20.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Bamieh padit EULEX-in

Marie Bamieh-prokurorePër 15 vjet me radhë, misionet ndërkombëtare kanë ardhur në Kosovë me të vetmin qëllim: që të mësojnë kosovarët se si të ndërtojnë shtetin, bazuar në praktikat më të mira evropiane. Rasti i Bamiehs, që në botë njihen si “whistleblower”, paraqet një test nëse këto standarde do të zbatohen nga EULEX-i.

Ish-prokurorja ka vazhduar akuzat për EULEX-in dhe detaje për pretendimet e saj. Ajo, në një intervistë për KTV-në, ka treguar se ka marrë këshilla nga Qeveria britanike për të mos ardhur në Prishtinë.

“Ndjehem e kërcënuar nga EULEX-i. Ata po provojnë të më dëmtojnë. Tash sigurisht edhe po më përcjellin. Po përdorin arsyetimin se duke folur me media, në njëfarë mënyre, po e vë veten në rrezik. Unë nuk jam kërcënuar nga askush, pos nga ata. Kam marrë një letër nga Qeveria ime që thotë se nuk duhet të kthehem në Kosovë, sepse do ta vë veten dhe të tjerët në rrezik”, ka thënë Bamieh në intervistën për KTV-në.

Bamieh ka treguar versionin e saj të ngjarjes, për të cilën ka raportuar KTV-ja, ku këshilltari politik i EULEX-it, Christian Ramet, ka shkuar për të ndjekur ligjëratën e saj në Ghent të Belgjikës.

“EULEX-i është gjithmonë i mirëseardhur të marrë pjesë në ligjëratat e mija. Madje, mund të mësojnë diçka. Çka nuk më pëlqeu është fakti se ishte bërë në mënyrë mashtruese, sepse ai nuk e prezantoi veten si pjesëtar i EULEX-it aty kur mori pjesë. Ishte e qartë se ai u dërgua sepse vazhdimisht po merrte shënime. Kjo në fakt tregon kush në të vërtetë është EULEX-i”, ka thënë më tej Bamieh, transmeton Koha.net.

Ish-prokurorja, që ka shërbyer në EULEX për gjashtë vjet, pretendon që edhe shefi i ri, Gabriele Meucci, me të ardhur në Kosovë tentoi të ndalojë hetimin ndaj Francesko Florin. Por kjo nuk u bë, thotë ajo, vetëm për shkak të presionit publik.

“Ai dërgoi një e-mail te stafi që po hetonte rastin. Njerëzit e kanë parë këtë e-mail dhe më kanë treguar. Aty ai kërkoi që hetimi ndaj Francesko Florit të ndërpritet, duke thënë se unë jam e çmendur dhe më duhet ndihmë psikiatrike që kam bërë pohimet. Nëse dikush vjen me sjellje të tillë në mision dhe pastaj del në një konferencë për media dhe thotë se ‘ne jemi duke e hetuar rastin dhe ju duhet t’i besoni EULEX-it’, më thoni si mund t’i besojmë kur ai diçka tjetër thotë e ndryshe vepron”, thotë Bamieh.

Zëdhënësja e EULEX-it, shkurt dhe prerazi, përmes telefonit ka thënë për KTV-në se “nuk dëshirojnë të komentojnë” për këtë.

Bamieh nuk e di se ku është procedura ndaj saj, por tregon se asnjë provë nuk ka për arsyet e suspendimit të saj.

“Është e pabesueshme se si një organizatë që mbron sundimin e ligjit, ta suspendojë dikë pa asnjë fakt të vetëm. Ata më kontrolluan kompjuterin tim, telefonin, zyrën, por nuk gjetën asgjë. Arsyeja pse nuk gjetën asgjë është se ato dokumente nuk rrodhën nga unë. Pastaj, për të mbuluar veten, ata shpikin një dëshmitar të fshehtë, pjesëtar të stafit, i cili nuk ka emër e mbiemër në atë raport, por që thotë se Vehbi Kajtazi i tha asaj se unë isha burimi, që është një shaka”, shprehet ajo.

Për gjithë këto çfarë i kanë ndodhur, Maria Bamieh ka vendosur ta padisë EULEX-in në gjykatat e BE-së.

“Do t’i dërgoj në Gjykatë për viktimizim të informatorëve, shpifje për mua dhe do të shohim çfarë do të ndodhë. Besoj se hapat e parë do t’i ndërmarrim para Gjykatës së Përgjithshme në Bruksel, por mund të jetë edhe në Luksemburg. Këtë ua kam lënë avokatëve të mi”, ka deklaruar ish-prokurorja e EULEX-it, Bamieh.

Ajo beson se prapa pohimeve se fshehu informata në rastin e shpërthimit në lokalin “Sekiraça”, qëndron Jonathan Ratel. Thotë se ai ka vënë në lajthitje prokurorin, duke i dhënë dy deklarata nga një rast tjetër, por beson që gjithçka do të sqarohet gjatë shqyrtimit kryesor.

Më Shumë

Ylli fiton duelin e parë gjysmëfinal në ‘Karagaçi’

Golden Eagle Ylli ka fituar duelin e parë gjysmëfinal, duke mundur Pejën si mysafir me rezultat 84:87 (22:23, 19:19, 30:15, 13:30). Kampionët kishin epërsi deri...

“El Clasico” zhvillohet sot në basketbollin kosovar

Sigal Prishtina dhe Trepça do të ballafaqohen sot në kuadër të playoff-it të gjysmëfinaleve në Prince Caffe Superligën e Kosovës në basketboll. Duelin e parë...

Lajmet e Fundit