6.8 C
Prizren
E diel, 21 Prill, 2024

Fenomeni DokuFest

agron demiiShkruan:Agron Demi

Për dallim nga politikanët vendorë të cilët Kosovën kanë arritur ta vendosin vetëm në hartat e vendeve më të korruptuara, hartat e vendeve me qeverisje gjysmë autoritare, hartat e vendeve më të izoluara, hartat e vendeve më të varfëra; DokuFest ka arritur të vë Kosovën në hartën kulturore botërore.

Si “dhezin” gjërat? Çfarë bën që një ide të jetë e suksesshme dhe të marr dhenë? Kjo është një nga çështjet të cilat preokupon individët, shoqëritë, nismat e ndryshme. Malcolm Gladwell i kushton një libër të tërë trajtimit të kësaj çështje (“The Tipping Point”).

Pika kulminante apo kur gjërat marrin dhenë është një ndërthurje komplekse në mes të idesë, ambientit, njerëzve të cilët e përhapin atë ide, kohës e shumë karakteristikave tjera.

E ngjarja e cila ka arritur pikën më kulmore dhe ka “dhezur” si asgjë tjetër në Kosovë është DokuFest.

Cila është ngjarja e cila ka prodhuar më së shumti lajme pozitive për Kosovën në mediat e huaja?

DokuFest. Jo vetëm shkrimet e “Reuters” dhe “The Guardian”, të cilat raportuan për ngjarjen më të madhe kulturore në Kosovë, por edhe viteve të kaluara DokuFest ka qenë pjesë e mediave më prestigjioze ndërkombëtare. Më 2009, DokuFest është cilësuar si njëri ndër 25 festivalet më të mira të filmit në botë nga kritiku i filmit Aj Schnack. Më 2013, “IndieWire” shkruante për DokuFest si një ndër shtatë festivalet më karakteristike, në të cilin ndodhin gjëra të mrekullueshme.

Cila është ngjarja e cila ka sjellur më së shumti turist të huaj në Kosovë?

DokuFest. Prej një numri konstant prej rreth 10 mijë vizitorëve ne vit që vizitojnë DokuFest, rreth 25% prej tyre janë vizitorë ndërkombëtarë, qoftë në kapacitet të të ftuarve zyrtarë në festival, apo vizitorë të tjerë të cilët kanë dëgjuar për DokuFest dhe vizitojnë këtë festival.

Cila është ngjarja e cila ka arritur që të mobilizoj numrin më të madh të vullnetarëve të rijnë?

DokuFest. Pas vitit 1999, vullnetarizmi i të rinjve kosovarë, i shprehur në masë të madhe gjatë viteve të ’90, u shua duke i lënë vendin ngarendjes ndaj përfitimeve materiale. DokuFest përbën përjashtim. Ky festival ka arritur të mobilizoj numrin më të madh të vullnetarëve të rinjë dhe për këtë vullnetarët të ndjehen krenarë. Vetëm këtë vit së paku 140 vullnetarë kanë qenë të angazhuar për të ndihmuar në mbarëvajtjen e festivalit. DokuFest ka arritur të bëjë për vullnetarizëm atë çfarë nuk ka mundur ta bëjë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me strategji, plane veprimi e mijëra euro të shpenzuara në dokumente si këto.

Cila është ngjarja më e madhe kulturore dhe sociale në Kosovë e cila ka arritur të sjell më shumë përfitime ekonomike se sa buxhet të shpenzuar për organizimin e tij?

DokuFest. Sipas një studimi të bërë nga Instituti GAP, duke u bazuar në të dhënat e grumbulluara nga vizitorët e DokuFest më 2011, del se DokuFest sjell një impakt prej 3.1 milion euro në vit në ekonominë vendore. Ky përfitim ekonomik është 10 herë më i madh se sa buxheti për organizimin e festivalit; 155 herë më i madh se sa buxheti që Komuna e Prizrenit ndanë për DokuFest; apo 206 herë më i madh se sa buxheti që ndanë Ministria e Kulturës për këtë festival.

Cila është ngjarja më e madhe kulturore e sociale e injoruar nga institucionet qeverisëse?

DokuFest. DokuFest është shfrytëzuar nga politikanët e nivelit qendrorë dhe lokal gjatë fushatës zgjedhore, si ngjarje me të cilën mund të fitohen vota. Po ashtu, politikanët nuk kanë lëshuar rastin që të fotografohen në ngjarjet e DokuFest. Por, kur është puna për të mbështetur këtë festival, përfaqësuesit institucional nuk janë edhe aq entuziast. Më 2014, institucionet publike vendore së bashku kanë ndarë 35.000 euro për DokuFest: 20.000 euro Komuna e Prizrenit dhe 15.000 euro Ministria e Kulturës. Shto kësaj shume edhe 8.840 euro nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë, përkrahja e dy qeverive vendore nuk përbën më shumë se 11% të buxhetit total të DokuFest. Sa për krahasim, vetëm Fondi i Visegradit ka kontribuar me 17.000 euro për organizimin e DokuFest.

Cila është ngjarja më e madhe pozitive që i ka ndodhur qytetit të Prizrenit?

DokuFest. Prizreni është qyteti më atraktiv në Kosovë, me Kalanë e tij, Lumëbardhin, rrugët me kalldrëm (ato që kanë mbetur), Hamami, gryka e Marashit, etj. Por, asnjë nga to nuk do të vizitoheshin në masë kaq të madhe po mos të ishte DokuFest. Duke i përdorur këto objekte historike dhe hapësirat publike, DokuFest ka bërë që ato të marrin jetë dhe të vizitohen nga mijëra turist të huaj. Prizreni është njëra ndër komunat më të goditura nga keqqeverisja. Me një kryetarë të dënuar i cili refuzon të lëshoj karrigen e të parit të Komunës dhe më një drejtor të suspenduar pas akuzave për prostitucion me të mitur (me që ra fjala, ky i akuzuar është përgjegjës për ndarjen e atyre 20.000 eurove për DokuFest), qytetarët e Prizrenit gjatë nëntë ditëve të festivalit DokuFest kanë së paku një arsye për tu krenuar me qytetin e tyre.

Pasi që qyteti i Prizrenit është përfituesi më i madh nga DokuFest, Komunës së Prizrenit i takoj që të kontribuoj më së shumti në mbarëvajtjen e festivalit, qoftë me buxhet apo edhe duke u siguruar për pastërtinë e qytetit, furnizimin me ujë dhe shërbimet tjera publike. Se sa e vogël është ndihma financiare e Komunës së Prizrenit për Dokufest po i mar këta dy shembuj: Më 2013, Komuna e Prizrenit ka ndarë 10.000 euro për një festival filmi në Prishtinë, festivali “9/11”, festival i cili nuk i sjell asnjë përfitim Komunës së Prizrenit (përveç Komunës së Prizrenit, edhe tetë komuna tjera kanë ndarë buxhet për festivalin “9/11”). Më 2013, Komuna e Prizrenit ka ndarë 42.900 euro subvencione të paligjshme dhe pa mbulesë për punëtorët e administratës së saj, ashtu siç është konstatuar në raportin e Zyrës së Auditorit Gjeneral.

Për dallim nga politikanët vendorë të cilët Kosovën kanë arritur ta vendosin vetëm në hartat e vendeve më të korruptuara, hartat e vendeve me qeverisje gjysmë autoritare, hartat e vendeve më të izoluara, hartat e vendeve më të varfëra; DokuFest ka arritur të vë Kosovën në hartën kulturore botërore. Andaj madhështia e DokuFest ka të bëjë edhe me atë se nuk ka asgjë të përbashkët me këto institucione të korruptuara. Përkundrazi: këto institucione i kanë sjelle vetëm pengesë përgjatë këtyre viteve.

DokuFest nuk është iniciuar dhe nuk ka mbijetuar duke shpresuar në ndihmën financiare të institucioneve qeverisëse, ashtu siç themelohen e shuhen shumë festivale në Kosovë. DokuFest ka arritur të mbijetoj dhe të rritet falë përkushtimit të organizatorëve, vullnetarëve dhe mbështetjes shoqërore. Për atë, këto 13 festivale do të jenë vetëm 13 festivalet e para të DokuFest.

P.S. Cila është ngjarja për të cilën kam shkruar më së shumti? Dokufest 🙂

Më Shumë

Lajmet e Fundit