5.9 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“EC Ma Ndryshe”: Institucionet ngufasin hapësirën rreth LSHP-së

Lidhja Prizrenit8-02aOrganizata Joqeveritare “EC Ma Ndryshe” ka nisur nga muaji korrik, zbatimin e projektit “Urbanizmi i Prizrenit nën vëzhgim të përhershëm”, përkrahur financiarisht nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS).

Koordinator i Projektit, Valon Xhabali tha se nevoja për mbikëqyrjen e zhvillimeve në sektorin e urbanizimit ka rrjedhë si pasojë e zhvillimeve të shumta negative gjatë periudhës së pasluftës dhe tranzicionit që janë manifestuar me degradimin urban dhe planifikimin e pa-balancuar hapësinor. “Projekti synon që të instaloj një sistem të monitorimit të përhershëm të aktivitetit shtetëror (dy nivelet e pushtetit dhe organet e drejtësisë) në fushën e menaxhimit dhe zhvillimit urban në qytetin e Prizrenit, me theks të veçantë në Qendrën Historike të tij, për të siguruar rend urbanistik”, tha Xhabali.

Bazuar në këto parime, “EC Ma Ndryshe” gjatë muajit korrik ka analizuar çështjen e ndërtimit të një shtëpie individuale të banimit pranë Kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, përkundër shqetësimeve dhe vërejtjeve të ngritura nga përgjegjësit e këtij kompleksi, për ngufatjen e hapësirës përreth monumentit më të vizituar historik në Kosovë.

“Ndonëse kërkesa e parë për ndërtimin e shtëpisë afër Lidhjes së Prizrenit, nga pronari A. P. ishte deponuar pranë institucioneve përgjegjëse në shkurt të vitit 2003, ato nuk kanë arritur që të gjejnë një zgjidhje të duhur për kompensimin e pronarit dhe lirimin e hapësirës pranë Kompleksit Muzeor të Lidhjes së Prizrenit. Paralajmërimi i pronarëve të shtëpisë nuk është trajtuar seriozisht nga institucionet lokale dhe ato qendrore”, tha Xhabali.

Në maj të vitit 2007-ës pushteti lokal kishte rrënuar ish-objektin e Komunës (në krahun e majtë të muzeut) me qëllim që të krijonte hapësirë dhe park për kompleksin e LSHP-së. “Pesë vite më vonë me lejen e qeverisë komunale dhe asaj qendrore i është dhënë drita e gjelbër ngufatjes së hapësirës rreth LSHP-së (në krahun e djathtë), edhe pse përgjegjësit e LSHP-së kishin kundërshtuar një gjë të tillë, duke pasur parasysh vizionin për zhvillimin e monumentit si pikë të rëndësishme turistike, që bën pjesë në zonën e parë historike të Prizrenit”, theksoi ai.

Sipas tij, neglizhenca institucionale disavjeçare ka bërë që pronarët e shtëpisë të përsërisin kërkesën e tyre për leje të ndërtimit të shtëpisë në maj të vitit 2012 për shkak se objekti i vjetër (P+0) ka qenë i pabanueshëm. “Në bazë të dokumenteve të siguruara nga DUPH-ja, kjo drejtori kërkesën ia përcjell Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve Historike në Prizren, më 3 korrik 2012. IMMH më 17 korrik ia adreson kërkesën Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në MKRS, pasi që nga qershori i 2010-ës ishte pezulluar dhënia e lejeve-pëlqimeve nga autoritetet lokale”, tha Xhabali.

Komisioni për Shqyrtimin e Vlerësimin e kërkesave-projekteve restauruese-konservuese të Trashëgimisë Kulturore në mbledhjen e 27 korrikut të 2012-ës “jep pëlqimin për ndërtimin e shtëpisë , sipas projektit të sjellë, pasi që ju ka përmbajtur stilit të traditës së vjetër qytetare”. Bazuar në këtë pëlqim MKRS më 1 gusht 2012 konfirmon pëlqimin me një vendim formal. Më pastaj IMMH-ja në Prizren më 16 gusht 2012 jep pajtimin për hartimin e projektit kryesor. Pas kësaj procedure, DUPH-ja në shtator 2012 lejon pronarin e objektit që të rrënoj objektin ekzistues dhe në tetor 2012 pranon të drejtën e ndërtimit të shtëpisë individuale, me etazh B+P+1.

“Në këtë rast pronari i shtëpisë A.P. është dëshmuar si i përgjegjshëm ngase ka ndjekur të gjitha procedurat për tu pajisur me leje dhe vetëm më pastaj ka nisur punimet në ndërtimin e shtëpisë. Ndërkohë institucionet e qeverisë lokale e qendrore nuk janë treguar sa duhet vigjilente në ruajtjen e hapësirës përreth monumenteve të rëndësishme historike”, tha ai

“EC Ma Ndryshe” përkujton se me qëllim të ruajtjes së vlerave arkitektonike, pushteti lokal kishte shkëmbyer pronat e veta me pronarët e shtëpisë së Musa Sheh Zades, ndërkohë që së fundmi si interes të përgjithshëm ka shpallur shtëpinë e Shuaip Pashë Spahiut, edhe atë pas investimit të 110 mijë eurove nga buxheti komunal, në pronën me konteste gjyqësore. Po ashtu pa i sqaruar në tërësi çështjet e kompensimit pronësor qeveria komunale pat rrënuar disa lokale te Xhamia e Sinan Pashës, për të liruar hapësirën rreth këtij monumenti, dhe ende ballafaqohet me drejtësinë për këtë rast. Ndërsa në rastin konkret nuk ka pas asnjë nismë për kompensimin e pronarit të shtëpisë afër LSHP-së dhe hapjen e hapësirës rreth monumentit më të vizituar historik të Kosovës.

“Ligji për Trashëgiminë Kulturore të Kosovës, neni 6, paragrafi 4 përkufizon se “Monumentet arkitekturale nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme kanë një zonë t? mbrojtjes, që është 50 metra nga perimetri i monumentit”, dhe kjo dispozitë nuk është respektuar në këtë rast nga vet institucionet kompetente”, tha Xhabali

“EC Ma Ndryshe konstaton” se edhe në rastin kur qytetari tregohet i përgjegjshëm, institucionet dështojnë në realizimin e tërësishëm të detyrave të tyre për ruajtjen dhe zhvillimin e Trashëgimisë Kulturore.

“EC Ma Ndryshe’ rekomandon trekëndëshin institucional, DUPH, IMMH dhe MKRS që të jenë më të kujdesshme me interpretimet ligjore dhe më aktive në terren gjatë shqyrtimit të kërkesave për lejet ndërtimore afër monumenteve të rëndësishme historike”. EC Ma Ndryshe i bën thirrje qeverisë komunale që të mos zbatoj standarde të dyfishta rreth shpronësimeve që lidhen me Trashëgiminë Kulturore dhe zhvillimin e saj.

Urbanizimi i Prizrenit nën vëzhgim të përhershëm” do të vazhdoj me monitorimin dhe publikimin e të gjeturave në sektorin e urbanizimit dhe planifikimit hapësinor, sikurse edhe me adresimin e përgjegjësisë institucionale. “Urbanizmi i Prizrenit nën vëzhgim të përhershëm”, përkrahet financiarisht nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS)./PrizrenPress.com/

Lidhja Prizrenit8-02cLidhja Prizrenit8-02Lidhja Prizrenit8-02b

Më Shumë

Suhareka e refuzon kërkesën e Ballkanit që “Xhebrailat” të jenë në derbi

Tifozëri të tyre zyrtare nuk kanë. Por FC Suhareka po dëshiron që në derbin e qytetit, edhe Ballkani të luaj pa mbështetësit e tyre të...

Moti për sot me vranësira dhe reshje bore, minimalja minus 2 gradë Celsius

Vikendi pritet të karakterizohet nga moti i ndryshueshëm. Instituti Hidrometeorologjik të Kosovës bën të ditur se të shtunën moti është kryesisht i vranët dhe me...

Lajmet e Fundit