2.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Doli nga shtypi libri monografik “Historia e Gjimnazit të Prizrenit”

Ka dal nga shtypi libri monografik “Historia e Gjimnazit të Prizrenit” i autorit Beqir Letaj.

Në këtë libër autori zbardhë shumë të vërteta për gjimnazin “Gjon Buzuku”, që nga themelimi.

Recensenti i librit, Zog Çoçaj, vlerëson se nxjerrja në dritë e librit monografik, “Historia e Gjimnazit të Prizrenit”, është një hap i guximshëm dhe shumë i rëndësishëm nga ana e tij, për zbardhjen e shumë të vërtetave për Gjimnazin, që nga themelimi deri në periudha të vonshme.

“Autori duke qenë punonjës i Gjimnazit, në konsulta me ish-drejtorë të gjimnazit i përvishet me guxim punës. Bie në kontakt me shumë ish- nxënës duke marr burime të dorës së parë nga ta, me anë të intervistave që i bën drejtpërdrejt me ta por, shpeshherë duke i dhënë edhe burime arkivore, ditar personal, gazeta, fotografi etj”, tregon Çoçaj.

“Nga ky libër lexuesi merr informacione të dorës së pare dhe të panjohura deri më tash për Gjimnazin e Prizrenit”.

Libri fillon me historikun e Prizrenit, me pasurit që i posedon dhe më karakteristikat që e përcjellin vendin nëpër kohë, si ato natyrore historike , arkitektonike dhe ato arkeologjike.

Ai fillon me pushtimin Osman të Prizrenit dhe shndërrimi i tij në qendër administrative, duke treguar vendet të cilat hynin nën administratën e këtij sanxhaku si: Tetova, Gostivari, Nahija e Hoçes,Anadrinia, Gora, Opoja, Hasi,Luma etj.

“Autori na njofton edhe me sanxhakbejlerët të cilët sunduan në këtë vend gjatë shek XVI, gjithnjë duke u bazuar në literaturë të shumë studiuesve vendor si dhe atyre të hua. Është e rëndësishme se specifikohet me anë të tabelave emri, mbiemri dhe viti i sundimit, duke i dhënë hapësirë lexuesit që të thellohet edhe më shumë në kohë si dhe lë hapësirë për plotësim nga studiues të tjerë”, shprehet Çoçaj.

“Është me rëndësi se na njofton me pjesëmarrjen në luftëra të ndryshme të sanxhakbejlerëve nëpër vende të ndryshme, tregon për origjinën e tyre shqiptare, si dhe konvertimin e një numri të madh të banorëve që u konvertuan në Islam sepse ishin përkrahës të Perandorisë Osmane”.

“Ndalet në letrën e Pjetër Mazrekut që i dërgon Papës për konvertimin e një pjese të popullatës në Islam”.

Prizreni ka pasur një numër të madh të personaliteteve të shquara në fushën e kulturës dhe të artit . Historiani Letaj, në këtë libër, na njoftuar për të kaluarën e tyre, veprat dhe gjurmët që lanë në këtë qytet.

“Kujdes shumë të rëndësishëm autori i kushton edhe reformave arsimore të Perandorisë Osmane me theks të veçantë atyre në Vilajetin e Kosovës, ku të gjitha nacionalitetet që e përbënin Perandorinë Osmane kishin të drejtën e shkollimit në gjuhën e tyre amtare, në përjashtim të shqiptarëve. Përshkruhen rrjedhshëm numri i shkollave që funksionuan si dhe arsimtarët e parë të tyre dhe udhëheqësit, si dhe vendin se ku gjendeshin”, tregon recensenti Çoçaj.

Studiuesi Letaj, ndalet edhe në detaje shumë të hollësishme edhe në kohën e formimit të Gjimnazit Real Serb, duke dhënë informata shumë të rëndësishme për themelimin e tij dhe personelin, por gjithnjë duke i dhënë hapësirë që edhe studiuesit e tjerë të kontribuojnë .

“Gjendja arsimore e shqiptarëve të Kosovës në Mbretërinë SKS është kapitull në vete ku jepen në hollësi të dhëna gjatë kësaj periudhe për arsimin shqip, duke u ndalur tek personalitete të shquara të kohës të cilët ndihmuan dhe përcollën mësimin tek popullata , me theks të veçant Shtjefen Gjeçovi, Don Shtjefën Kurtin, dhe personalitete të kohës”.

“Po njashtu ndalet te Rihapja e Gjimnazit Real Serb të Prizrenit dhe veprimtarin e tij gjatë viteve 1919-1941,qëllimi i të cilëve ishte asimilimi i shqiptarëve”, shprehet ai.

Studiuesi Letaj, ndalet në hollësi dhe trajton rrethanat historike dhe arsimore në Kosovë gjatë vitit 1941, ku konsiderohej si një ndër periudhat më e ndritur e arsimit dhe bashkëpunimit me arsimin shqip të Shqipërisë, apo te ne që njihej si periudha e Ernest Koliqit ose koha e zhdukjes së analfabetizmit.

Hapësirë të konsiderueshme i kushtohet edhe Ali Hashorvës, i cili dha shumë për arsimin shqip.

“Kjo është edhe koha e hapjes së Liceut të Prizrenit (gjimnaz )më 11 dhjetor 1941, i pari në Kosovë, me dy mësimdhënës Kolë Margjinin dhe Lukë Çunin, në bashkëpunim me Inspektoratin e Arsimit të Prizrenit, Beqir Spahiun. Këtë periudhë autori jep dëshmi të dorës së parë si në aspektin e personelit arsimor njashtu edhe nxënësit e kësaj kohe, konkretisht duke u mbështetur në burime arkivore”.

Ministria e Arsimit të Tiranës më 9 dhjetor 1942, ia ndërron emrin Gjimnazit të Prizrenit, duke ia vendosura “ Gjon Buzuku”.

Autori duke u mbështetur në literaturë dhe burime të dorës së parë jep informacione shumë të rëndësishme për gjendjen arsimore në Kosovë gjatë viteve 1941-44.

“Informacione shumë të rëndësishme me anë të dokumenteve mund të gjejmë për periudhën arsimore të vitit 1945, ku nga Drejtoria e Arsimit të Shqipërisë që udhëhiqej tash do të udhëhiqej nga Ministria e Beogradit, ku në këtë kohë njihet edhe si Gjimnazi Serb i Prizrenit”.

Letaj duke u thelluar në periudha të ndryshme, nuk anashkalon edhe zhvillimet e arsimit gjatë viteve 1946-47.Kohën e diskriminimit të arsimit shqip, duke i mohuar edhe të drejtën e funksionimit të Gjimnazit të Prizrenit.

“Në këtë periudhë autori mbështetet në dokumente arkivore dhe në intervistat e ish-nxënësëve të Gjimnazit. Është periudha e tronditjes së opinionit se kemi pushkatim e profesorëve si Lazër Berisha dhe Kolë Parubi. Largimin e shumë mësimdhënësve nga puna me anë të dhunës dhe presionit”.

Autori në këtë libër ndalet në vitet 1950-55, kur Gjimnazi i Prizrenit fillon punën me ndryshime shumë të mëdha.

“Vlerë e rëndësishme e librit është se përfshihet në të organizimi e arsimit privat në Gjimnazin e Prizrenit “, tregon Çoçaj.

Ndërkaq, autori i librit, Beqir Letaj, thotë se Gjimnazi i Prizrenit, i cili tash e mban emrin e Gjon Buzukut, është një institucion arsimor i respektuar në Kosovë, e më gjerë.

“Nga kjo shkollë kanë dal shumë personalitete të profileve shkencore , kulturore dhe politike”, tregon Letaj.

Libri është botuar nga “Altera”.

/PrizrenPress.com/

 

 

Më Shumë

Policia në Suharekë konfiskon dy armë zjarri

Në 24 orët e  fundit, policia në Suharekë ka konfiskuar dy armë zjarri.     Siç bëhet e ditur, në rastin e parë, gjatë  kontrollit në automjetin...

Zyrtare: Roma konfirmon se De Rossi do të vazhdojë si trajner në 2024-25

Dan dhe Ryan Friedkin njoftojnë se Daniele de Rossi do të qëndrojë në krye të Roma-s në sezonin 2024-25. Pronarët e Roma-s, Dan dhe Ryan...

Lajmet e Fundit