11.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Bota do pështillet në lëmshin e Trumpit për shumë vjet

Revista politike “Der Spiegel” ka vlerësuar në një analizë të gjatë se Donald Trump Jr nuk dëshiron që t’i prishet humori i mirë. Pavarësisht se ka re të zeza në horizont dhe ka të dhëna që tregojnë se shumica e amerikanëve nuk e duan babanë e tij edhe një mandat në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ai ende beson se gara mund të fitohet.

Akuza të pabaza

Trumpi i ri po qëndron në një podium në kampusin e një kolegji shtetëror në Pennsylvania. Ai flet me mahnitje për vendosmërinë e tij për t’u dalë kundër rrjedhave edhe atëherë kur dikush mund të mendojë se gjendja nuk mund të përmbyset, shkruan gjermania “Spiegel”. Jashtë janë qindra mbështetës të presidenti amerikan. Ai hedh shikimin lart sipër kokave të atyre që janë në pritje. Sheh se në anën e majtë te porta e sigurimit ka vetëm edhe një grusht njerëzish të cilët po presin në radhë për të kaluar nëpër procedurat e zakonshme.

Dhe është paksa e habitshme se si edhe burri 42-vjeçar ende nuk u beson anketimeve. Ai ende beson se babai Donald Trump do të fitojë në zgjedhjet e tre nëntorit dhe se rivali demokrat, Joe Biden, nuk duhet të lejohet as të garojë për president, për shkak se mendon se ka mbështetjen e bizneseve kineze. Dhe, nëse pretendimet e ngjashme do të ishin të qëndrueshme, padyshim se FBI-ja nuk do të qëndronte duarkryq, vlerësohet në analizën e revistës analitike të ekonomisë më të madhe evropiane.

Donald Trump Jr pretendon se djali i Bidenit, Hunter, ka pranuar më shumë se 3.5 milionë dollarë amerikanë nga një oligark rus. Republikani dyshon se këto para janë fituar prej tregtisë së zezë të prostitucionit dhe trafikimit me njerëz.

“Nëse unë do të bëja çfarë ka bërë Hunteri, do të isha në Rikers Island duke bërë çmos t’i pastroj duart prej kësaj”, do të deklaronte ai më vonë në Florida, duke iu referuar burgut më të famshëm në qytetin njujorkez.

(Keq)menaxhimi i pandemisë

Dhe asgjë prej atyre që po i thotë nuk janë të vërteta, natyrisht. Nuk është ofruar as edhe një dëshmi e vetme se Bideni ka pranuar para nga donatorët kinezë. Nuk ka asnjë edhe një shenjë se i biri i tij ishte korruptuar nga një miliarder rus. Dhe, kur vjen puna te anketimet, ato po tregojnë bindshëm se Bideni do të jetë presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nëse nxirret mesatarja e rezultateve të të gjitha anketimeve, i bie se pothuajse dyshifrore është epërsia e Bidenit në matjen e opinionit kombëtar në prag të zgjedhjeve që po konsiderohen si më të rëndësishmet në historinë e re amerikane. Dhe epërsia është e theksuar edhe në shtetet që dikur ishin të pavendosura dhe mendohej se Trumpi mund të përfitonte prej luhatjes së votuesve. Edhe në vendet ku Bideni ka ulje të elektoratit, nuk pritet të jetë tkurrje që do të ndikonte në mënyrë të rëndësishme në rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve.

I biri i presidentit është i bindur se babai president ka bërë çmos për ta menaxhuar pandeminë e koronavirusit. Por, të dhënat tregojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kryesojnë listën e vendeve të botës me numrin më të lartë të rasteve fatale nga COVID-19. Deri tani janë më shumë se 220 mijë amerikanë që kanë vdekur si pasojë e infektimeve me koronavirus – apo katërfish më shumë se numri i viktimave amerikane gjatë luftës së Vietnamit.

Trumpi ia ka dalë të krijojë një univers paralel, në të cilin fjalët e tij janë të vetmet që kanë peshë. Në shumicën e rasteve, ato fjalë kanë pasur shumë pak lidhje me realitetin, për të mos thënë fare. Por, duket se përkrahësit e tij nuk janë lodhur fare për vërtetësinë e tyre.

Rënia e heroit?

Por, çka nëse baza fanatike nuk e sheh rënien e heroit të vet në zgjedhjet e së martës mbrëma?

Në analizën e “Der Spiegel” thuhet se premtimi më i rëndësishëm i Trumpit ishte zotimi se do të bashkonte tok Amerikën nëse do të zgjidhej president. Në portretizimin e tij, Trumpi është “devijim historik”, që mund të korrektohet me pak përpjekje dhe vullnet të mirë. Por, nëse udhëtoni nëpër Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëse shikoni me kujdes kanalet televizive amerikane në mbrëmje, nëse flisni me mbështetësit e Trumpit, juve ju krijohet një pasqyrë krejt tjetër. Bëhet e qartë kristal se Trumpi nuk është njeriu i vetëm përgjegjës për ndasitë e thella në shoqërinë amerikane, por është vetëm një simptomë e një krize larg më të thellë. Dhe është një krizë që nuk do të zhduket nëse votohet për nxjerrjen e tij nga Shtëpia e Bardhë.

Trumpizmi mbetet edhe pa Trumpin

Trumpizmi do të mbetet edhe nëse presidenti do të largohet nga presidenca, shkruan analisti politik republikan, Peter Rough, i cili ka njohuri të madhe për rrjedhat brenda kampit konservativ amerikan në kryeqytetin Uashington. Këtë e ka thënë gjatë një analize të thellë e të gjatë për të ardhmen e partisë së tij.

Trumpi, në fakt, konsiderohet vetëm maja e një zhvillimi që kishte nisur të merrte këmbë para tridhjetë vjetësh. Ai është produkt i një partie që dikur kishte proklamuar bujshëm trininë e shenjtë të vlerave të familjes, ushtrinë dhe “qeverinë e vogël”, për t’iu nënshtruar pastaj dëshirave dhe tekeve të donatorëve të kamur. Dhe kjo mungesë e parimeve ia ka lejuar Trumpit të ngrihet në majën e pushtetit kundër rezistencës së establishmentit të partisë së vjetër. Tani, republikanët prihen prej një burri që dyshohet se kishte mashtruar gruan me një yll pornografie dhe një burrë që dyshohet se i kishte quajtur ushtarët amerikanë “dështakë” dhe “shkërdhata”, e i cili ia ka dalë ta çojë tavanin e deficitit kombëtar të vendit në 4.4 bilionë dollarë në mandatin e tij presidencial.

Fuqia e propagandës

Pa makinerinë e urrejtjes në “Facebook”, Kremlini nuk do të ishte efikas në manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2016, vlerëson gjermania “Der Spiegel” në analizë. Moska ishte në favor të zgjedhjes së magnatit të kthyer në politikan në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një dorë të mirë ia dha edhe perandoria mediatike e Rupert Murdochut, duke raportuar pa mbështetje faktike. Revista shkruan se Murdochu ia doli ta ndryshonte historinë televizive, duke investuar në rrena dhe propagandë, për të kthyer në përfitime miliarda dollarë amerikanë dhe ndikimin masiv politik në vend.

Dhe asgjë prej këtyre nuk do të ndryshojë nëse Trumpi votohet për t’u nxjerrë nga presidenca amerikane më 3 nëntor. Përkundrazi, gjatë katër vjetëve të kaluar, vetëm sa ka thelluar ndasitë politike dhe shoqërore amerikane.

Pas tij do të ketë edhe shumë të tjerë që do të mundohen të përfitojnë prej këtyre dallimeve. Për dekada me radhë, ta zëmë, Gjykata Supreme ishte autoritet i respektuar prej republikanëve dhe demokratëve. Njëzetë vjet më parë, dy të tretat e amerikanëve ende besonin në punën e gjykatës më të lartë në vend. Sot, vetëm gjysma e tyre.

Dilema e madhe

Por, a do të largohet Trumpi nga skena politike amerikane nëse i humb zgjedhjet, pyet revista gjermane në analizën e gjatë. “Para se t’i fitonte zgjedhjet në nëntorin e vitit 2016, Trumpi dhe miqtë e tij po merrnin në konsideratë të lansonin stacionin e tyre televiziv”, shkruan “Der Spiegel”. “Shumë demokratë tani druajnë se ai mund ta ringjallë atë ide. Në muajt e fundit, Trumpi shpesh është ankuar fort se edhe ‘Fox News’ e ka trajtuar pandershmërisht”, shkruan revista.

“Trumpi humb para me hotelet e tij dhe fushat e tij të golfit nuk janë aspak profitabile”, ka deklaruar ish-këshilltari i Clintonit, Blair Levin. “Por, ai di si të fitojë para në biznesin e argëtimit. Andaj, hapi i ardhshëm logjik do të ishte lansimi i një televizioni”.

Kështu mendon edhe një ish-zyrtar i autoritetet rregullativ të mediave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shumëkush mendon se Trumpi mund ta përdorë strategjinë e magnatit italian të mediave, Silvio Berlusconi, i cili bëri emër në perandorinë e tij mediatike, për t’u katapultuar pastaj në politikë. Berlusconi ka thënë se nuk mund ta besojë se pse nuk ka dalë deri tani me një ide të ngjashme.

Kjo edhe është arsyeja pse shumëkush beson se pas mandatit të parë, Trumpi do të trokasë në derën e gjithsecilit për t’ia kërkuar mbështetjen. Në raundin e parë me siguri se do të mund të mblidhte miliarda dollarë amerikanë. Dhe lista e atyre që u ka ndihmuar është tepër e gjatë.

Analizë e “Der Spiegelit”

Më Shumë

“El Clasico” zhvillohet sot në basketbollin kosovar

Sigal Prishtina dhe Trepça do të ballafaqohen sot në kuadër të playoff-it të gjysmëfinaleve në Prince Caffe Superligën e Kosovës në basketboll. Duelin e parë...

Guardiola: Gara për titull është e hapur

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola është shprehur i kënaqur me fitoren e thellë 4-0 në udhëtim te Brightoni. “Jap shumë merita sepse e njoh...

Lajmet e Fundit