Në Gjykatën Themelore të Prizrenit, të mërkurën, ka dështuar të nis rigjykimi ndaj ish-inspektorit të ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Bashkim Krasniqi, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Shkak për mos mbajtjen e kësaj seance ishte mungesa e përfaqësuesit të Komunës së Prizrenit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi deklaroi se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor, për çka dhe seanca shtyhet për 23 shtator 2020, në ora 10:00.
Lidhur me këtë akuzë, Bashkim Krasniqi ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prizren, më 18 nëntor 2019, me arsyetimin se nuk është provuar se i njëjti e ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet. Mirëpo, Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim, me arsyetimin se duhet vlerësuar provat dhe të rivendoset për këtë çështje penale.
Prokuroria Themelore në Prizren, më 25 mars 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Bashkim Krasniqit, të cilin e ngarkon se në cilësinë e personit zyrtar, si inspektor i ndërtimtarisë në Komunën e Prizrenit, nuk i përmbush detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për vete apo personin tjetër, apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër.
Në aktakuzë thuhet se, përkundër njoftimit të fundit të lëshuar më 20 tetor 2014, nga Drejtoria e Inspektorateve në Prizren, adresuar investitorit Xhavit Bytyçi, pronar i kompleksit hotelier – shtëpizave nga konstruksioni i drurit “Crazy Love” në Prizren, i bazuar në konkluzionin mbi lejimin e ekzekutimit të dhunshëm të lëshuar më 2 maj 2014, i akuzuari nuk e ka bërë ekzekutimin më 24 tetor 2014 edhe pas kësaj date, edhe pse i njëjti ka qenë i detyruar.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejt