9.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

De Maiziere: Shqiptarët, asnjë shans për azil në Gjermani

De Maiziere?Intervistë ekskluzive me Ministrin e Brendshëm Federal, Thomas de Maizière.

DW: Z. Ministër de Maizière, cilat janë motivet kryesore politike të vizitës së përbashkët me homologun Tuaj francez BernardCazeneuve në Shqipëri dhe Serbi, gjë që nuk ka ndodhur më parë?

Thomas de Maizière: Arsyeja e vizitës së përbashkët me kolegun tim francez është vendimi politik që vendet e Ballkanit Perëndimor të shkojnë më pranë BE. Këtë vit janë hedhur disa hapa të rëndësishëm në këtë proces. Në janar filluan negociatat zyrtare të pranimit të Serbisë në BE. Një vendim i Këshillit në fund të qershorit njohu zyrtarisht Shqipërinë si një vend kandidat për anëtarësim në BE. Përsa i përket rritjes së theksuar të numrit të azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, unë do të përpiqem të bind homologët e mi të adaptojnë masa për të kufizuar emigracionin e paligjshëm, p.sh. kjo mund të arrihet duke përmirësuar politikat për integrimin e pakicave dhe duke luftuar trafikun e paligjshëm të emigrantëve.

DW: Gjermania ka mbështur fuqimisht Shqipërinë në rrugën e saj drejt hyrjes në BE, si në aspektin e marrëdhënieve dypalëshe, ashtu edhe si vend anëtar i BE deri në finalizimin me marrjen e statusit të vendit kandidat muajin e shkuar. Hapi tjetër është hapja e negociatave të pranimit mes Shqipërisë dhe BE. Si mundet ta mbështesë Gjermania Shqipërinë në plotësimin e detyrimeve për të arritur në këtë fazë të procesit të integrimit? Po me Serbinë?

Thomas de Maizière: Negociatat që do të vijojnë më pas kanë të bëjnë me afatin ligjor për të sjellë vendet kandidate për anëtarësim më pranë BE. Në vendimin e tyre vendet anëtare të BE kanë përcaktuar kritere për t’u plotësuar. Gjermania dhe Franca duan t’i ofrojnë Shqipërisë një mbështetje aktive në këtë rrugë ndonjëherë të vështirë. Për të përgatitur integrimin e Shqipërisë dhe të Serbisë ne po planifikojmë të organizojmë në vijim të vizitës sime shkëmbime stafesh për të mbështetur hapat zbatuese të këtij procesi. Angazhimi ynë synon gjithashtu të përmirësojë kushtet në këto vende në mënyrë që njerëzit të kenë një perspektivë më të mirë në atdheun e tyre dhe kështu ata të vendosin për të qëndruar atje.

DW: Nën kujdesin e Kancelares Merkel më 28 gusht do të zhvillohet në Berlin një konferencë e nivelit të lartë që i kushtohet integrimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor. A do të jenë në axhendën e kësaj konference edhe çështjet e një lufte më efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit apo ato për të garantuar më shumë siguri për qytetarët e Ballkanit Perëndimor?

Thomas de Maizière: Konferenca ka për qëllim të theksojë angazhimin tonë të vazhdueshëm për Ballkanin Perëndimor dhe të përforcojë perspektivën e pranimit në BE për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Ne gjithashtu dëshirojmë forcimin e bashkëpunimit rajonal mes këtyre vendeve. Zbatimi i kapitullit mbi shtetin e së drejtës si pjesë e procesit të zgjerimit ka një rëndësi të madhe për Qeverinë Federale. Për këtë arsye Konferenca natyrisht do të ndalet edhe në çështjen e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

DW: Le të kthehemi në çështjen e azilkërkuesve: Deri tani Gjermania mbetet destinacioni kryesor për ata. Këtë vit pritet që rreth 175.000 persona të depozitojnë aplikimet e tyre për azil, shifër kjo, që konsiderohet më e larta në dy dekadat e fundit. Pas heqjes së regjimit të vizave, në Gjermani pati një rritje të madhet të numrit të azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, mes tyre edhe të azilkërkuesve nga Shqipëria. Cilat janë arsyet që ata deklarojnë kur aplikojnë për të marrë të drejtën e azilit në Gjermani? A mundet Gjermania të thithë një numër të tillë në rritje azilkërkuesish? Cilat janë kriteret kryesore të përzgjedhjes?

Thomas de Maizière: Gjermania u jep statusin e azilantit të huajve, të cilët kanë frikë, të bazuar në fakte dhe situata konkrete, nga përndjekja në vendin e tyre të origjinës për shkak të racës, fesë, kombësisë, pikëpamjeve politike ose anëtarësimit në një grup të veçantë shoqëror. Numri i aplikantëve për azil nga vendet e Ballkanit Perëndimor është rritur në mënyrë akute menjëherë pas heqjes së regjimit të vizave për shtetasit nga këto vende. Ndërkohë, mbi 90% e të gjitha kërkesave për azil të paraqitura në BE nga shtetasit e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë drejtuar për në Gjermani. Megjithatë, shumë pak prej të ardhurve të rinj përmbushin kërkesat për të marrë statusin e azilantit. Është e qartë se shumica e tyre kanë kryesisht arsye ekonomike për të aplikuar për azil në Gjermani. Procesi i shqyrtimit të aplikimeve të tyre konsumon një pjesë të konsiderueshme të burimeve që ka në dispozicion sistemi gjerman i azilit, gjë që fare qartë është në dëm të azilkërkuesve, të cilët me të vërtetë kanë nevojë për mbrojtje. Për këtë arsye, periudha e qëndrimit të aplikantëve për azil nga vendet e Ballkanit Perëndimor do të minimizohet. Me qëllim përshpejtimin e procedimit të aplikimeve të tilla, Qeveria Federale po planifikon miratimin e legjislacionit të ri për të klasifikuar këto vende si vende të sigurta të origjinës. Gjithsesi, ajo që po aplikohet në këtë fazë është: shtetasit shqiptarë nuk kanë asnjë shans për të marrë azil në Gjermani. Ata në të vërtetë do të rikthehen. Prandaj është e kotë të përpiqen të kërkojnë azil në Gjermani.

Gjermania pret përafërsisht 200.000 aplikime për azil në vitin 2014 (nga të cilat 175.000 janë aplikime për herë të parë dhe 25.000 aplikime vijuese). Në 2013 ka pasur afërsisht 127.000 aplikime që do të thotë se Gjermania do të shohë një tjetër rritje të madhe, përtej rritjes në shkallë të gjerë në BE. Kjo përkthehet në probleme dhe barrë të rëndë për Zyrën Federale të Emigracionit, e cila është përgjegjëse për kryerjen e procedurave të azilit, si edhe për Landet Federale dhe autoritetet lokale, të cilat nga ana e tyre janë përgjegjëse për akomodimin e azilkërkuesve.

DW: Bundestagu gjerman ka miratuar kohët e fundit rregulla të reja si masë për të ulur fluksin e azilkërkuesve. Ju lutem a mund të paraqisni thelbin e këtyre rregullave? A janë marrë në konsideratë aspekte humanitare dhe kur hyjnë në fuqi këto rregulla?

Thomas de Maizière: Qeveria Federale po planifikon të miratojë një akt ligjor për klasifikimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor si Bosnjë-Hercegovina, ish-Republikat Jugosllave të Maqedonisë dhe Serbisë si vende të sigurta të origjinës duke bërë të mundur përpunimin më të shpejtë të kërkesave për azil nga shtetasit e këtyre vendeve, të cilët kanë pak shanse për sukses dhe për të mundësuar kështu një riatdhesim të shpejtë të tyre.
Procedura ligjore për për këtë projekt akt vazhdon ende por projekt akti është miratuar tashmë nga Parlamenti.

DW: Shqipëria nuk bën pjesë ende në listën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat Gjermania i konsideron si vende të sigurtë të origjinës. A do të ketë ndonjë marrëveshje mes Qeverisë Federale dhe asaj të Shqipërisë lidhur me azilkërkuesit?

Thomas de Maizière: Ne do të shqyrtojmë nëse Shqipëria duhet të përfshihet në listën e vendeve të sigurta të origjinës. Ne po shohim një rritje të konsiderueshme të numrit të kërkesave për azil të paraqitura nga shtetas shqiptarë që nuk kanë asnjë arsye të vlefshme për të përligjur azilin. Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, 3913 shtetas shqiptarë kërkuan azil në Gjermani krahasuar me 325 aplikime në të njëjtën periudhë të vitit 2013. Ne do të monitorojmë nga afër këtë prirje dhe do t’i japim përgjigjen e duhur. Përvoja në Francë tregon se klasifikimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor si vende të sigurta të origjinës është një masë efektive. Qëkur Franca klasifikoi Shqipërinë si vend të sigurtë në dhjetor 2013, numri i aziklërkuesve atje është ulur, ndërkohë që në Gjermani është rritur shumë. Qeveria gjermane është në kontakt me qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor edhe për rritjen e shpejtë të numrit të kërkesave për azil. Ne nuk po planifikojmë të përfundojmë ndonjë marrëveshje në këtë fushë. Qeveria Federale dhe qeveritë e vendeve të origjinës kryesisht kanë të njëjtin objektiv, që është mbajtja e mundësisë së shtetasve të Ballkanit Perëndimor për të hyrë në BE dhe reduktimi i numrit të aplikimeve të pabazuara për azil. Kjo kërkon një integrim më të mirë të pakicave të tilla si romët në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe një luftë më të fortë kundër rrjeteve të migrimit të paligjshëm.Vendet e interesuara duhet të vazhdojnë dhe të shtojnë punën e tyre në këto fusha. Në bisedimet që kam pasur kam inkurajuar partnerët e mi për të marrë këto masa.

Më Shumë

114 vjet nga vdekja e shkrimtarit të shquar Mark Twain

Samuel Langhorne Clemens (30 nëntor 1835 – 21 prill 1910) njihet me emrin Mark Twain (Mark Tuejn), ishte një autor dhe humorist amerikan. Ai...

Sara Gjordeni shtatzënë- Reagon për herë të parë Bardhi

Sara Gjordeni dhe Bardhi së shpejti do të bëhen prindër. Lajmin e konfirmoi vetë dyshja përmes një postimi në rrjetet sociale. Ishte ish-banorja e...

Lajmet e Fundit