6.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Çmime të shtrenjta dhe tendenca për kurdisjen e tenderëve në Komunën e Prizrenit

KDI-KS-logoInstituti Demokratik i Kosovës (KDI)/TransparencyInternational Kosova (TIK), ka mbajtur sot një tryezë diskutimi me temën “Efikasiteti i Komunës në Prokurim Publik”. Në këtë takim është publikuar edhe Raporti i KDI/TIK për monitorimin e Komunës së Prizrenit në disa tender. Qëllimi i këtij takimi ishte të debatohet për prokurimin e Komunës së Prizrenit, nga përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, subjekteve të ndryshme politike dhe përfaqësues të bizneseve.

KDI, ka prezantuar Raportin për Komunën e Prizrenit, në të cilin janë monitoruar dhe analizuar të dhënat e tre tenderëve specifik të kësaj Komune. Mirëmbajtja e rrugëve (tender me tre pjesë), tenderi i naftës dhe tenderi për ndërtimin e një rruge me kubëza betoni.

“Komuna ka paguar një ndër çmimet më të larta të naftës në nivel vendi. Në anën tjetër në sektorin e mirëmbajtjes së rrugëve KDI ka gjetur se tenderi ka qenë i kurdisur në atë formë që t’i ndahet tre operatorëve konkurrues. Po ashtu është vërejtur se në tenderin për ndërtimin e rrugës Besëlidhja çmimi i tenderit është jo normalisht i ulët dhe kjo mund të rezultojë me cilësi të dobët të punimeve” potencoi Isuf Zejna nga KDI .

Ymer Berisha nga Komuna e Prizrenit, ka deklaruar se e vlerëson punën e sektorit jo qeveritarë në mbikëqyrjen e prokurimit publik në Komunën e Prizrenit, megjithatë nuk i kanë pëlqyer të gjeturat e këtij raporti. Sipas Berishës, ky raport nuk ka adresuar drejtë gjendjen në prokurimin publik dhe nuk mund të nxirren rekomandime konkrete nga raporti. Ai ka kërkuar që nëse organizatat kanë të dhëna për keqpërdorime në tender, të njëjtat t’i dorëzojnë në prokurori e jo t’i qesin në debate.

Arbër Rexhaj nga Lëvizja Vetëvendosje, ka deklaruar se prokurimi në Prizren është fytyra e stërkequr e Komunës së Prizrenit. Sipas Rexhajt në Prizren edhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm edhe KDI kanë ofruar të gjetura të mjaftueshme për një numër shumë më madh të shkeljeve. Sipas tij është e pa arsyeshme që Komuna e Prizrenit ta paguaj naftën me një çmim më të lartë sesa vlera e produktit në treg.

Skender Susuri nga Bashkimi Demokratik, po ashtu ka evidentuar një numër të madh të rasteve ku Komuna e Prizrenit ka thyer Ligjin për Prokurim dhe ligjet e tjera. Në Komunën e Prizrenit sipas tij ka disa raste kur vetë zyrtarët komunal janë përfitues të tenderëve të ndryshëm. Sipas tij në këtë formë komuna dhe politika kanë krijuar lidhje të drejtpërdrejta.

Ai ka kërkuar që të merren masa për të parandaluar këtë fenomen të dëmshëm në prokurimin e Komunës së Prizrenit.

Pjesëmarrësit e tjerë në këtë debat kanë vlerësuar Raportin me të gjetura të KDI-së dhe kanë kërkuar të merren të gjitha masat e nevojshme për të shmangur shpërdorimin e fondeve publike përmes prokurimit publik.

Gjithashtu ata kanë kërkuar që edhe më tutje të thellohet monitorimi i procedurave të prokurimit për t’i evidentuar shkeljet eventuale në këtë sektorë. Përfaqësuesit e kompanive private kanë kërkuar që prokurimi të shfrytëzohet për të ndihmuar këtë sektorë që të zhvillohet edhe më fuqishëm në të ardhmen, duke garantuar konkurrencë të plotë dhe të ndershme në tenderët e Komunës së Prizrenit.

Raportin e plotë dhe të gjeturat mund ti shkarkoni në ueb-faqen e KDI-së www.kdi-kosova.org

Ky aktivitet i KDI/TIK është realizuar në kuadër të projektit Transparenca dhe llogaridhënia në prokurimin publik në nivelin lokal, i cili mbështetet nga Ambasada Britanike në Prishtinë./PrizrenPress.com/

Më Shumë

Koha për spektakël në gjysmëfinale

Në fundjavë fillojnë ndeshjet gjysmëfinale të “Play-off”-it në Prince Caffe Superligë, ku pritet një spektakël i basketbollit. Në gjysmëfinale do të ndeshen katër skuadrat që...

Hilë Mosi, poeti dhe luftëtari i çlirimit të trojeve shqiptare

Hilë Mosi lindi me 22 Prill 1885 në Shkodër dhe vdiq në shkurt 1933 në Tiranë, biri i Mark Mosit, qe ndër atdhetarët më...

Lajmet e Fundit