-0.6 C
Prizren
E diel, 12 Janar, 2025

Dëshirorja në vend të pjesores

Shkruan: Prof. Gani Rudaj 

Sundimi shumëshekullor që iu bë kombit shqiptar, ndikoi negativisht edhe në zhvillimin e ekonomisë, edhe në zhvillimin e kulturës. Këto vështirësi na u lindën se lëvrimi i gjuhës shqipe ka nisur relativisht vonë. Secila gjuhë ka probleme të veta shkencore. Me problemet gramatikore të gjuhës shqipe janë marrë studiues të shumtë. Njëri prej themeluesve të gjuhësisë krahasuese, i madhi Franz Boppi, i cili në traktatin e tij të njohur, arriti në përfundimin e saktë që gjuha shqipe në pjesët përbërëse të saj nuk ka ndonjë lidhje prejardhjeje me asnjërën nga simotrat e tjera sanskrite të kontinentit tonë.

Pas traktatit të njohur të Boppit, me problemet e strukturës gramatikore të kësaj gjuhe janë marrë edhe gjuhtarë të tjerë si: Kamarda, Meyeri, Pederseni, N. Jokli, La Piana, Xhuvani, K. Cipoja, Çabeji, M. Domi, I. Ajeti e të tjerë. Me ndihmën e pakursyeshme të këtyre studiuesve, është arritur të vihen në dukje e të shqyrtohen çështjet kryesore të fonetikës, morfologjisë e të sintaksës.

Vonesa e studimit të gjuhës shqipe u bë për shkak të sundimit shumëshekullor. Kjo vonesë e ka një arsyetim.

Mirëpo, sot jemi të lirë të merremi me problemet e strukturës gramatikore të gjuhës shqipe. Ne çfarë po bëjmë sot? Pse po e lëmë me qëllim shkatërrimin e gjuhës shqipe? Ku është arsyeja që nuk merremi me dukuritë negative të gjuhës? Asnjëherë nuk u mbajt një kuiz i diturisë për gjuhën shqipe, si për nxënësit, ashtu edhe për të rritur.
Këto pyetje kanë vetëm një përgjigje.

Nuk po e njohim fushën gramatikore të gjuhës shqipe. Në shkollat fillore, nxënësit e mësojnë mirë lëndën e gjuhës shqipe, sidomos ku mësimdhënësit janë të gjeneratave të hershme. Këta nxënës deri në përfundim të klasës së nëntë i përvetësojnë bukur mirë problemet gramatikore, qofshin ato morfologjike, qofshin sintaksore. Ka edhe gara njohurish në mes të nxënësve. Mësimdhënësit ishin krenarë për suksesin e nxënësve të asaj shkolle. Pas mbarimit të shkollës fillore, këta nxënës vazhdojnë shkollimin e mesëm.

Ata kanë bindje se tani do t’i përforcojmë njohuritë e tyre. Por, mjerisht ndodh e kundërta. Në shkollimin e mesëm fillon episodi i parë i cirkusit, ku personazhi kryesor është profesori, ndërsa humbësi është nxënësi. Gjatë shkollimit të mesëm nuk mbahet asnjë orë e gjuhës, ndërsa në planprogramin e tyre kanë njësi mësimore për gjuhën shqipe.

Në planprogramin e tyre ka njësi mësimore për fonetikën, morfologjinë e sintaksën. Mësimdhënësi as që i përmend këto njësi. Mirë, por çfarë bën profesori në atë orë? Ai në ditar e shënon njësinë mësimore si e ka me planprogram, ndërsa nxënësve u thotë të shkruajnë një ese. Kështu vitet kalojnë dhe nxënësit mbarojnë shkollën e mesme pa e mësuar asnjë njësi mësimore nga fusha e gramatikës.

Mendoj që këtu nxënësit nuk e kanë asnjë faj. Faji është te profesori se nuk ka përgatitje të duhur. Nuk e njeh fushën e gjerë të gjuhës. Cirkusi i profesorëve të gjuhës shqipe në shkollat e mesme përfundoi, për të vazhduar me episodin e dytë të cirkusit shumë qesharak në Universitetin tonë.

Dikush nga nxënësit dëshiron të studiojë gjuhën shqipe. Para këtyre studentëve të rinj dalin profesorë me tituj akademikë. Dikush do të ligjërojë fonetikën, dikush morfologjinë, sintaksën, fonologjinë, dialektologjisë dhe lëndët e tjera. Prej këtyre lëndëve mungon lënda e logjikës. Mungesa e kësaj lënde do të vërehet më vonë.

LOGJIKËN gramatikore duhet ta kenë të gjithë mësimdhënësit e gjuhës, por mjerisht nuk e kemi. Në këtë punim nuk dua të merrem me lëndët e tjera gjuhësore, por vetëm me atë të morfologjisë. Në morfologji mësohen pjesët e ndryshueshme të ligjëratës. Hapësirë më të madhe studimi prej pjesëve të ligjëratës zë folja. E dimë që folja ka kategorinë gramatikore të diatezës, mënyrës, kohës, vetës. Folja ka mënyrë veprore dhe joveprore. Kemi folje të rregullta dhe të parregullta.

Mënyrat e foljes janë: dëftore, lidhore, kushtore, habitore, dëshirore dhe urdhërore. Me mënyrën dëshirore duhet të jemi të kënaqur se shumica e gjuhëve nuk e kanë. Ne në këtë aspekt jemi më të pasur. Pos këtyre mënyrave, folja i ka edhe tri trajta të pashtjelluara që janë: pjesorja, paskajorja dhe përcjellorja. Këto trajta quhen të pashtjelluara sepse nuk ndryshojnë sipas vetës dhe numrit.

Gjatë studimeve, studentët i mësojnë të gjitha këto pjesë të ligjëratës, por në aspektin profesional nuk i përdorin ashtu siç duhet. Problemi logjik paraqitet te përdorimi i gabueshëm i pjesores së foljes. Së pari gabim logjik bën profesori kur shkruan fjalinë: GËZUAR vitin e ri shkollor! Ose: GËZUAR diplomën! E shumë shembuj të tjerë të këtij lloji. Këto gabime dalin në shkollë, në shtyp, në të folur të përditshëm. Tani po e pyes veten se pse nuk themi për shembull: Punuar tokën me shëndet. Por i themi: punofsh tokën me shëndet! Ose FLUTURUAR pëllumbi im.

Ndërsa ne themi: Fluturofsh pëllumbi im! Prej krejt pjesoreve, vetëm pjesoren GËZUAR e përdorim gabimisht, madje në fund të fjalisë e shoqërojmë me pikëçuditje. Pikëçuditja nuk e ka vendin aty. Pjesorja është pjesë e pakuptueshme e ligjëratës. Ajo shërben për formimin e kohëve të përbëra, për formimin e mbiemrave. Mësimdhënës përdorni mënyrën dëshirore të foljes. Vetëm mënyra dëshirore shpreh dëshirën.

Gjatë shpjegimit të foljeve, respektivisht mënyrave të foljeve, mësimdhënësit duhet të shpjegojnë funksionet e foljeve në fjali. Duhet të tregojnë pse quhet mënyra dëftore, lidhore, kushtore, habitore, dëshirore e urdhërore. Këta mësimdhënës duhet të japin shpjegime rreth funksionit të tyre sintaksor. Gjithashtu duhet të tregojnë se çfarë shenje e pikësimit vihet në fund të këtyre fjalive.

Të gjitha këto duhet të demonstrohet me shembuj. Gjatë leximit në mediat e shkruara dhe ato elektronike, kam hasur që profesori i universitetit që është mësimdhënës i gjuhës shqipe, në fund të fjalive habitore, dëshirore dhe urdhërore i përfundon me shenjën e pikësimit pikë. Në fund të këtyre fjalive duhet të jetë pikëçuditja. Me këtë gabim gjuhësor, mësimdhënësi vetëm e tregon mosdijen e tij në fushën e gramatikës.

Prandaj, me të drejtë mund të pyesim se çfarë mund të presim nga nxënësit ose studentët kur bën gabim gjuhësor mësimdhënësi i gjuhës shqipe? Dallimi në mes të shpjeguarit e gramatikës dhe të letërsisë është se në fushën e gramatikës nuk bën të ketë asnjë gabim gjuhësor. Në letërsi është ndryshe. E lexojmë një vepër dhe e shpjegojmë kuptimin e saj. Fusha e gramatikës është e ndijshme. Për një presje të shkruar në vend të gabueshëm, mund të mbysim një njeri. Prandaj, profesori i gjuhës shqipe para nxënësve dhe studentëve duhet të jetë i përgatitur maksimalisht. Nëse dëshiron të shkruajë ndonjë gjë në mediat elektronike, është mirë të konsiderohet me Fjalorin drejtshkrimor të gjuhës shqipe. Në gramatikë nuk ka gabime të vogla. Aty të gjitha gabimet janë të mëdha.

Në gramatikën e gjuhës shqipe është një formë e posaçme e fjalive, nëpërmjet të cilave folësi ose shkruesi shpreh një dëshirë në formë urimi ose mallkimi. Kjo mënyrë e veçantë e të shprehurit, në gramatikat e gjuhës shqipe shqipe njihet me emrin MËNYRË DËSHIRORE. Ky term është vendosur në Kongresin Arsimor të Lushnjës më 1920. Mënyra dëshirore i ka dy kohë: të tashmen dhe të kryerën.

Krijimi i mënyrës dëshirore është një fakt tashmë i pranuar nga të gjithë ata që janë marrë me problemet e gramatikës së gjuhës shqipe. Shumë gjuhëtarë janë marrë me mënyrën dëshirore dhe në përgjithësi është pranuar se mënyra dëshirore dallohet nga mënyrat e tjera të foljes sepse kanë një prapashtesë të posaçme temëformuese.

Gjithashtu duhet të cek se është pranuar në përgjithësi që kjo mënyrë e foljes është përdorur kryesisht me dy kuptime kryesore: a) me kuptim modal të dëshirueshmërisë, që do të thotë urim, prej nga është krijuar edhe termi OPTATIV, dhe b) me kuptim modal të mundshmërisë ose potencialitetit. Vetëm fjalitë që kanë folje të mënyrës dëshirore, shprehin dëshirën.

Një gabim tjetër që e bëjnë mësimdhënësit e gjuhës shqipe është në përdorimin e pjesores kur e shkruajnë pjesoren GËZUAR dhe mendojnë se kanë shprehur dëshirën në fjali. Kjo është për t’u çuditur. Këta gjuhëtarë nuk po e dinë funksionin e pjesores. Përdorimi i pjesores në fjali për të shprehur dëshirën është i papranueshëm. Pjesorja nuk e ka këtë detyrë. Pjesorja është forma e pashtjelluara e foljes. Pjesorja ka tipare të përbashkëta të foljes, por në periudhat e mëhershme kishte kategori edhe të emrit, përkatësisht të mbiemrit. Termi pjesore rrjedh nga gjuha latine PARTICIPIUM.

Me problemin e pjesores janë marrë albanologë të shumtë dhe të gjithë kanë dhënë mendime të ndryshme. Në të gjitha librat gjuhësorë nuk kam hasur që studiuesit kanë thënë se pjesorja në fjali shpreh dëshirën. Kam lexuar se me anë të pjesores mund të formohen mbiemrat, si p.sh. i, e gëzuar, i,e lodhur, i,e larë etj. Gjuhëtarët kanë shkruar edhe për funksionin sintaksor të pjesores. Me anë të pjesores formohen kohët e përbëra . Mësimdhënësit e gjuhës shqipe funksionet e pjesores i përdorin gabimisht. Këtu vërehet mosnjohja e fushës gramatikore.

Më Shumë

Shpërthimi i fishekzjarreve në Prizren: 25 vjeçari në gjendje të rëndë

Viti i ri nuk ka nisur mirë në Prizren, pasi një pikë shitjeje e mjeteve piroteknike në qytet u përfshi nga një shpërthim i...

LDK-ja në Prizren: Drejtorët e shkollave po shfrytëzohen nga PDK për fushatë zgjedhore

Lidhja Demokratike e Kosovës në Prizren ka kritikuar partinë në pushtet për përfshirjen e drejtorëve të shkollave në parafushatën zgjedhore. Reagimi i plotë: Drejtorët e shkollave...

Lajmet e Fundit