I akuzuar nga prokuroria për veprën penale të sulmit, Uron Ibrahimi është deklaruar i pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Dragash.
Ai po akuzohet se e kishte sulmuar me shuplakë dhe shqelma të miturin A.M, pasi fillimisht i ishte drejtuar me fjalët “mos luani me top këtu, se po mi trembni delet”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Shehadin Destani dhe njoftimit me të drejtat e tij procedurale nga ana e gjyqtares Sabaheta Kurteshi, Ibrahimi tha se nuk ndihet fajtor për veprën me të cilën ngarkohet.
“Nuk mund ta pranoj fajësinë për diçka që se kam bërë, unë nuk e kam sulmuar djalin, vetëm e kam dërguar te babai i tij”, ka deklaruar Ibrahimi.
Pas deklarimit të tij, gjyqtarja Kurteshi e ka udhëzuar të akuzuarin që në afat prej 30 ditësh ka të drejtë që të paraqes me shkrim, kërkesën për hudhje të aktakuzës, kurse seancën e radhës për këtë rast e ka caktuar me datën 30 qershor 2021, në ora 09:15.
Sipas aktakuzës së ngritur më 15 tetor 2020 nga Prokuroria Themelore në Prizren, Uron Ibrahimi po akuzohet se më 10 shtator 2020, rreth orës 18:30, në fshatin Zgatar të Komunës së Dragashit, saktësisht në vendin e quajtur “Gjerman të Zgatarit”, me dashje e përdor forcën ndaj të dëmtuarit-të miturit A.M.
Sipas aktit akuzues, vepra ndodh në atë mënyrë që derisa i dëmtuari ishte duke lozur me top së bashku me motrën e tij, në vendin e cekur, në momentin kur arrin i pandehuri me kopenë e deleve të tij, i afrohet të dëmtuarit dhe fillimisht i drejtohet me fjalët “mos luani me top këtu, se po mi trembni delet”, e me pas kthehet përsëri dhe e godet me shuplakë në pjesën e majtë të kokës, si edhe e godet me shkelm. Mirëpo, në aktin akuzues thuhet se sipas raportit mjekësor të QKMF në Dragash, është konstatuar se nuk vërehen lëndime trupore.
Me këto veprime, Uron Ibrahimi po akuzohet se ka kryer veprën penale “sulmi”, nga neni 184, paragrafi 3, nën paragrafi 3.1 e Kodit Penal të Kosovës./BetimipërDrejtësi