Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka vlerësuar se përgjigjja e Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e kryeparlamentarit mund ta kthejë çështjen në pikën zero.
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka thënë se vendimi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për të çuar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e kryeparlamentarit, është e drejtë legjitime por, sipas tij, më këtë veprim kjo parti pretendon të blejë kohë për t’i bërë numrat në Kuvendin e Kosovës. “Në radhë të parë e shoh si një të drejtë legjitime të një subjekti politik kur mendon dhe konsideron se diçka nuk është në rregull dhe në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit nga një subjekt tjetër politik. Këtë veprim e shoh edhe si tentativë për të blerë kohë më tepër për të pasur mundësi t’i krijojë numrat në Kuvendin e Kosovës. E shoh pse jo edhe pa e mohuar qëllimin që vërtet Gjykata Kushtetuese ta vërtetojë se cili nga taborët ka të drejtë ta konsiderojë veten grupi më i madh parlamentar”, ka thënë Baraliu për “Epokën e re”.
Duke folur për vendimin që mund ta jap Gjykata Kushtetuese për seancën konstituive të Kuvendit, Baraliu ka thënë se përgjigjja e kësaj gjykate mund ta kthejë çështjen në pikën zero. “Nuk mund ta paragjykoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por gjykuar në bazë të verdiktit të kësaj gjykate lidhur me mandatarin për formimin e qeverisë, mendoj se do të ketë përafërsisht ose saktësisht në frymën e kësaj një përgjigje e cila ndoshta mund ta kthejë çështjen fare në fillim, në pikën zero. Kjo mund të kushtojë shumë dhe mund të çrregullojë shumëçka në aspektin e funksionimit të shtetit siç është çështja e buxhetit dhe të tjerat që mund të zvarriten deri në pakufi, pastaj të shkaktohet krizë”, është shprehur Baraliu. Sipas tij, ka shumëçka shqetësuese në qoftë se rrjedhat nuk shkojnë rrugës së duhur drejt konstituimit të institucioneve të reja. Por, Baraliu ka thënë se është e nevojshme të bëhet interpretimi i duhur i Kushtetues dhe dispozitave të saj, në mënyrë të mos ketë interpretim politik. “Të mos bëhet interpretim politik, por interpretim juridik kushtetues sepse ajo është gjykatë e drejtësisë kushtetuese. Po ashtu, do të duhej pasur parasysh edhe dispozitat e tanishme që janë relativisht të qarta kësaj radhe dhe mund të nxirret konkluzion se mandatari për shembull, herën e parë t’i jepet partisë që ka marrë më së shumti vota nga zgjedhjet e fundit, kurse herën e dytë mos t’i jepet së njëjtës parti me një kandidat tjetër sepse është iluzore dhe gati e pakuptimtë. Mirëpo t’i jepet koalicionit paszgjedhor në mënyrë që ta provojnë mundësinë të dyja taboret dhe ai që ka fuqinë më të madhe politike në aspektin e ulëseve në Kuvend i merr votat dhe shkohet përpara”, ka deklaruar ai.
Baraliu nuk e ka hedhur poshtë edhe mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për tejkalimin e kësaj situate. “Ka mundësi edhe për zgjedhje të jashtëzakonshme. Ndoshta arma e fundit që pretendohet nga njëri prej taborëve politikë është që, nëse nuk realizohen qëllimet parësore të tyre, atëherë të pamundësohen qëllimet e taborit tjetër, në mënyrë që vendi të çohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe si rezultat të mos fitojë askush, por të humbin të dyja palët”, ka thënë Baraliu, duke shtuar se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme nuk i konvenon asnjë partie politike. “Për asnjë subjekt politik zgjedhjet e reja nuk janë të dobishme, prandaj do të ishte mirë që të gjithë ta kenë këtë parasysh. Për interesa të vendit duhet të kursehet buxheti dhe populli nga zgjedhjet e jashtëzakonshme në mënyrë që të mos shkaktohet më shumë dëm për interesa të grupeve politike, për të cilat në plan të parë janë interesi politik e partiak, pastaj interesi shtetëror e popullor”, ka theksuar ai. Në këtë kontekst, Baraliu ka thënë se në skenën politike më tepër po ka vardisje dhe vrap në relacion me pushtetin drejt pushtetit sesa për shtetin, konstituimin e tij dhe mbarëvajtjen e institucioneve. “Edhe pushtetin edhe opozitën duhen kuptuar si diçka normale, sepse në demokraci nuk është e thënë se gjithmonë dikush ta marrë dhe ta mbajë me tapi pushtetin ose të tjerët të pretendojnë se në forma të ndryshme jolegjitime dhe jodemokratike të vijnë në pushtet. Duke i pasur parasysh të gjitha këto rrethana, të dy taborët duhet t’i lëshojnë vend formimit të institucioneve dhe ta kenë parasysh shtetin dhe interesat e shtetit dhe të qytetarëve, e jo të pushtetit me çdo kusht dhe privilegjet dhe interesat që sjell ky pushtet”, ka vlerësuar Baraliu.
Kurse sa i përket seancës konstituive të 17 korrikut, ai ka thënë se ka pasur shkelje të procedurave dhe si e tillë ka lënë shumë për të dëshiruar. “Ka pasur shumëçka për të dëshiruar, ka pasur shkelje procedurale dhe shkelje që kanë qenë fillimisht nga koalicioni i partisë në pushtet, pastaj ka pasur disa veprime që mund të merren si të diskutueshme më tutje në rrjedhën e kësaj seance konstituive. Marrë në përgjithësi, nuk mund të jepet një vlerësim i gjithëmbarshëm dhe meritor para se të bëhen analizat dhe t’i kemi në dispozicion të gjithë indikatorët për të bërë analiza të plota dhe studimore”, ka deklaruar Baraliu, duke shtuar se vlerësimi i kësaj seance, para se të vijë një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese, është i parakohshëm ose paragjykim.