EULEX-it mund t’i zgjatet mandati edhe pas qershorit të viti 2016. Kjo është paraparë në konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Evropian për Kosovën rreth liberalizimit të vizave.
Zyrtarë të BE-së dhe Qeverisë së Kosovës, nuk kanë dashur të komentojnë rreth kësaj çështje.
Bashkimi Evropian mund t’i vazhdojë mandatin misionit të saj për Sundim të Ligjit, në Kosovë, EULEX edhe pas qershorit të vitit 2016, kur ishte paraparë që ky mision të përfundojë mandatin e saj.
Kjo është bërë e qartë edhe më konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Evropian për Kosovën rreth liberalizimit të vizave.
Në pikën shtatë të këtyre konkluzioneve thuhet që “Kosova duhet të bashkëpunojë ngushtë dhe në mënyrë efektive me EULEX-in dhe të kontribuojë aktivisht në zbatimin e plotë dhe të papenguar të mandatit të këtij misioni, duke përfshirë edhe një mandat të rishikuar pas qershorit 2016,” thuhet në konkluzat e BE-së.
Ndërkohë që zyrtarë të BE-së, në Prishtinë, por edhe zyrtarë të qeverisë së Kosovës janë shprehur të rezervuar për të komentuar rreth kësaj çështje.
Zyra e BE-së në Prishtinë, përmes postës elektronike i ka thënë Radio Kosovës se “një rishikim strategjik i mandatit të EULEX-it është aktualisht duke u zhvilluar nga shtetet anëtare të BE-së, në prag të përfundimit të mandatit të tanishëm, i cili zgjatë deri në qershor të 2016-ës”.
E në anën tjetër zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, kanë thënë se ende nuk është diskutuar, për vazhdimin apo jo të mandatit të EULEX-it pas qershorit të 2016-ës.
Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka thënë për Radio Kosovën se ende nuk është vendosur asgjë në lidhje me vazhdimin ose jo të mandatit të EULEX-it, ka thënë ministri Kuçi, përmes një mesazhi telefonik.
Gjatë punës së vet EULEX-I, që nga vitit 2008, ka pasur rol të zgjeruar shpesh edhe vendimtar në mbikëqyrjen dhe formësimin e drejtësisë dhe ligjit në Kosovë.
Roli i tij kryesor ishte në menaxhimin e rasteve – të korrupsionit dhe krimeve të luftës – të cilat konsideroheshin të ndjeshme për autoritetet lokale.
Në qershor të 2014 ishte bërë rishikimi i mandatit të këtij misioni, i cili do të vazhdonte me hetimet ekzistuese, porse prokurorët e tij nuk do të mund të iniciojnë raste të reja sipas ligjit i cili ishte miratuar në Kuvend, para se ai të shpërbëhej në prill të 2014.
Megjithatë, këto vendime ishte thënë që atëherë do të mund të ndryshonin. Misioni i BE-së, pati deklaruar se “mund të kërkojë që raste të reja të u caktohen prokurorëve të EULEX-it dhe të kërkojë shumicë të EULEX-it në panele të gjykatave në rrethana të jashtëzakonshme”, patën deklaruar asokohe zyrtarë të BE-së. /RTK