-0.8 C
Prizren
E hënë, 13 Janar, 2025

Fabrikat e diplomave

Shkruan: Prof. Gani Rudaj 

Është një shekull ku shtetet e tjera merren me zbërthimin e problemeve të ndryshme madhore, kurse në Kosovë çështja e arsimit ende është problemi kryesor i pazgjidhur kombëtar.

Ky problem është shumë serioz.

Është koha kur të tjerët bëjnë plane se si ta pushtojnë Hënën, ne mjerisht ende ecim në këmbë dhe atë ecje e bëjmë në rrugë të gabuar. Këtë problem të arsimit po e nxisim vetë ne.

Në kohën e okupimit serb për mossuksesin në fushën e arsimit e fajësonim okupatorin. Në atë kohë mospasja e teksteve dhe objekteve shkollore ishte evidente. Biblioteka publike nuk punonte për nxënësit shqiptarë. Në shumë shkolla mungonin kuadrot profesionale për lëndët mësimore përkatëse. Të ardhura personale nuk kishte dhe qindra të tjera të zeza me vite të tëra i shoqëronin nxënësit dhe mësuesit.

Mirëpo, populli ynë u qëndroi trimërisht rrebesheve të kohës së pakohë, e mbajtën arsimin të gjallë. Studentit i vinte era student, e nxënësit era nxënës.

Të dy ishin shumë krenarë.

Mosdhënia e një provimi ishte vetëm një shtysë edhe më shumë për studentët që të mësojnë më shumë ose t’i braktisin studimet. Vetëm të suksesshmit ecnin përpara.

Në kokën e studentit ishte mbjellë formula se pa arsim nuk mund të ketë përparim. Të diplomuarit kanë dalë me faqe të bardhë në profesionet e tyre që në të ardhmen do t’i zbatojnë në praktikë e jetë. Kaluan të këqijat që ishin rënduar mbi popullin shqiptar.

Një ditë erdhi liria e shumëpritur.

U hapën rrugët e lira për punë dhe shkollim. U hap Biblioteka publike e qytetit për nxënësit dhe studentët. U ndërtuan shkolla të reja. Nxënësit, studentët dhe mësimdhënësit shkonin pa frikë nëpër shkolla. Të gjithë menduam se tani e tutje në rend të parë arsimi do të ecë hapave të sigurt. Të gjitha kushtet ishin krijuar. Tani kishin mbetur vetëm dy punë: mësuesi të punojë dhe nxënësit të mësojnë.

Por, ç’ ndodhi me arsimin?

Biblioteka nuk vizitohet nga nxënësit dhe studentët. Fajet i kanë mësimdhënësit që nuk po i angazhojnë për të lexuar. Me këtë punë që po e bëjmë vetëm po e vërtetojmë se niveli i arsimimit në shtetin tonë nuk është në shkallën e duhur. Nuk meriton notën kaluese. Për arsye të këtij niveli arsimor vërehet prapambetja e madhe në shumë fusha. Për mossuksesin e arsimit në Kosovë fajet i ka shteti. Ky mendim bazohet në dukurinë se libraritë tona janë të mbushura me libra shkencorë, kemi edhe tekste shkollore. Krejt këta libra do të ishin të mira sikur të ishin të kontrolluara para botimit nga organet kompetente.

Autorët të cilët janë me tituj shkencorë, i botojnë këto tekste pa ua vënë syrin se a kanë vlerë apo jo. Thjesht këto botime bëhen për përfitime materiale. Mendoj se nuk mjafton vetëm vullneti për të shkruar një vepër shkencore, por unë mendoj se në rend të parë duhet të mësohet teknika e të shkruarit dhe kjo arrihet vetëm duke qenë gjithmonë në përcjellje të shkencës.

Libri shkencor është i ndijshëm.

Autori i tij duhet të jetë shumë i përgatitur. Në këto libra nuk duhet të jetë asnjë gabim gjuhësor e kuptimor. Detyra e këtyre librave është që të jenë të kapshme si për nxënësit, ashtu edhe për studentët. Mësimdhënësit duhet të kuptojnë se është një profesion që lëndon lehtë, por në të ardhmen shkakton plagë të rënda të pashërueshme përjetësisht.

Shteti ynë bëri dy punë.

Njërën punë e bëri që ndërtoi shkolla të reja në mbarë Kosovën gjë që është një punë për të lavdëruar dhe ka bërë jo një punë të mirë me lejimin e hapjeve të kolegjeve private. Kolegji privat është çështje biznesi. Kush ka kapital, studion dhe sigurisht diplomon.

Aspak nuk është gjendja më e mirë në fakultetet shtetërore. Prandaj, unë këto i quaj: FABRIKA PËR PRODHIMIN E DIPLOMAVE!

Me këtë politikë të punës ne nuk bëjmë asgjë tjetër përveç se krijojmë analfabetë me diploma për popullin tonë.

Kjo pasqyrë po shihet.

Për shembull në fakultetin Juridik para shumë vitesh, njëri prej provimeve kryesore ka qenë provimi me titullin E drejta romake. Këtë libër e ka shkruar Ivo Puhan.Ai ka qenë DOKTOR me plot kuptimin e fjalës. Mjerisht, sot po dëgjoj se kjo lëndë është bërë semestrale!!! Kjo është e pakuptimtë. E keqja vlen edhe për degët e tjera.

Për shembull:

Në provimin e quajtur Teoria e letërsisë, që dikur ka qenë një ndër provime që kërkonte një punë serioze për përgatitjen e tij, sot këtë provim e kalojnë pa asnjë problem. Dikur për këtë provim studentët kanë qenë të obliguar t’i lexojnë dyqind romane dhe me shkrim ta bëjnë analizën e vetëm një vepre letrare. Kjo gjithashtu vlen edhe për Letërsinë popullore. Për të dyja këto provime rëndësi të madhe ka pasur kultura drejtshkrimore.

Programet mësimore për shkollat fillore dhe të mesmet janë ligj i jetës shkollore. Këto programe duhet të jenë të njëjta për të gjitha lëndët mësimore. Kjo gjë është e mirë, mirëpo problemi është se mësimdhënësit nuk i përmbahen këtij rregulli. Në ditar shkruhen të tjera njësi e para nxënësve mësimdhënësit shpjegojnë ndonjë tjetër mësim që e njohin më mirë. Për shembull me planprogram është paraparë shpjegimi i foljeve të parregullta, profesori shpjegon Naim Frashërin.

Arsyeja se pse vepron një mësimdhënës kështu, dihet. Punëtori i arsimit për këtë njësi mësimore nuk është i përgatitur. Nuk e njeh fushën e gramatikës. Këtu për lëndën e gjuhës shqipe më së miri është që të jenë dy mësimdhënës. Njëri le të jetë i gjuhës e njëri i letërsisë. Me këtë mënyrë problemi zgjidhet. Për tri vite sa është shkolla e mesme, i ashtuquajturi profesor i gjuhës shqipe, nuk e shpjegon asnjë njësi mësimore nga fusha e gramatikës. Ky profesor që punon me të njëjtit nxënës për tri vite, nxënësve ua ligjëron letërsinë kombëtare shqipe dhe atë botërore.

Edhe në fushën e letërsisë profesori bën gabim. Për shembull për vjershën ” O moj Shqipni ” ose të ndonjë vjershe tjetër, mësimdhënësi ia jep për detyrë që vjersha duhet që të mësohet përmendësh! Mësimi i vjershave përmendësh nga ana e nxënësve është një punë e lehtë. Më mirë do të ishte që nxënësit ta bëjnë analizën me shkrim për vjershën. Të tregojë nxënësi se pse dhe kur u shkrua vjersha. Me një fjalë të tregohen rrethanat historike të kohës së krijimit të poezisë, e jo të na tregojnë se çfarë ka shkruar poeti. Mësimi i vjershave përmendësh mund të bëhen te filloristët. Ata janë më të vegjël. Këtë që e thashë për gjuhën dhe letërsinë nuk vlen për të gjithë mësimdhënësit. Megjithatë, ata që e bëjnë punën e tyre ashtu siç duhet, janë në numër shumë të vogël.

Është koha të kuptojmë njëherë e përgjithmonë se detyra e mësuesit është e shenjtë dhe shumë e çmuar. Ata merren me edukimin e brezit të ri me qëllim që ky brez në të ardhmen e afërt të dalë i pathyeshëm para sfidave profesionale që do të sjellë jeta. Nxënësit janë si letra e bardhë ku ne duhet të shkruajmë drejt në të. Edhe mësuesi, edhe nxënësit duhet të thithojnë vazhdimisht me etje të madhe diturinë.

Shkenca nuk është statike, ajo gjithmonë është në lëvizje. Duhet të luftojmë që rinia jonë të bëhet e zonja e vetvetes që në të ardhmen e saj të afërt të japë kontributin e saj modest në të gjitha lëmitë. Kuadrot e çdo lëmie në rend të parë duhet ta njohin shkencën dhe ta përcjellin atë në vazhdimësi. Nëse prifti në kishë mban BIBLËN në dorë dhe hoxha gjithashtu mban KURANIN në xhami me të vetmin qëllim që para popullit të dalin të përgatitur mirë në profesionet e tyre, atëherë pse edhe mësuesi të mos e mbajë në dorë

Fjalorin drejtshkrimor në mënyrë që të mos shkojë rrugës së Aragonit?

Mendoj se Ministria e Arsimit duhet të tregojë një kujdes të veçantë për të gjithë punëtorët e arsimit. Ministria e Arsimit të ndjekë me seriozitet të madh rrugën e fituar të diplomave universitare. Mos të harrojmë se kemi të bëjmë me ardhmërinë tonë. Për momentin e kemi vendin e parë në Evropë sa i përket njerëzve që janë
Doktorë shkencash!

Më Shumë

Kryetari i KBI-së, Valon ef. Ibrahimi vizitoi Konsullatën e Turqisë në Prizren

Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, Valon ef. Ibrahimi, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, realizoi një vizitë zyrtare te Konsullata e...

PDK-ja në Prizren gati për zgjedhjet e 9 shkurtit

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në Prizren ka përfunduar të gjitha përgatitjet për një fushatë zgjedhore të suksesshme për zgjedhjet e 9 shkurtit. Zëvendësshefi i...

Lajmet e Fundit