10.8 C
Prizren
E martë, 26 Nëntor, 2024

Bizneset kundërshtojnë mbylljen nga vendosja e masave nëse nuk mbështeten financiarisht nga Qeveria e Kosovës

Oda Ekonomike e Kosovës dhe Shoqata e Gastronomëve kanë kundërshtuar çdo vendim për mbyllje të mëtutjeshme të bizneseve, nëse ato nuk subvencionohen dhe mbështeten për mbulimin e dëmeve të shkaktuara nga pandemia COVID-19.

Gastronomët në një mbledhje të jashtëzakonshme, kanë kërkuar nga institucionet që të mos marrin vendime që i dëmtojnë bizneset.

Ata kërkojnë që të përfshihen në Pako, siç është subvencionimi i pagave, qirasë dhe pagesën e interesave të kredive. Në të kundërtën, sipas tyre, do të ketë marrje të masave radikale, siç janë protestat.

“Ne si Shoqatë pas të gjitha diskutimeve me anëtarët, së bashku me biznese të ndryshme të cilat do të preken nga Vendimi i radhës, njëzëri kemi rënë dakord, që në rast se vendimet e ardhshme për mbyllje nuk do të subvencionohen apo mbështeten me plane konkrete strategjike për mbulimin e dëmeve, dhe Pako për subvencionim të linjave të pagave të punëtorëve, subvencionim të shpenzimeve të qirasë, ndihmesë në pagesën e interesave të kredive, ndarjen e granteve që stimulojnë qarkullimin në gastronomi, zotohemi që do të kundërshtojmë çdo vendim për mbyllje të mëtutjeshme ose shkurtim orari, në çdo formë të mundshme, përfshirë edhe ato radikale, mos mbylljen e lokaleve, apo edhe protesta”, thuhet në reagimin e gastronomëve, përcjell Telegrafi.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi me anë të një shkrimi në Facebook, ka thënë se po rritet rezistenca e bizneseve pas paralajmërimeve për mbyllje pa siguruar asnjë mbështetje financiare.

Rukiqi thotë se përveç gastronomisë ka pranuar ankesa edhe nga sektorë të tjerë, që kundërshtojnë një mbyllje të serishme, ndërsa këtë javë e ka quajtur si vendimtare për mosdërgimin e ekonomisë në kolaps.

“Është javë vendimtare për mosdërgimin e ekonomisë në kolaps. Për rimëkëmbje as nuk diskutohet. Tani para rimëkëmbjes duhet të sigurohet mbijetesë”, ka shkruar Rukiqi, përcjell Telegrafi.

Sipas KMDLNJ-së, mbyllja e bizneseve pa miratim të Pakos për Rimëkëmbjen Ekonomike është hap drejtë anarkisë dhe falimentimit të tyre.

“KMDLNJ e kundërshton çfarëdo kufizimi të bizneseve, pa asnjë dallim, nëse Qeveria e Kosovës nuk ofron kompensim të arsyeshëm për humbjet që i pëson biznesi gjatë mbylljes apo kufizimit. Deri më tani Qeveria nuk e ka bërë këtë dhe në këtë mënyrë po bëhet varrmihëse e shumicës së bizneseve sikur edhe varfërimin e qytetarëve të Kosovës”, thuhet në reagim, përcjell Telegrafi.

Po ashtu, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti në profilin e tij në Facebook, ka njoftuar se Qeveria ka rekomanduar që kryeqyteti të mbyllet për një javë.

Ahmeti ka kërkuar fleksibilitet për veprimtaritë biznesore, pasi sipas tij, mos ofrimi i ndihmës nga Qeveria do të ishte fatale për to.

“Kemi kërkuar që të jemi më fleksibil edhe me biznese për shkak se në kohën kur nuk ka ndihma apo infuzion të parave në ekonomi nga Qeveria edhe një goditje pak më e gjatë do të jetë fatale për to, por rrjedhimisht edhe për shëndetin të cilin e kemi primar”, ka shkruar Ahmeti, përcjell Telegrafi.

Në fundjavën që shkoi, në Kosovë ka qenë e ndaluar veprimtaria e të gjitha subjekteve afariste, me qëllim frenimin e përhapjes së virusit COVID-19. Po ashtu, kanë qenë të mbyllura edhe qendrat tregtare dhe rekreative dhe subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë në të gjithë territorin e Kosovës.

Bizneset në Kosovë, për të mbajtur punëtorët në punë dhe për t’i rikuperuar humbjet nga pandemia, janë ndihmuar nga Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike i Qeverisë së Kosovës në vlerë prej 60 milionë euro, por ato janë vlerësuar si të pamjaftueshme nga vetë bizneset. /Telegrafi/

Më Shumë

Sot nis turneu ndërkombëtar ‘Adem Jashari’

Federata e Boksit e Kosovës (FBoxK) do të organizojë turneun e 26-të ndërkombëtar “Adem Jashari”, i cili do të nis sot pasdite në Pallatin...

Kosova kundër Islandës në Play-Off për Ligën B të Ligës së Kombeve

Kombëtarja e Kosovës do të përballet me Kombëtaren e Islandës në muajin mars të vitit 2025, në kuadër të play-off-it për promovim në Ligën...

Lajmet e Fundit