7.8 C
Prizren
E enjte, 18 Prill, 2024

Fillon rigjykimi në rastin për korrupsion ndaj ish-drejtorit të Administratës në Komunën e Prizrenit

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën, ka filluar rigjykimi në rastin ndaj ish-drejtorit të Administratës në Komunën e Prizrenit, Ilir Baldedaj, i cili po akuzohet se kishte shpërndarë laptopë dhe çanta për asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në sasi prej 40 copë nga sasia totale prej 43 pa kusht që kjo pasuri shtetërore të kthehet pas përfundimit të mandatit publik.

Ndryshe, sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Xheladin Osmani më 15 janar 2021, i akuzuari Ilir Baldedaj është shpallë fajtor për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, me çka u dënua me dënim me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 10 muajve, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Fillimisht seanca e rigjykimit filloi me leximin e aktakuzës nga ana e Prokurores Ervehe Gashi e që pas kësaj, i akuzuari Ilir Baldedaj pas konsultimit me mbrojtësin e tij avokat Engjëll Rexhepi u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzën që e ngarkon për korrupsion.

Tutje në shqyrtim është dhënë fjala hyrëse e palëve në procedurë, ku prokurori dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar të Komunës së Prizrenit, avokat Blerim Mazreku mbeten pranë fjalës hyrëse të dhënë në këtë shqyrtim gjyqësor më 10.07.2020.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Baldedaj, avokat Engjëll Rexhepi në fjalën hyrëse deklaroi se kërkojmë nga Prokuroria t’ua iluminoj se me cilat veprime apo mosveprime të ndërmarra, në cilat data e cilat dispozita paska kryer veprën penale këtu i akuzuari.

Pas kësaj, seanca vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarëve Idajim Kryeziu, Adan Kurejssh dhe Arben Krasniqi.

Dëshmitari Idajim Kryeziu deklaroi se mbetet pranë deklaratës së dhënë më 10.07.2020 në këtë shqyrtim gjyqësor dhe shtoi se si anëtar i komisionit kishte pasur për detyrë shpërndarjen e 40 laptopëve të pranuar tek Asambleistët.

Shtoi se sipas njohurive në këtë tender janë blerë 43 laptopë të cilët fillimisht kishin qenë në zyrën e drejtorit e pastaj ai i kishte shpërndarë nga zyret e IT-së dhe se sipas dëshmitarit zyrtari autorizues për këta laptopë kishte qënë Ilir Baldedaj.

Në fund theksoi se ai së bashku me Kujtim Gashin dhe Adnan Kurejshin si anëtar të Komisionit për shpërndarjen e laptopëve për asambleistët e Komunës së Prizrenit në tetor të vitit 2015 kishin shpërndarë këta laptopë në drejtim të Asambleistëve pasi që të njëjtën laptopë ia ka dorëzuar Drejtori i Administratës Publike.

Dëshminë e tij e dha edhe dëshmitari Adnan Kureysi i cili deklaroi se mbetet pranë deklaratës së datës 20 korrik 2020 dhe se theksoi se kishte qenë anëtar i komisionit me rastin e nënshkrimit të faturave për pagesën e llaptopëve të cilët i kishin pranuar 40 laptopë e që pastaj ju është shpërndarë secilit.

Shtoi se praktikanti Besart Kastrati i kishte sjellë laptopat në Zyrën e IT-së të cilët i kishte marr në zyrën e Drejtorit të Administratës, Ilir Baldedaj dhe se këta laptopë nuk janë transferuar nga ish asambleistët tek asambleistët e rinj.

Dëshmitari Arben Krasniqi i cili ishte edhe përfaqësues ligjor i Komunës së Prizrenit në atë kohë në dëshminë e tij deklaroi se të gjitha faturat e ofruara lidhur me këtë rast ia kishte bashkëngjitur kallëzimit penal për të cilën ka zhvilluar hetimet Prokuroria dhe se kallëzimin penal e kishte përpiluar pasi që 3 laptopë ishin mungesë dhe se të gjitha provat lidhur me procedurën tenderuese ia kishte bashkëngjitur kallëzimit penal.

Po ashtu në seancën e sotme, ishte i pranishëm edhe eksperti financiar Vehbi Imeri dëshmia e të cilit do të vazhdojë në gjykimin e datës 24.01.2022 pasi që sot për shkak të përfundimit të orarit të punës nuk kishte mundur të përfundohet.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 21 gusht 2019, i pandehuri Ilir Baldedaj, akuzohet për veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”, ashtu që nga 13 deri më 22 maj 2018, në cilësinë e personit zyrtar si drejtor i Administratës në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Sipas aktakuzës, i akuzuari ka bërë shpërndarjen e pasurisë jofinanciare, laptopë dhe çanta për asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në sasi prej 40 copë, nga sasia totale prej 43 sosh dhe në vërtetimin mbi pranimin e laptopëve të nënshkruar nga asamblistët me rastin e pranimit të pasurisë së tillë, nuk figuron kushti që kjo pasuri shtetërore të kthehet pas përfundimit të mandatit publik.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Baldedaj ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë si dhe Rregulloren e Ministrisë së Financave, nr.02/2013 për menaxhimin e pasurisë jofinanciare në organizata buxhetore.

Në aktakuzë thuhet se për tre laptopë të tjerë nuk ka prova se ata u janë shpërndarë personave për të cilët kanë qenë të destinuar, me ç’rast thuhet se me këto veprime i akuzuari, buxhetit të shtetit i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 19 mijë e 350 euro.

Ndryshe, Ilir Baldedaj edhe në një rast tjetër akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ai më 25 maj të vitit 2018, si ish-drejtor i Administratës në Komunën e Prizrenit, ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, në rastin ku akuzohej se gjatë periudhës gusht 2015 – dhjetor 2016, duke vepruar në cilësinë e drejtorit të Administratës Komunale të Prizrenit, ka lidhur kontrata në mënyrë të paligjshme me tri televizione lokale për të reklamuar shërbimet komunale. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Arrestohet një person në Prizren, dyshohet për dhunë në familje

Është arrestuar një person në Prizren. Ai akuzohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj anëtarëve të familjes së tij dhe gjithashtu ka dëmtuar dhe demoluar...

Kurti: Sakrifica dhe beteja e banorëve të Lubizhdës së Hasit, pjesë e dhimbshme dhe e lavdishme e historisë së popullit tonë

Në 25 vjetorin e rënies së dëshmorëve e martirëve në Lugishtë të Hasit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe te varrezat...

Lajmet e Fundit