11.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Hapen të gjitha vendvotimet për balotazhin

Zgjedhjet-Mitrovica veriore

(E plotësuar) Në 25 komuna të Kosovës, sot zhvillohet gara e balotazhit përmes së cilës qytetarët me të drejtë vote, kanë mundësinë që të votojnë për zgjedhjen e kryetarëve të rinj për mandatin e ardhshëm.
Hapjen e të gjitha vendvotimeve në komunat ku zhvillohet balotazhi, e ka konfirmuar edhe kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, në konferencën e parë për sot të orës 8, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë problem.

“Duke u bazuar në raportet e Komisioneve Komunale të zgjedhjeve, janë hapur të gjitha vendvotimet që në orën 7 të mëngjesit”, ka thënë Daka.

Zgjedhjet do të mbahen edhe në tri vendvotime në Zveçan, ku për shkak të parregullsive në rrethin e parë, do të ketë rivotime.

Filluan votimet në balotazh

Në 25 komuna janë hapur 1816 vendvotime në 594 Qendra të Votimit, ku do të votojnë rreth 1 milion e 40 mijë qytetar me të drejt vote.
Kurse, në Zveçan do të ketë përsëritje të votimit të raundit të parë në tri vendvotimem ku të drejt vote kanë 2595 votues.

Të drejt vote përmes postës kanë 11.738 votues.

Komisioni Qendror i Zgjedhje tashmë ka konfirmuar se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të raundit të dytë.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur të shtunën, një ditë para balotazhit, të gjithë komponentët e përfshirë në procesin elektoral. Ajo ka vlerësuar se më 1 dhjetor, Kosova do të dëshmojë se do ta kalojë me sukses testin e demokracisë.

“Zgjedhjet e 1 dhjetorit duhet të dëshmojnë se Kosova është shtet i së drejtës dhe shtet i qytetarëve të barabartë”, ka thënë Jahjaga.

Ajo ka kërkuar nga organet përgjegjëse që të mos tregohet kompromis për ata që cenojnë procesin.

Nga aspekti i sigurisë, Policia e Kosovës ka angazhuar 5.100 zyrtarë policorë për të siguruar mbarëvajtjen e procesit.

Balotazhi do të mbahet edhe në Mitrovicën e veriut, ndërkaq në Zveçan do të përsëriten zgjedhjet në tri vendvotime. Për shkak të rrethanave specifike në atë pjesë, Policia e Kosovës do të bashkërendojë masat dhe veprimet me EULEX-in dhe KFOR-in.

“Policia e Kosovës do të bashkëpunojë dhe bashkërendojë aktivitetet operacionale edhe me EULEX-in, si reagues i dytë dhe KFOR-in si reagues i tretë në rast nevoje, për të parandaluar incidentet e mundshme, të cilat mund të kenë ndikim në procesin e votimit”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, transmeton Rel.

Ngjashëm me votimet e 3 nëntorit, edhe në balotazh, ku janë përfshirë 50 kandidatë në garën për 25 vende për kryetar në komunat e Kosovës, i gjithë procesi do të monitorohet dhe vëzhgohet nga afër nga organizata vendase e ndërkombëtare.

Bashkimi Evropian, ditën e zgjedhjeve do të ketë 71 vëzhgues.

Një numër të caktuar vëzhguesish do ta kenë edhe ENEMO dhe organizatat tjera ndërkombëtare.

Kurse, me mbi 1.600 vëzhgues do t’i përcjellë votimet edhe koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”.

Ndërsa balotazhi po zhvillohet në 25 komuna, po nga zgjedhjet e lokale të 3 nëntorit në 13 komuna kryetarët u zgjodhën qysh në rrethin e parë. Këto zgjedhje prodhuan si rezultat edhe zgjedhjen e asamblistëve të rinj nëpër të gjitha komunat e Kosovës.

Kush me kë në balotazh?

Balotazhi për kryetar në 25 komuna të Kosovës, zhvillohet nga 50 kandidatë, të cilët vijnë nga subjekte të ndryshme politike. Më poshtë publikojmë emrat e tyre dhe qytetet ku zhvillohet gara e balotazhit. /Telegrafi/

Prishtinë: Isa Mustafa (LDK) dhe Shpend Ahmeti (Vetëvendosje)

Gjakovë: Mimoza Kusari Lila (AKR) dhe Pal Lekaj (AAK-LDD)

Prizren: Ramadan Muja (PDK) dhe Eqrem Kryeziu (LDK)

Pejë: Gazmend Muhaxheri (LDK) dhe Ali Berisha (AAK-LDD)

Gjilan: Lutfi Haziri (LDK) dhe Qemajl Mustafa (PDK)

Mitrovicë e Jugut: Avni Kastrati (PDK) dhe Agim Bahtiri (AKR)

Mitrovicë e Veriut: Krstimir Pantiq (GIS) dhe Oliver Ivanoviq (IQ)

Ferizaj: Agim Aliu (PDK) dhe Muharrem Svarça (LDK)

Malishevë: Ragip Begaj (IQM) dhe Sali Morina (LDK)

Rahovec: Idriz Vehapi (PDK) dhe Smajl Latifi (AAK-LDD)

Dragash: Selim Jenuzi (PDK) dhe Fatmir Mehmeti (LDK)

Graçanicë: Branimir Stojanoviq (GIS) dhe Bojan Stojanoviq (SLS)

Junik: Agron Kuçi (AAK-LDD) dhe Zenun Shala (LDK)

Kamenicë: Shaip Surdulli (LDK) dhe Begzad Sinani (PDK)

Klinë: Sokol Bashota (PDK) dhe Enver Berisha (LDK-LDD)

Lipjan: Shukri Buja (PDK) dhe Imri Ahmeti (LDK)

Novobërdë: Bajrush Ymeri (LDK) dhe Svetislav Ivanoviq (GIS)

Obiliq: Mehmet Krasniqi (LDK) dhe Xhafer Gashi (AAK-LDD)

Suharekë: Sali Asllanaj (LDK) dhe Bali Muharremaj (AAK-LDD)

Viti: Sokol Haliti (LDK) dhe Nexhmedin Arifi (PDK)

Vushtrri: Bajram Mulaku (PDK) dhe Muharrem Shabani (AAK-LDD)

Partesh: Nenad Cvetkoviq (SLS) dhe Dragan Nikoliq (GIS)

Ranillugë: Gradimir Mikiq (GIS) dhe Milan Aritonoviq (SNPK)

Shtërpcë: Bratislav Nikoliq (SLS) dhe Ivan Rexhiq (GIS)

Kllokot: Sreçko Spasic (GIS) dhe Sasha Mirkoviq (SLS)

Më Shumë

Përfundon zgjedhja e kryetarëve dhe këshillave të bashkësive lokale në Prizren

Pas dy muajsh pune intensive dhe angazhimit të ekipit të kryesuar nga Drejtori i Administratës së Komunës së Prizrenit, Edin Shehu, ka përfunduar me...

Kurti: 200 milionë euro investime për infrastrukturën në futboll

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të dielën ka premtuar 200 milionë euro investime për transformim rrënjësor të infrastrukturës së futbollit në vend. Tashmë...

Lajmet e Fundit