5.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Ndalohet shërimi i pacientëve!

Rezart PalluqiRezart Palluqi
Pacientia Shqipe sapo mori ilaçet e tjera për të qeshur si budallaqe. E kam fjalën nga ajo e qeshura e shfrenuar që nuk buron nga kënaqësia shpirtërore, as paqja me vetveten, por përkundrazi nga fakti i të qenit një pacient pa datë skadence. Pacientia Shqipe ka të paktën dhjetë shekuj që shkon në klinikën e saj të preferuar psiqike. Ajo i beson si gjithnjë psikologëve dhe psikiatrëve shqiptarë. Edhe kur klinika u mor përsipër nga një pronar otoman, Shqipja nguli këmbë që atë ta trajtojnë dhe kurojnë specialistët shqiptarë.

Bëhet fjalë për një klinikë psiqike ku pacienti nuk kurohet me ilaçe,madje ato ndalohen rreptësisht. Është pra, nga ato klinikat e rralla psiqike,ku pacienti ndalohet të shërohet. Vizitat dhe kurot janë gojore, dhe kanë natyrën e ngushëllimit, të shkrehësh vajin.
Shqipja pra mund të shkrihet në lot, të shkojë në shtëpi, dhe sapo lotët të shpërthejnë për të miliontën herë në kapakët e syve, ajo mund të rendë çdo orë, çdo minut drejt klinikës, sepse atje e pret gjithnjë një psikolog ose psikiatër i dhimbshëm, në shpatullat e të cilëve ajo mund të qajë orë të tëra, derisa lotët t’i shteren plotësisht.
-Qaj, shpirt, qaj, se e qamja të bën mirë! Qaj për shekuj e mos ki turp!- e ngushëllon me një ëmbëlsi të djallëzueshme psikiatri shqiptar.

Do ishte e padrejtë të mos përmendnim se në këtë klinikë punësohen specialistë të llojeve të ndryshme, si: historianë, arkeologë, gjeologë, bankierë, shkrimtarë me famë brëndashqiptare dhe jashtshqiptare, famë botërore, këngëtarë, skulptorë etjer etjer.
Do më pyesni ju, po ç’i duhen një klinike psikiatrike këta profesionistë?
He, he, njerëz të dashur! Kemi të bëjmë me një klinikë të llojit të rallë, që bazohet në metoda shkencore kuruese krejt të ndryshme.
Prandaj edhe thashë më sipër, se ilaçet kuruese i ndalohen rreptësisht zonjës Shqipe. Ndihma që i ofrohet asaj ka natyrë ngushëlluese, dhe ngushëllimet kanë pra natyra të ndryshme.

Gjatë çdo shtrëngate lotësh Shqipja ngushëllohet prej një specialisti të ndryshëm.
Dje ajo u shkri në lot përpara një arkeologu. Ky i fundit jo vetëm i ofroi shpatullën e tij të gjërë për të mbështetur fytyrën e përlotur, por i foli edhe gjatë për eshtrat heroike të stërgjyshërve të saj legjendarë,si skeletin e Teutës, mbretit Agron, Skënderbeut, Nënë Terezës etjer.
-Qaj Shqipe e mos ki turp, se je pasardhësia e burrave legjendarë që i ka zili e tërë bota.
Shqipja më në fund qesh pakëz. Buzëqeshja e saj tretet si një grusht miell kur e derdh në gjirin e gjërë të një lumi.
Herët e tjera Shqipja përkrahet me dhimbshuri atësore prej skulptorëve, të cilët arritën deri aty saqë lotët e saj i derdhën në bronx dhe allçi.
Historianët, kur ajo qan, i thonë: Ah, Shqipe, grua me zemër të madhe, të dhimbshme dhe fatkeqe. Sa keq që ta kanë helmuar armiqtë zemrën. Ah serbët, grekët, italianët, gjermanët, amerikanët revizionistë të poshtër. Hë më i dënoftë zoti ishalla!
Historianët i kanë fotografuar dhëmbët e armiqve në trupin e Shqipes dhe varur ato në muret e klinikës.
Kur Shqipja i pyet: a do më kafshojnë përsëri ata, historianët i përgjigjen: Po, po, fatkeqësisht po, por ti mos u tmerro,sepse sa herë që ke nevojë të vajtosh, ne jemi këtu…

Pak a shumë e njëjta gjë ndodh edhe kur Shqipja konsultohet me shkrimtarët. Kohët e fundit ajo beson vetëm një shkrimtar, i cili ashtu si historianët, pohon se plagët e shqipes u hapën prej armiqve të huaj dhe se shqiptarët janë engjëj, dhe rrallë herë e kanë kafshuar atë.
Kafshimin e kobrës Hoxha ai e quajti kafshim grerëze.
-Përndryshe do kishe vdekur. Mbijetove sepse lexove librat e mi!- i thotë ai.
Edhe ai, nuk ka ilaçe për të.
Ajo mund të qajë para tij fort, në fund ai i shet asaj librin e fundit me çmim të plotë, si edhe këtë radhë, dhe ia mbath.

E njëjta gjë ndodh edhe me bankierët.
Një ditë ndërsa ajo po vinte në klinikë(viti 1997) i grabitën portofolin. Qëlloi që atë ditë ajo do trajtohej prej bankierëve.
-Edhe ne na e vodhën oj Shqipe portofolin. Nuk je ti e vetme,kështu që e vetmja gjë që ne mund të bëjmë është të qajmë. Atë ditë, qanë edhe bankierët sëbashku me të. Shqipja,e mallëngjyer nga dhimbshuria e tyre, i falenderoi dhe e harroi plotësisht grabitjen e portofolit.

Kishte momente që Shqipja e humbiste besimin tek klinika psikiatrike shqiptare, sepse, siç e tha edhe ajo mençurisht: nuk shtyhet jeta duke ia bërë me gisht të tjerëve e larë prehërin apo fytyrën me lot.
Kështu, ajo mendoi ta provonte një herë me një psikiatër të huaj, por klinika shqiptare refuzoi kategorikisht.

Shqipja, sidoqoftë nuk u dorëzua,dhe arriti fshehurazi të siguronte një numër telefoni të një klinike evropiane. Në mënyrë sekrete ajo planifikoi dhjetë takime me dy psikologë dhe psikiatra evropianë.
Ç

’ndodhi thoni ju me Shqipen?
Psikiatrit evropianë, gjëja e parë që bënë ishte: i dhuruan Shqipes një pasqyrë dhe i propozuan asaj të qante para saj. Shqipja refuzoi ta bënte këtë. Kur ata i bënë të ditur diagnozën e sëmundjes, ajo iu gërhush atyre me urrejtje.
-Ky ishte takimi i fundit me ju. Të keqen e psikologëve shqiptarë. Ata as nuk më qortojnë, as nuk tregojnë se sa të mëdha i kam plagët, prej se vuajnë ato, dhe nëse shërohen apo jo. Mbi supet e tyre mund të qaj sa herë të dua dhe kur të dua, ndërsa ju më prrallisni,se po të qaj duke mbajtur pasqyrën para fytyrës,e qamja do rrallohet shpejt dhe në një afat kohe më të gjatë, mund të shndërrohet në të qarë natyrale.

-Përse na thirre atëherë? Sikur na the se dëshiroje të shëroheshe?- pyetën specialistët e huaj.
Atyre nuk iu desh të prisnin përgjigjen e Shqipes, sepse ndërsa ajo heshti, njëri prej tyre shfletoi protokollin e kurimit të klinikës, të cilin Shqipja gabimisht e kishte harruar mbi tryezën e ngrënies. Falë njohurive të shqipes që psikiatri zotëronte, lexoi aty: në këtë klinikë ndalohet shërimi i pacientëve!

Më Shumë

Mira Murati, anëtarja më e re e Akademisë së Shkencave

Shqiptarja Mira Murati, një nga emrat më të njohur në botën e teknologjisë, do të jetë pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Asambleja e...

Kryesuesja e Kuvendit të Prizrenit thërret  seancë të jashtëzakonshme

Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Antigona Bytyqi, ka ftuar të gjithë anëtarët e Kuvendit   në një seancë  të  jashtëzakonshme. Seanca mbahet të martën,...

Lajmet e Fundit