15.8 C
Prizren
E shtunë, 4 Maj, 2024

Festivali DAM starton me harrnim e me muzikë të magjishme

Në qendër të sallës ishte vendosur një rrjetë e cila mbante shumë pendla e që në shikim të parë dukeshin si re. Të gjitha këndet e Sallës së Kuqe të Pallatit të Rinisë në kryeqytet, ishin zënë me mbajtëset e partiturave klasike, gjë që nuk është e zakonshme të ndodhë në koncertet klasike.

Por si çdoherë tjetër edhe kësaj radhe Festivali DAM sjellë risi që janë shumë atraktive për audiencën. Kësisoj udhëtimi i njëmbëdhjetë i këtij festivali nisi me performancën “Stitching Needs” apo “Domosdoshmëritë e harrnuara”, që e sollën artistët Lola Sylaj e Dardan Zhegrova.

Lola e Dardani, harrnuan kukulla në formë njeriu.

“Performanca “Stitching needs” është ideuar për hapjen e festivalit DAM në bashkëpunim me Dardan Zhegrovën. Pjesa e parë e performancës ishte krijimi i kukullës e cila vazhdon me një video ku ne jemi kukulla. Njerëzit krijojnë kukulla për ti afruar të tjerët por përfundojnë duke i larguar ata, si shpikjet e rrjeteve sociale të cilat krijojnë idenë se krijon shoqëri por në fakt largon socializimin me njerëz”, tha fillimisht për KultPlus artistja Sylaj e cila vazhdoi tutje të tregonte edhe për pjesën e dytë të performancës. Videoja e cila paraqitet para audiencës tregon një poezi që flet për ndjenjën e vetmisë dhe nevojën që ta kesh afër dikë.

“E kur je fëmijë vetminë nganjëherë e largon me kukulla ku biseda e zhvilluar mësohet të jetë si ajo që e bënë me rrethin. Jemi inspiruar prej besëtytnive që i kanë njerëzit për kukulla, për shembull në Shqipëri mbajnë kukulla në shtëpitë e tyre njerëzit që të mbrohen nga syri i keq”, tha ajo.

Menjëherë pas përfundimit të performancës së artistëve, njëzetë flautistë të Korit të Flautëve të Kosovës u shpërndanë nëpër sallë pa u vërejtur nga publiku gjersa filluan të ekzekutojnë në flaut një e nga një. Ky kor u udhëhoq nga dirigjenti Ljubisa Jovanovic.

Çka pasoi, ishte një program i ngjeshur që kishte përgatitur ky festival për këtë hapje, me pikën e dytë të koncertit që solli trion Robert Kowalski në violinë, Olga Zado në piano dhe Boris Nedialkov në violonçel.

Kjo pjesë nisi me Beethoven, sonatën për piano dhe celo në D-dur, vazhdoi me Felix Mandelssohn me sonatën për violinë e piano e u përmbyll me një pikë interesante e mjaft të fuqishme krijuar nga kompozitori Dimitri Shostakovich, që ishte piano trio “Poeme” në c-mol dhe piano trio në e-mol.

Olga Zado ishte ajo që gjatë tërë kohës shoqëroi me piano dy muzikantët tjerë. Ajo për KultPlus tha se ishte kënaqësi të performonte në hapjen e DAM-it.

“Jam pak e lodhur, po ishte një kënaqësi të performoja, nuk ishte e lehtë të dije se çfarë zëri po prodhohej pas muzikës, akustika nuk ishte e lehtë. Në pjesën e dytë të koncertit kishte shumë emocion tek të tretë ne, kolegët e mi ishin fantastik dhe ma bënë punën shumë të lehtë”, tha për KultPlus Zado, e vazhdoi duke treguar se në Kosovë po ndihet shumë mirë dhe ka respekt për një festival si DAM, i cili me pak burime po bën një punë të madhe.

Nga ana tjetër violinisti Robert Kowalski, tha për DAM Fest-in se është një ide fantastike.

“Jemi mbledhur në këtë shtet të mrekullueshëm që ka kaluar peripeci e kohë të vështira. Prandaj jemi të lumtur të gjithë që po ju njohim juve, popullin e Kosovës. Ndërkaq të flas për koncerte, për mua dje ka nisë maratona ku luajta me Filharmoninë e Kosovës, ndërsa sonte kishim një program të veçantë”, tha ndër të tjera për KultPlus, Kowalski.

Në këtë mënyrë u bë hapja e edicionit të njëmbëdhjetë të Festivalit DAM, i cili edhe përgjatë pesë ditëve në vazhdim do të na sjellë koncerte të ndryshme e padyshim të veçanta, ashtu siç vetëm organizatorët e tij dinë ti bëjnë.

Sonte, me fillim prej orës 19:30, në kuadër të DAM Festivalit vjen sopranoja Zana Abazi Ramadani dhe Elena Atanasovska në piano, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë. / KultPlus.com

Më Shumë

Lajmet e Fundit