12.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Dy policë po akuzohen për keqtrajtim të një qytetari në Suharekë

Në gjykimin ku zyrtarët policorë Blerim Kuqi dhe Florim Priku po akuzohen për keqtrajtimin e Baki Shalës, polici Elami Kabashi thotë të ketë pasur skuqje në fytyrën e të dëmtuarit, gjatë kohës kur ai ishte dërguar në stacion policor.

Në seancën e mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Suharekë, duke u dëgjuar në cilësi të dëshmitarit, Kabashi tha se pas marrjes së informatave të para, Shala ka qenë person i dyshuar për sulm të policëve.

“Në bazë të informacioneve që kam marrë, se i njëjti ka sulmuar patrullën e policisë dhe një polic ka pësuar lëndime, për mu ka qenë person i dyshuar, andaj nuk e kam shikuar-vërejtur se ka ndonjë lëndim. Me sa më kujtohet ka pasur skuqje në fytyrë, por në cilën pjesë nuk më kujtohet”, ka deklaruar dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se kur ka shkuar në stacionin policor në Mushtisht, i dëmtuari ishte vendosur në një zyrë dhe ishte duke u shoqëruar nga një zyrtar policor, emri i të cilit tha se nuk i kujtohet.

Pas dëgjimit të tij, gjykatësi Lavdim Bajraktari e ka caktuar seancën e radhës për 2 shtator 2021, në ora 9:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, Blerim Kuqi dhe Florim Pirku, akuzohen se më 7 mars 2018, në fshatin Mushtisht të Komunës së Suharekës, në një pikë kontrolli, si persona zyrtar të cilët duke e keqpërdorur detyrën zyrtare apo autorizimet e tyre, e keqtrajtojnë, frikësojnë, fyejnë rëndë dinjitetin e personit tjetër.

Sipas aktakuzës, derisa të pandehurit kanë qenë në detyrë, e ndalin të dëmtuarin Baki Shala për shkak të kundërvajtjes në trafik dhe gjatë shqiptimit të kundërvajtjes dhe mosmarrëveshjes që lind gjatë kësaj, i pandehuri Blerim Kuqi e fut dorën në automjet duke ia fikur atë dhe e godet të dëmtuarin me grushte disa herë në fytyrë, ndërsa i pandehuri Florim Pirku futet nga mbrapa në veturë të të dëmtuarit dhe e godet me grushte në kokë dhe fytyrë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Me këto veprime, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” nga neni 198 paragrafi 1 të Kodit Penal, ku dënimi parashihet prej 3 muaj deri në 3 vite burgim. Kjo vepër penale është e lidhur edhe me nenin 31 të Kodit Penal, ku parashihet dënimi edhe për personin e dytë i cili merr pjesë në veprën penale ose kontribuon në kryerjen e veprës penale. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Këta dy shokë krijuan lëkurën nga kaktusi dhe i shpëtuan jetën 1 miliardë kafshëve

Adrian dhe Marte, dy sipërmarrës me origjinë nga Meksika, kanë zhvilluar një 'lëkurë' vegane të quajtur "Desserto" nga Kaktusi. Ky material eco-friendly ngjan shumë me...

Promovohet libri “Fotografitë që pavdekësuan Prizrenin”

Libri " Fotografitë që pavdekësuan Prizrenin" i autorit Salajdin Krasniqi u promovua mbrëmë në Prizren . Libri është vlerësuar lartë. Redaktori Dr. Nexhat Çoçaj tha se...

Lajmet e Fundit