7.8 C
Prizren
E enjte, 18 Prill, 2024

Ballkani i pantallonave të shkurtra

Ballkani-i-pantallonave-te-shkurtra-2-150x150“Lufta ka mbaruar, por jo brenda meje”. Slavomir, e thotë këtë fjali teksa duart e Safijes vazhdojnë të qëndrojnë mbi supin e tij, duke iu lutur të ngrihet. Tashmë lufta ka përfunduar dhe Slavomir, një i ri serb nuk mund të heqë nga mendja prindërit e tij, të cilët i la vite më parë për t’u martuar me Safijen, një myslimane boshnjake kundër dëshirës së tyre, të cilët donin një martesë me një të krishterë. Ai vjen çdo ditë pranë varrit të tyre, i dehur dhe qan… Kohë para luftës, dashuria mes Slavomirit dhe Safijes do të bënte të lumtur një tjetër grua, Halimen, e cila pas një martese të gjatë nuk mund të lindte fëmijë. Kur Safija mbetet shtatzënë, ajo përballet me dhunën e familjes së saj boshnjake, të cilët nuk mund ta pranonin kurrsesi një martesë me një të krishterë.

Ajo e lind fëmijën dhe ia jep për ta rritur Halimes, e cila tashmë ka një motiv për t’iu gëzuar jetës dhe martesës së saj. Lufta do të shkatërronte gjithë dëshirat e kësaj gruaje. Një mbrëmje ushtarët serbë vijnë dhe i marrin për t’ia pushkatuar burrin dhe djalin. Njëzet vjet pas përfundimit të luftës Halimja nis kërkimet e eshtrave të tyre. Pasi gjen eshtrat e të shoqit, tashmë asaj i duhet të gjejë ato të të birit, Mirzës. Por për këtë i duhet një analizë AND-je të cilën mund ta japë vetëm nëna e tij biologjike. Kështu, Halimja merr autobusin për të takuar pas kaq vitesh Safijen, e cila ishte martuar me Slavomirinj dhe jeton shumë larg familjeve të tyre në një fshat serb… Safija fillimisht ngurron të shkojë të japë gjak, pasi me këtë, do të mund të zbulohej sekreti që ajo i kishte mbajtur prej vitesh të shoqit, duke i thënë se i biri kishte lindur i vdekur…  “Rrugëtimi i Halimes”, filmi i regjisorit kroat, Arsen A. Ostojic, i cili fitoi kupën si filmi më i mirë i Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë i cili përgjatë një jave u mbajt në qytetin e Pogradecit, tregoi se “lufta në Ballkan nuk ka mbaruar”. Drama që ajo ka lënë tek ata mijëra njerëz që u përfshinë në të, ndihet ende dhe në kinemanë e këtyre vendeve. Rrugëtimi i Halimes është rrugëtimi i trishtuar i qindra grave boshnjake, të cilat vite më parë, u endën në kërkim të eshtrave të të bijve dhe burrave të tyre. Është një rrugëtim që vazhdon ende në shtëpitë e këtyre grave, ku burrat rrinë varur vetëm në fotografi në mur.

Aktorja kroate, Alma Prica, arriti të sillte një imazh të vërtetë të Halimes, një gruaje të vërtetë boshnjake, historia e të cilës e frymëzoi regjisorin Ostojic, të realizonte këtë film, i cili është tashmë fitues i 15 çmimeve ndërkombëtare, përfshirë këtu dhe çmimin e njohur “Grand Prix price” në Festivalin Mediterranean të Filmit në Moroco. Filmi është frymëzuar nga historia e vërtetë e një çifti boshnjak Zahida dhe Muharrem Fazli? nga një fshat në Bosnjën Perëndimore, ku Muharremi bashkë me të birin e adoptuar, Emirin, u ekzekutuan në masakrën në Cliffs Kori?ani më 1992. Zahidës iu deshën 12 vjet për të gjetur nënën biologjike të djalit, për të gjetur eshtrat e të birit përmes ADN-së. Nëna biologjike e Emirit ishte me banim në Zagreb, ndërsa motra e tij biologjike jetonte në Bosnjë, e cila ndryshe nga nëna u tregua e gatshme për të bërë testin e ADN-së për të gjetur eshtrat e vëllait. Përtej rrëfimeve për luftën, filmi sjell dhe një përplasje të hershme aktuale në këtë pjesë të Ballkanit, atë mes myslimanëve dhe të krishterëve, të cilët nuk i pranojnë ende martesat midis tyre…

Regjisori Ostojic, tregoi me këtë film se është një njohës i mirë i Ballkanit dhe se çdo rrëfim që nis nga e vërteta dhemb kur e shikon. Por “Halima” nuk ishte gruaja e vetme që tregoi në ekranin e Festivalit Ballkanik të Filmit, se të jesh grua në Ballkan nuk është ende e lehtë… Kinematografia maqedonase dhe ajo që erdhi nga regjisorët nga Kosova, sollën të njëjtin realitet. Maria në filmin “Agnus Dei” nga regjisori Agim Sopi nuk mund ta jetojë dashurinë e saj me “shkjaun”. Një lloj Edipi i kohëve tona, “Agnus Dedi”, solli historinë e Peterit, i cili është lindur nga lidhja dashurore që nëna e tij serbe ka pasur me një shqiptar.. Gjatë luftës ai vret të atin, Dinin, të cilin nuk e kishte takuar asnjëherë…. Duke mos dashur të bënte krime, Petri dezerton nga lufta. Ai e merr vajzën e Dinit, Marinë dhe ikin në male. Gjatë ikjes së tyre nëpër male ata ndiqen nga shqiptarët dhe nga serbët. Në rrugë ata bien në dashuri. Ata ia dalin të arrijnë në Serbi. Kur e kupton që e kishte vrarë babanë e tij, Petri bën vetëvrasje. “Në Ballkan nuk mund të ketë funde të lumtura, as dashuri”, do të shprehej në ditët e para të festivalit regjisori i ri maqedonas, Zharko Ivanov. Kinemaja ka qenë gjithnjë shprehja më e mirë e historisë së emancipimit apo rrugëtimit që ka pasur një popull. Përgjatë një jave në ekranin e kinemasë së qytetit të Pogradecit, filmat nga vende të ndryshme të Ballkanit, treguan se zemërimi është ende i pranishëm te fqinjët tanë dhe se plagët e së shkuarës ende nuk janë mbyllur…

Ballkani vazhdon të jetë vendi i kujtimeve, i mallit për njerëzit e dashur që i kemi pasur dikur, por edhe vendi i ëndrrave për të ardhmen… Për gati një javë, Ballkani “zbriti” në qytetin bregdetar të Pogradecit, i cili u kthye në një arenë të kinemasë. Artistë nga vende të ndryshme të Ballkanit sollën përvojën e tyre, përmes filmave të shfaqur në konkurrim. Por përtej konkurrimit, ky festival ishte dhe një debat mbi atë çfarë reflekton kinemaja sot, në kafet e thjeshta bri kinemasë së vjetër të qytetit, të veshur me pantallona të shkurtra këtë fillim shtatori. Rreth 60 filma garuan për çmimet kryesore të këtij edicioni, të cilat u ndanë të shtunën në një ceremoni ku mori pjesë dhe ministrja e ardhshme e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila dha dhe çmimin e parë. Presidenti i festivalit, aktori Mirush Kabashi e quajti këtë edicion një rritje të festivalit si nga cilësia ashtu edhe nga pjesëmarrja. Juria  e përbërë nga Andrea Görtler, Antoine Avignon, Jaromir Sofr, Pamela Cohn dhe Robert Pichler vlerësoi me çmimin e madh të festivalit filmin kroat “Halima’s Path” të regjisorit Arsen A. Ostojic. Çmimi i jurisë për filmin më metrazh të gjatë iu dha filmit maqedonas “Skopje Remix”, çmimi për skenarin më të mirë iu dha filmit rumun “Happiness Pill”, çmimi i dokumentarit më të mirë iu dha filmit maqedonas “Sound Seekers”. Çmimi i filmit më të mirë të metrazhit të shkurtër iu dha filmit “Column” i regjisorit kosovar, Ujkan Hysaj. Çmimi i dytë i filmit të shkurtër iu dha filmit kosovar “Wedding Tape” të regjisorit Ariel Shaban. Çmimi i tretë po i metrazhit të shkurtër iu dha filmit serb “Springtime Suns” të regjisorit Stefan Ivancic. Ndërsa çmimi i katërt në këtë kategori iu dha filmit shqiptar “Antena” të regjisorit Gentian Koçi. Fituesve iu dhurua kupa e festivalit e ideuar nga artisti Sofokli Koçi./shqip/

Më Shumë

Divorci Besi-Xhensila? Habit avokati: Ata po ndahen për pasuritë e Ilir Metës, kanë vila e prona miliona euro

Avokat Idajet Beqiri teksa ka komentuar ndryshimin e stilit të jetesës së kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka theksuar se edhe aktori...

Rike Roçi i jep fund lidhjes: Mbaroi sapo dola

E ftuar në ‘Wake Up’ mëngjesin e sotëm ishte Rike Roçi, e cila është eliminuar së fundmi nga formati më i ndjekur ‘BBV3’. Ajo ka...

Lajmet e Fundit