15.8 C
Prizren
E martë, 16 Prill, 2024

Buzëqeshja e paqtë e komunistëve të egër

91663The second Vals” (Valsi i dytë) i kompozitorit dhe pianistit rus Dmitri Dmitriyevich Shostakovich (1906-1975), i dirigjuar nga Andre Rieu (violinist i njohur holandez), shoqëron ‘vallëzimin’ në një video-projeksion të imazheve të Stalinit. I biri i dy këpucarëve gjeorgjianë, njeriu që kontrolloi jo vetëm Bashkimin Sovjetik, por edhe Europën Lindore, shfaqet në fotografi familjare, me miq, bashkudhëtarë, ithtarë e ndjekës, krejt i paqtë e i qeshur. Shumë prej njerëzve që i qëndrojnë përkrah dhe vetë ai, mbajnë mbi ‘gishtërinj’ firmat për miliona të vrarë e spastrime masive, për aq sa epoka e Jozef Stalinit mbahet mend për terrorin dhe ekzekutimet. Por, fotografitë pjesë e video-projeksionit “E-mages” të Helidon Gjergjit, nuk e thonë këtë. Videoja që u shfaq dje në Galerinë Kombëtare të Arteve si pjesë e ekspozitës me të njëjtin emër, tregon me një ironi të hollë (ngase imazhet në rrjetet sociale gënjejnë, tregojnë jorealitetin, por një manipulim të tij) BS-në si vend i paqes, tregon Stalinin e qeshur, atë, “babain e kombeve” e “kopshtarin e lumturisë njerëzore”.

Në konferencën e mbajtur dje para çeljes së ekspozitës, (që mund ta vizitoni deri më 24 gusht) kuratori Artan Shabani e vuri theksin pikërisht tek ky lloj manipulimi që bën fotografia. “Personazhet e videos, janë të qeshur. Ata, janë pjesë e Facebook-ut të nënës së Stalinit, e cila në llogarinë e saj në këtë media sociale, ka zgjedhur me elegancë disa fotografi që tregojnë ‘njeriun e mirë’ Jozef Stalin. Në to, udhëheqësi rus, paraqitet me Trockin, por edhe me njerëz të tjerë, që nga historia mbahen mend për miliona të vrarët, pra si ekzekutorë”. Shabani, kurator i ekspozitës e njëherazi drejtor i GKA-së, vërejti se në video personazhet duken të dashur, paçka ç’ishin në jetën reale, e kjo është loja, që realiteti nuk është ai që kapet në një fotografi. “Kjo video, e ideuar sipas artistit Gjergji si ‘një matrioshka (kukull) ruse hiper-reale’, projektohet fillimisht mbi një pasqyrë të thyer e më pas pasqyrohet e copëzuar në mur”, – theksoi ai. Vetë piktori Helidon Gjergji, artisti që ekspozon, vërejti se me këtë video, “dua të përçoj idenë e hiper-realitetit. Me pasqyrën e thyer, tregoj tensionin që ekziston, goditjen e madhe për shkak të manipulimit të medias; ajo nuk tregon realitetin, siç është rasti i fotove të Stalinit, që nuk tregojnë kush ishte ai. Kam punuar gjithnjë me ekrane e monitorë, ndaj këto tri punë të miat (“e-mages”, “Pixture tv” dhe “Blu Danube) janë nën çadrën e lojës së imazheve”.
Valsi i Shostakovich-it si kolonë zanore? Ka një përplasje mes muzikës dhe imazhit: të kujton që Rusia solli edhe emra të njohur të muzikës së mirë përveç Lenin-Stalinit, e mandej ajo muzikë e Shostakovich që shoqëron imazhet (e qeshura të vrasësve) e bashkëkombësve të tij, të sjell ndër mend se qenë këta njerëz, krahët e djathtë e ndjekësit e Stalinit, që e ndaluan muzikën për të bërë kërdinë. Por, interpretimet varen nga perceptimet, e ato nuk varen gjithherë nga realiteti, ndaj muzika mund të jetë edhe thjesht ironi.

Më Shumë

Në Prizren, sot mbahet ceremonia e diplomimit të deminierëve të kursit të parë me kontingjentin ukrainas

Sot, në kazermën e FSK-së “Lidhja e Prizrenit”, në Prizren, do të mbahet ceremonia e diplomimit të deminierëve të kursit të parë me kontingjentin...

Tre ndeshje interesante luhen sot në Superligë, sytë te Ballkani dhe Drita

Tre ndeshje interesante do të zhvillohen sot, në kuadër të xhiros së 29-të në Superligën e Kosovës në futboll. Sfida kryesore e ditës së shtune...

Lajmet e Fundit