Nga viti 2013 filmi “Ballkoni” i regjisores Lendita Zeqiraj, ku pati premierën botërore në Venedik, e deri më sot, numëron 65 festivale ndërkombëtare të filmit,në të cilat tashmë ka qenë pjesëmarrëse, dhe 30 përqind prej tyre janë festivale të kategorisë A dhe B, sikurse edhe në festivale që janë kualifikuese për çmimin “Oscar”. Disa nga festivalet më të rëndësishme ku filmi ishte pjesëmarrës janë: Varshava, Venediku, EFA, Palma Springs, Busan, Selanik, Triesta…,mirëpo, qershia mbi tortë duket të mbetet festivali ku e nisi rrugëtimin ky film, që konsiderohet të jetë më i suksesshmi në kinematografinë kosovare, pasi që, festivali i Venedikut në regjistrin e tij do të mbaj si filmin e vetëm shqiptar që është shfaqur ndonjëherë në këtë festival, deri sa të thyej akullin ndonjë film tjetër në vitet e ardhshme.
Lendita Zeqiraj: Filmi është cilësuar si një arritje shumë e madhe kinematografike
Lendita Zeqiraj, regjisorja e filmit, për KultPlus tha se gjithë këtë sukses të filmit nuk e kishte menduar asnjëherë.
“Nga 65 festivale, 20 prej tyre janë të kategorisë A. Është një sukses që nuk e kemi pritur, një sukses kaq të madh por, si duket është veçantia e filmit, duke filluar nga tema që është e trajtuar në mënyrën tragjiko-komike, temë aktuale e ditëve të sotme, pastaj filmi nuk ka të bëjë me luftën dhe për luftën, filma që kanë parë deri më tashti nga Kosova. Dhe, veçantia tjetër është edhe trajtimi në aspektin teknik që ka pas filmi, është me një plan sekuencë”, ka thënë Zeqiri, sipas të cilës, filmi në të gjitha pjesëmarrjet kishte marr komente pozitive.
“Filmi është cilësuar si një arritje shumë e madhe kinematografike, me një origjinalitet dhe me një mënyrë shumë të veçantë të trajtimit origjinal të gjithë asaj që është paraqitur në film. Është cilësuar si arritura më e madhe e filmit të shkurtër me një plan sekuencë. Tërë kohën jam befasuar dhe jam kënaqur, ky ka qenë një konfirmim shumë i madh i punës dhe është sigurisht një shtytje që pikërisht këtë lloj stili ta përvetësoj dhe ta mbaj edhe për punët e së ardhmes”, u shpreh Zeqiraj.
Bujar Kabashi: “Ballkoni”, e promovoi edhe Kosovën nëpër Botë
Por jo me më pak emocion është duke e pritur prezantimin e këtij filmi në edicionin e XIII të Festivalit të Filmit Dokumentarë dhe atij të Shkurtë “DokuFest”, ku filmi “Ballkoni”, do të shfaqet të enjten, në kategorinë e filmave ballkanik.
“DokuFesti për mua është një kënaqësi shumë e madhe, shumë i veçantë. Filmi “Ballkoni”, është xhiruar në Suharekë, është përkrahur nga komuna e Suharekës, nga kryetari i atëhershëm Blerim Kuqi. Shumë prej ekipit kanë qenë vendas, dhe tani “Ballkoni” po i kthehet vendlindjes. Pas tërë këtij udhëtimi, mbi 65 festivale pjesëmarrëse, tani “Ballkoni” do të mund të shihet edhe nga vendasit”, tha në fund, regjisorja e filmit “Ballkoni”, Lendita Zeqiraj.
Ndërsa producenti i filmit, Bujar Kabashi tha se filmi përveç që është prezantuar në shumë vende të botës, ky film edhe e ka promovuar shtetin e Kosovës.
“Puna e punëtorëve të filmit nuk është vetëm të bëjnë gjëra të bukura, por edhe ta promovojnë filmin dhe shtetin. Ne kemi filluar nga Venediku, dhe kemi bërë një rrugë shumë të gjatë, dhe ka qenë mënyra më e mirë e promovimit, jo vetëm e filmit por edhe e shtetit, dhe kjo duhet të jetë qëllimi kryesor i produksionit dhe i tërë filmit”, tha Kabashi./KultPlus.com