2.9 C
Prizren
E premte, 23 Janar, 2026

Çitaku: Negociatat për MSA-në përfundojnë me 2 maj

Vlora CitakuuNegociatat për Marrëveshjen e Stabilizim –Asocimit(MSA), mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, do të përmbyllen më 2 maj, me takimin që do të mbahet mes ekipit negociator kosovar dhe përfaqësuesve të BE-së.
Kosova zyrtarisht ka nisur negociatat për MSA-në në tetor të vitit të kaluar, ndërkaq ky proces, sipas ministres së Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, është zhvilluar mbi bazë të agjendës së paraparë me Komisionin Evropian.

Në një prononcim për lajmi.net, Çitaku ka thënë se më 2 maj do të përfundojnë negociata për MSA-në.
“Negocimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit është duke u përmbyllur sipas kalendarit të dakorduar me Komisionin Evropian”.
“Takimi i tretë dhe i fundit negociator do të mbahet më 2 maj në Prishtinë dhe me këtë rast bashkërisht me Bashkimin Evropian do të shënojmë edhe mbylljen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit”, ka theksuar Çitaku për lajmi.net.

Ajo ka njoftuar se më 5 ose 6 maj komisoneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fyle do të vizitojë Kosovën.
MSA është marrëveshja e parë kontrakture që Kosova nënshkruan me Bashkimin Evropian.

Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit prek një pjesë të madhe të fushës së bujqësisë dhe, sipas ministres së Integrimeve Evropiane, kjo do të ketë përparësitë e veta për bizneset kosovare.
“Bizneset kosovare, me nënshkrimin e MSA-së, në tregun evropian do të kenë trajtim të barabartë me ato evropiane” .

“Në anën tjetër, ne jemi siguruar që të mbrojmë produktet tona, jo i tërë tregu do të liberalizohet menjëherë, ne bashkë me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe bashkë me komunitetin e biznesit kosovar kemi hartuar dhe kemi identifikuar bizneset një nga një, dhe shumë prej tyre do të jenë të mbrojtura në faza të ndryshme transitore e disa prej tyre do të jenë të mbrojtura tërësisht”, ka thënë Çitaku.
Ajo ka shtuar se me nënshkrimin e MSA-së, do të përfitojnë edhe konsumatorët kosovarë, pasi do ketë ulje të çmimit për produktet që importohen nga BE-ja.

Procesi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me BE-në është një proces përgjatë të cilit vendi që ka dëshirë të krijojë marrëdhënie më të afërta me BE-në, sidomos në fushën e tregtisë së lirë, kalon nëpër reforma legjislative e administrative për tu përgatitur për një gjë të tillë.

Më Shumë

Dënime deri në 5 vjet burgim për ata që prekin vullnetin qytetar

Prej 1 deri në 5 vjet burgim parashihen në Kodin Penal të Republikës së Kosovës për ata që zbulohen se kanë futur duart në...

Komuna e Malishevës me shumicë votash miraton buxhetin për vitin 2026

Kuvendi Komunës së Malishevës, sot në mbledhje të jashtëzakonshme me shumicë votash ka miratuar buxhetin për vitin 2026/ 2028, përkatësisht për vitin 2026. Në një...

Lajmet e Fundit