Kryetari i Komunës së Malishevës,Ragip Begaj, ka pritur sot kryetarin e Komunës së Mamushës,Arif Bütüç.
Ata në këtë takim kanë diskutuar për mundësinë e bashkëpunimit mes dy komunave, në të gjitha fushat dhe shkëmbimi i përvojave mes drejtorive komunale, si në administratë, bujqësi, kulturë dhe fusha tjera.
“Bashkëpunimi mes dy komunave, është i mirëseardhur, sidomos me një komunë, siç është Mamusha, e cila është një shembull i mirë i funksionimit të komunës, pavarësisht që është njëra prej komunave më të reja”, tha Begaj.
Ndërkaq, kryetari i Mamushës, Arif Bütüç, tha se “dëshiron të ketë bashkëpunim mes dy komunave, mes drejtorive, për t’i shkëmbyer përvojat e mira, në gjitha fushat e qeverisjes komunale”.
Ai shprehi gatishmërinë e tij, për ndërmjetësuar në shkëmbimin e përvojave edhe me komunat e Turqisë.
Bütüç ftoi Komunën e Malishevës, që të marr pjesë në festivalin tradicional të domates, që mbahet në Mamushë.
“Jam krenar që jam kosovar. Kosova është një shtet kur të gjithë kanë të drejta të barabarta dhe këtë e them gjithmonë edhe në asociacionin botëror të komunave që flasin gjuhën turke. Ndihem mirë dhe krenar edhe me kontributin e Turqisë, në vazhdimësi që ka dhënë për Kosovën”, tha Bütüç.
“Mamusha gjatë luftës së UÇK-së, ka strehuar 45 mijë refugjatë dhe dhurata më e mirë për këtë kontribut të Mamushës, është dhënia e statutit të komunës, por ne punojnë për shtetin e Kosovës, për Kosovën Evropiane dhe ndihemi krenar për këtë”.
“Neve na ndanë vetëm gjuha, të gjitha të tjerat i kemi të përbashkëta dhe ne nuk dallohemi nga shumica shqiptare, pasi i kemi të gjitha të drejtat e barabarta, duke filluar nga shkollimi, lëvizja e lirë, dokumentacioni dhe të tjerat, që neve nuk na dallon nga të tjerët”, tha Bütüç. /PrizrenPress.com/