11.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Dëshmitari i gjashtë thotë se fshatarët kanë bërë roje nga frika prej forcave serbe

Dëshmitari i gjashtë me kodin 4355 në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Rexhep Selimit, avokatit Eric Tully tha se fshatarët kanë bërë roje natën nga frika prej forcave serbe.

‘‘Bojshin roje, e runin fshatin nga forcat serbe, kishin frikë natën mos po hijnë e me dhon alarm që ka diçka’’, tha ai, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Paraprakisht, ai pohoi se në një deklaratë për Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS-së) në 2019-ën, kishte thënë se ‘‘në një rast, personi 3 bëri një mbledhje në fshat me dal natën me rujt, personi 3 ka bërë roje me disa djem të rinj, fshati ka bo mbledhje për me bo roje, civilët e fshatit kanë bërë roje’’.

Tutje, i njëjti tha se kjo ka ndodhur në gusht-shtator të 1998-ës dhe se kjo ka qenë punë vullnetare e cila nuk është paguar por që edhe askush s’ka qenë i detyruar ta bëjë.

I pyetur se a ka qenë e zakonshme që edhe fshatrat tjera të e bëjë këtë roje nate, përmbajtja ka qenë e redaktuar.

Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve me dëgjimin e dëshmitarit të gjashtë

Dëshmitari i gjashtë me kodin 4355 po vazhdon dëshminë e tij edhe të martën, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Dëshmitari po përgjigjet në pyetjet e prokurorit të specializuar, Matt Halling, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Halling ka kërkuar që të kalohet në sesion privat për disa pyetje, andaj seanca po vazhdon si e tillë.

Ndryshe, në seancën e sotme të pranishëm në sallë të gjykimit janë Thaçi, Veseli dhe Selimi, kurse Krasniqi është duke e përcjellë seancën përmes video-lidhjes.

Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.

Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.

Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi

 

Më Shumë

Lajmet e Fundit