17.2 C
Prizren
E shtunë, 25 Prill, 2026

Bllokohet Trusti, u skadon mandati gjithë anëtarëve të Bordit

Nga data 1 mars 2023, Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës do të jetë jofunksional, pasi iu skadon mandati gjithë anëtarëve të Bordit.

Pesë nga shtatë anëtarëve të këtij Bordi, u kishte skaduar mandati më 30 nëntor të vitit të kaluar derisa më 1 mars u skadon edhe ai i vazhdimit të drejtpërdrejt prej 90 ditëve, sipas ligjit në fuqi.

Ndërkohë, dy anëtarëve tjerë u ishte skaduar mandati në shkurt 2021 dhe të njëjtin muaj të vitit 2022, e të cilët nuk ishin zëvendësuar asnjëherë.

Gjendjen për “teve1”, e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i këtij institucioni, Jeton Demi.

“Pesë anëtarëve të Bordit Drejtues, aktualisht në detyrë (katër anëtarë profesionalë dhe një anëtar përfaqësues), iu ka përfunduar mandati i rregullt më 30 nëntor 2022; por meqë askush nuk është emëruar nga Kuvendi i Kosovës deri në atë datë, mandati i këtyre pesë anëtarëve vazhdon automatikisht (sipas legjislacionit në fuqi) edhe për 90 ditë kalendarike. Si rrjedhim, mandati i këtyre pesë anëtarëve skadon përfundimisht më 28 shkurt 2023 dhe pas kësaj date (prej 1 marsit 2023) FKPK-ja nuk do të ketë Bord Drejtues funksional. Përveç këtyre pesëve, dy anëtarëve të tjerë u kishte skaduar mandati më parë (shkurt 2021 dhe shkurt 2022) dhe nuk ishin zëvendësuar”, tha Demi për teve1

Sipas tij, me skadimin e mandatit edhe të pesë anëtarëve, nga data 1 mars 2023, Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës nuk do të ketë mundësi të marr asnjë vendim sa i përket investimit të mjeteve pensionale për investim, tërheqje ose lëvizjen e mjeteve pensionale.

“Me skadimin e mandatit të të gjithë anëtarëve të Bordit Drejtues, prej datës 1 mars 2023 FKPK-ja do ta ketë të pamundur të ndërmarrë çfarëdo vendimi rreth investimit të mjeteve pensionale për investimin, tërheqjen ose lëvizjen e mjeteve pensionale meqë është përgjegjësi ekskluzive ligjore e Bordit Drejtues. Kjo mungesë është shumë serioze për institucionin, e ndërlidhur drejtpërdrejt me përgjegjësinë e Bordit Drejtues të FKPK-së ndaj sigurisë së mjeteve pensionale. Andaj, FKPK-ja ka nevojë emergjente ta ketë Bordin Drejtues funksional”, ka thënë ndër të tjera Demi.

Zëdhënësi i Trustit Jeton Demi po ashtu ka shtuar se për të shtatë pozitat e Bordit Drejtues, sipas kërkesës së Komisionit Përzgjedhës, është hapur konkurs më 2 dhjetor 2022 deri më 23 dhjetor 2022.

Mirëpo sipas tij, pas përfundimit të konkursit, lista e kandidatëve dhe dokumentacioni përcjellës i është dorëzuar Komisionit Përzgjedhës, për të cilën ky institucion nuk ka më përgjegjësi e as të drejtë ndërhyrje dhe se procedurat tjera varen vetëm nga Kuvendi i Kosovës.

 

Më Shumë

Bilanc interesant i përballjeve direkte mes Bashkimit dhe Borës

Bashkimi i Prizrenit e pret sonte Borën nga kryeqyteti në kuadër të serisë gjysmëfinale të play off-it në elitën e basketbollit kosovar. Portokallinjët dhe prishtinasit...

Suhareka Boys fitues në Alley Oop-in e radhës

Gara e radhës në Alley Oop është mbajtur të dielën në Suharekë. Në këtë garë shumë interesante kanë marrë pjesë shtatë ekipe, duke dhuruar spektakël...

Lajmet e Fundit