Dënohet ish-kryesuesi i Kuvendit Komunal në Malishevë

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, e ka dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, si dhe 600 euro gjobë, ish-kryesuesin e Kuvendit Komunal në Malishevë, Aziz Thaqi, i akuzuar për mos raportim të pasurisë.

Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë gjykatësi Njazi Morina, i cili tha se dënimi me burg ndaj të akuzuarit Thaqi, nuk do të ekzekutohet, nëse ai brenda periudhës verifikuese prej një viti nuk kryen vepër tjetër penale.

Sipas tij, i akuzuari obligohet që të paguajë edhe paushallin gjyqësor prej 30 eurosh, si dhe 20 euro për kompensimin e viktimave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në shqyrtimin e dytë, të mbajtur më 13 shtator 2019, i akuzuari ishte deklaruar fajtor lidhur me veprën e cila i bie në barrë, duke thënë se ndihet thellë i penduar për rastin që ka ndodhur, pasi sipas tij, veprën e kishte kryer nga pakujdesia.

Prokurori i rastit, Armend Zenelaj, nuk e kishte kundërshtuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, pasi që sipas tij, pranimi ka mbështetje në provat e lëndës, dhe është bërë në mënyrë vullnetare, pa presion dhe në konsultim me të mbrojturin  e tij.

Sipas aktakuzës së ngritur më 16 mars 2018, Aziz Thaqi akuzohet më 23 mars 2017, në cilësinë e zyrtarit së lartë publik, respektivisht si kryesues i  Kuvendit Komunal në Malishevë, ka vepruar në kundërshtim me nenin 5 të Ligjit për deklarim, prejardhjen dhe kontrollimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave, për periudhën kohore prej 1 janar 2015, e deri më 31 dhjetor 2015, në atë mënyrë që në rastin e deklarimit të pasurisë nuk ka deklaruar subjektin afarist O.S “As.dent”, edhe pse sipas ligjit ka qenë i detyruar ta bëjë.

Në aktakuzë thuhet se me këto veprime, i akuzuari Aziz Thaqi e ka kryer veprën penale “mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 437, paragraf. 2 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Sulmi me kallashnikov ndaj autobusit në Malishevë, Prokuroria ndalon për 48 orë një person për tentim-vrasje

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se një person është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë lidhur me sulmin e armatosur ndaj një autobusi...

Kërkohet paraburgim për dy djemtë dhe nënën e tyre lidhur me vrasjen e 27-vjeçarit në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj tre të dyshuarve në rastin e vrasjes së 27-vjeçarit...

Lajmet e Fundit