Ish presidenti amerikan, Bill Clinton, kishte marrëdhënie të mira me Hashim Thaçi në fund të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, ndërsa pas bombardimeve të NATO-s ndaj forcave ushtarake dhe policore serbe, Clinton uron Thaçin për nënshkrimin e marrëveshjes për demilitarizimin dhe transformimin e UÇK-së, thuhet në një transkript të një bisede që ka publikuar biblioteka e ish presidentit të SHBA-ve.
Sipas ditores serbe Kurir, biblioteka presidenciale ka publikuar dokumentet e reja në lidhje me bombardimin e vitit 1999 vit, ndërsa në transkript të bisedës mes Thaçit Clintonit, më 25 qershor 1999, Clinton i thotë Thaçit se qëllimi i ndërmarrjes së përbashkët ishte i drejtë, transmeton Telegrafi.
“Jam i lumtur që kjo ka ndodhur në të njëjtën ditë kur forcat serbe kanë përfunduar tërheqjen nga Kosova”, tha Clinton, për çka Thaçi e falënderon, duke thënë se ky është edhe sukses i tij. Në këtë rast ai ka premtuar respektimin e të drejtave të njeriut në Kosovë.
“Deklarata juaj në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut dhe të pakicave është shumë e rëndësishme. Pas vuajtjeve të popullit të Kosovës, marrja e udhëheqjes nga ju në këtë aspekt është dëshmi për të gjithë se qëllimi i ndërmarrjes sonë të përbashkët ishte i drejtë”, tha Clinton, për çka Thaçi ia kthen: “Ju falënderoj z. President. Betejë e re që na pret është kthimi i refugjatëve, rindërtimi, zhvillimi i shoqërisë civile dhe zhvillimi e zgjedhjeve të lira e të ndershme shumëpartiake. Edhe këtë ne do ta bëjmë përmes mekanizmave tona, por edhe me ndihmën dhe mbështetjen tuaj”.
Në një tjetër dokument, një memorandum të cilin këshilltari i Clintonit për siguri kombëtare, Samuel Berger, ia drejton shefit të tij e që mban datën e shtatorit 1998, thuhet se janë marrë parasysh opsionet “për shmangien e një katastrofe humanitare në Kosovë dhe për promovimin e një marrëveshjeje politike”.
“Teksa po afrohet dimri dhe (Slobodan) Milloshevici është ende provokues, pjesëmarrësit u pajtuan se është koha që kërkesat ndërkombëtare për arritjen e një zgjidhjeje politike dhe të dhënies fund të dhunës kundër civilëve, të mbështeten me kërcënim të besueshëm të veprimit ushtarak të NATO-s”, thotë dokumenti dhe shton se problemi më i madh është se si të sigurohet mbështetja për aleatët dhe se Rusia është pengesa më e madhe meqë kundërshton përdorimin e forcës.
Në dokumente janë zbuluar edhe detajet e takimit të mbajtur pesë ditë para fillimit të sulmit të NATO-s. Në takim ishin Clinton, Madeleine Albright dhe Berger, ndërsa janë analizuar në mënyrë të detajuar planet e sulmeve ajrore të NATO-s dhe mundësitë se si do të reagonte Beogradi ndaj tyre.