20.8 C
Prizren
E shtunë, 11 Maj, 2024

Fati i LDK-së varet nga ai i PDK-së

Dukagjin_Gorani1Analisti politik Dukagjin Gorani ka thënë se Isa Mustafa është detyruar t’i emërojë ministrat nga radhët e LDK-së, të cilët nuk janë kundër koalicionit me PDK-në.

Gorani, duke e komentuar ceremoninë e pranim-dorëzimit të detyrës të postit të kryeministrit nga Hashim Thaçi tek Isa Mustafa, ka thënë se kryeministri i ri ka nevojë për qeveri funksionale dhe bashkëpunuese por, sipas tij, një gjë e tillë mund të arrihet vetëm duke bashkëpunuar me PDK-në.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Gorani ka vlerësuar se thellimi i bashkëpunimit me PDK-në vetëm sa do ta dëmtojë imazhin e tij si lider i LDK-së.

“Tash e sa vjet opinioni u mësua ta përjetojë Mustafën si rival historik të Thaçit, andaj edhe pret që ai ta margjinalizojë atë, që ta mposhtë si autoritet shtetëror. Mirëpo, nëse kjo ndodh, kjo do t’i jepte fund edhe vetë koalicionit; qeveria do të rrëzohej, kurse përgjegjësia për këtë do t’i faturohej në tërësi Mustafës. Vërtet, situatë makabre: Mustafa mund ta përmirësojë imazhin vetëm nëse e rrënon Thaçin, mirëpo në kontekstin e sotëm kjo nënkupton edhe rrënim të vetvetes”, ka deklaruar Gorani. Në këtë kontekst, Gorani ka thënë se fati i LDK-së varet nga ai i PDK-së. “Mendoj se LDK-ja ka bërë një gabim të jashtëzakonshëm dhe ka ngatërruar veten së tepërmi. Fati i saj sot është i pashkëputshëm nga fati i PDK-së. Tash e tutje rënia e PDK-së do ta nënkuptojë edhe rënien e LDK-së”, ka thënë Gorani.

Ai ka deklaruar se Isa Mustafa është detyruar të emërojë ministra nga radhët e LDK-së, të cilët nuk janë kundër koalicionit me PDK-në. Vendimi i tillë do të ketë pasoja të mëtutjeshme brenda partisë meqë ministrat aktualë të LDK-së shquhen për afërsi me PDK-në.

“Nga njëra anë kjo do të prodhojë përshtypje të një bashkëpunimi të mirë ndërpartiak në të ardhmen, në anën tjetër ky përafrim ndër-ministror e ndërpartiak vetëm sa do ta thellojë më tutje ndarjen brenda LDK-së meqë do të interpretohet si vazhdim i tradhëtimit të parimeve bazë të kësaj partie”, është shprehur Gorani.

Ai e ka komentuar edhe pikën e marrëveshjes në mes të PDK-së dhe LDK-së, ku Hashim Thaçi do të bëhet president, pasi Atifete Jahjaga ta përfundojë mandatin e saj.

Gorani i ka quajtur naive taktizimet e Thaçit për t’u bërë i pari i shtetit. “Mendoj se janë tepër naive edhe taktizimet e Thaçit, i cili angazhimin e sotëm në kabinetin e Mustafës e sheh vetëm si një trampolinë për postin e presidentit. Ai e di fare mirë qëndrueshmërinë e marrëveshjeve politike: shpeshherë ato nuk vlejnë as sa ngjyra e lapsit me të cilin janë nënshkruar. Mendoj se përmbajtja aq prozaike e marrëveshjes PDK – LDK, e përqendruar vetëm në ndarje të posteve, dëshmon për një krizë të madhe të besimit tek të dy liderët”, ka deklaruar Gorani.

Më Shumë

Sonte, finalja e Eurovisionit

Sonte do te mbahet nata finale e Eurovision Song Contest 2024. Këtë vit, Shqipëria u përfaqësua me këngën ‘Titan’ nga Besa Kokëdhima e cila nuk...

“Një çift nuk martohet për m’u nda”- Blero dhe Afrona përloten gjatë intervistës

Është publikuar një promo më e gjatë e podcast-it të Blero Muharremit me Afrona Dikën. Në një minutë, kuptohet se është fjala për një intervistë...

Lajmet e Fundit