por Ballkani nuk u dorëzua dhe e tregoi veten në garën ku po merr pjesë tani.

Mposhti La Fioritan nga San Marino, Klaksvikun e Ishujve Faroe dhe Shkupin, nga fqinjët e Maqedonisë së Veriut. Me këtë rast, u bë klubi i parë nga Kosova që e prek fazën e grupeve.

Atje është duke e treguar po ashtu vlerën e tij: barazim kundër Cluj, humbje në fund nga Slavia Prague dhe një natë historike në Turqi, – shkruan “Goal”.

“Jo vetëm për mua, por për krejt futbollin e Kosovës: të luash në fazën e grupeve ishte një ëndërr e ndjekur gjithmonë. Është një premisë për futbollin tonë, i cili ka nxjerrë shumë lojtarë të nivelit të lartë, të cilët luajnë në top kampionate si në Serie A e La Liga”, – thoshte në muajin shtator për “Goal.it” kapiteni Armend Thaqi, i cili e realizoi një supergol.

“Ballkani është një klub nga Suhareka, një vend që e ka përjetuar tmerrin në luftën e Kosovës. Gjatë konfliktit, më saktësisht më 26 mars 1999, disa policë serbë kanë masakruar 48 persona aty, përfshirë edhe 14 vetë të moshës nën 15 vjeç, 46 prej tyre nga familja Berisha. Viktimat u futën në një piceri dhe aty ishin lëshuar dy bomba dore. Para se t’i largonte trupat nga piceria, policia kishte gjuajtir me armë në secilin që shihte që kishte shenja jete.

Trupat e viktimave më pas u transportuan në Serbi dhe u varrosën në varre masive në afërsi të një stacionit të policisë në Batajnicë, afër Beogradit, për t’u zbuluar më pas tri vjet më vonë. Ky ishte rasti i parë i krimit të luftës së Serbisë i zbuluar pas vdekjes së Millosheviçit”, zgjatet në artikullin e vet “Goal”.

Sot, Ballkani po e transformon hap pas hapi ëndrrën e klubit dhe të tifozëve të tij. Stadiumi në Suharekë mund t’i presë më së shumti 1500 tifozë dhe për këtë arsye skuadra e Ilir Dajës ndeshjes si vendës në garat evropiane i luan në Prishtinë, në stadiumin e quajtur “Fadil Vokrri”, ish-president i Federatës dhe legjendë e futbollit kosovar.

8 shtator 2022. Një ditë historike për Ballkanin dhe për lëvizjen e futbollit të Kosovës. Kjo ishte dita e debutimit në një kompeticion evropian, më saktësisht në fazën e grupeve. Në Prishtinë, në tokën e tyre, përpara tifozëve të tyre, shkruan “Goal”.

E më pas, 6 tetor 2022, nata e triumfit të parë. Për t’i fërkuar sytë. Një rezultat i jashtëzakonshëm për klubin që ishte themeluar në Luftën e Dytë Botërore, në vitin 1947, me emrin Rinia, para se ta ndërronte emrin në vitin 1965 pas blerjes së klubit nga kompania kimike e Suharekës.

Shumë vite në ligat më inferiore para debutimit në ligën elitare të Kosovës në vitin 1974. Më pas, në vitet e 90-ta vendimi për të mos vazhduar për të marrë pjesë në garat e organizuara nga ish-Jugosllavia dhe për të luajtur në ligën kosovare, që nuk ishte e njohur ndërkombëtarisht.

Më 2008, në vitin e pavarësisë së Kosovës, Ballkani u bë edhe zyrtarisht pjesë e ligës elitare të futbollit në shtetin e tij. Sezoni 2016/17 e përfaqëson një moment historik: mbi të gjitha falë Vokrrit, FIFA dhe UEFA e zyrtarizuan futjen e futbollit të Kosovës në kompeticionet ndërkombëtare, një shteti që sot njihet nga 98 shtete të Kombeve të Bashkuara.

“Jemi duke e përfaqësuar Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme që kur e kemi arritur këtë rezultat historik. Jemi krenarë që e kemi bërë këtë në atë që e konsiderojmë si vendit më të bukur në botë. Përpos futbollit, skuadra e jonë e ka demonstruar se meriton respekt të madh për atë që e kemi bërë në fushë”, përfundoi Thaqi për “Goal”.

Për gjashtë vjet, kampionati nacional i Kosovës i ka parë pesë fitues të ndryshëm. I fundit ishte pikërisht Ballkani, i cili pasi e fitoi titullin vendor, i ka zgjeruar kufijtë futbollistikë të Kosovës drejt një horizonti të ri.

Kualifikimi i parë, goli i parë, pika e parë, fitorja e parë, por me ndjenjën e pastër që nuk dëshiron të ndalet. Këtë e thotë edhe kapiteni Armend Thaqi.

Më Shumë

Hapet konkursi për Kryeshef Ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike “Hidroregjioni Jugor” në Prizren

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” SH.A. ka shpallur një konkurs publik për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv. Kjo pozitë ka përgjegjësi të rëndësishme në menaxhim...

Diplomon gjenerata e 59 e Policisë së Kosovës

Sot në sallën ‘1 Tetori‘ në Prishtinë diplomoi gjenerata e 59 e Policisë së Kosovës, në përbërje të komuniteteve të ndryshme. Këtë ceremoni solemne, me...

Lajmet e Fundit