6.3 C
Prizren
E mërkurë, 5 Shkurt, 2025

Françesk Radi e humbi pranverën

Vdekja e kantautorit të mirënjohur shqiptar, Françesk Radi, në këtë fillim pranvere ka pikëlluar gjithë komunitetin artistik të shqiptarëve. Radi, siç thotë edhe kënga e tij “Humba pranverën”, vdiq në fillim të kësaj stine.

Shkak për vdekjen u bë një hemorragji cerebrale pas të cilës u shtri për disa ditë në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”. Kantautori u largua nga kjo jetë në moshën 67-vjeçare.

Radio Televizioni Shqiptar, ku Radi kishte punuar për disa vite, gjatë ditës së marte hapi dyert për homazhe para varrimit. Ai u përcoll me duartrokitje.

Françesk Radin para se ta përcillnin për në banesën e fundit e nderuan familjarët, kolegët, miqtë e dashamirët.

Publiku e ka në kujtesë interpretimin e këngës “Telefonatë zemrash” të muzikantit Radi me një vajzë të vogël, e që në fakt ishte këngëtarja Mariza Ikonomi, e cila në këtë ikje e kujton me dhembshuri profesorin e saj.

“Eh profesor i dashur… Nuk e harroj kurrë momentin kur erdhe në Pallat të Pionierit dhe kërkoje një vajzë të vockël për të kënduar këngën ‘Telefonatë zemrash’. Nuk e harroj kurrë momentin kur më zgjodhe mua.

Vërtet më zgjodhe mua por edhe unë të zgjodha ty, që kur pashë tek ty një artist të madh më një profesionalitet të hekurt dhe një zemër të pastër e të kulluar si ajo e një fëmije, ashtu siç isha edhe unë.

Mezi prisja orët e provave që të këndoja këngën. Ajo këngë vërtet ishte dhe mbeti një thirrje e bukur zemre dhe sot rreh edhe më fort në zemrën time dhe vazhdon këndon… A mund t’ia shuajmë diellit atë zjarr, a mund ta shterim një oqean? Ashtu nuk treten edhe ndjenjat e mia par ty, le të jemi sado larg profesor, mik i dashur”, ka shkruar Ikonomi.

Për këngëtaren Rozana Radi vdekja e kantautorit paraqet një dhimbje të veçantë. Përveç se ishte xhaxhai i saj, ajo e përshkruan edhe si një baba të dytë.

“Sot kam humbur babain për herë të dytë! Nuk duhej të ishte kështu për ty”, -ka shkruar Rozana në profilin e saj në Facebook.

Me admirim Radin e kujton edhe kantautori Elton Deda, i cili shkruan se Radi ka lënë gjurmë të madhe mbrapa vetës.

“Një artist më pak, një mik më pak. Vërtet që e humbe pranverën Franko, por ke lënë gjurmë të madhe mbrapa. Je i dënuar të kujtohesh përjetësisht. Lamtumirë mik i dashur, lamtumirë artist!”, ka shkruar Elton Deda, i cili ditë më parë kishte bërë thirrje që të ndihmohet ky artist.

Për aktorin Julian Deda, Françesk Radi është shembull i artistit të pa përulur.

“Lamtumirë Franko. Françesk Radi, artisti që vuajti pafund, por kurrë nuk u përul, duke i dhuruar publikut të vendit të tij kënaqësinë e të pasurit në fondin e artë një qenie të lirë artistike. Franko, faleminderit për çdo notë dhe emocion që na dhurove. U prehsh në paqe mjeshtër”, ka shkruar Julian Deda.

I diplomuar në akademinë e arteve, Françesk Radi është i mirënjohur për publikun shqiptar jo vetëm si këngëtar, por edhe si kompozitor dhe instrumentist. Ai i përket brezit të artistëve të viteve ’70, të cilët në kundërshtim me dogmat e regjimit komunist u përpoqën të sillnin një erë të re në muzikën e lehtë shqiptare, veçanërisht pop-rrokut.

Dy këngët që e bënë atë të njohur për dashamirësit e muzikës ishin “Adresa” dhe “Biçikleta”. Me zërin e tij të veçantë Radi u bë pjesëmarrës i shumë festivaleve të këngës në Radio Televizionin Shqiptar, përfshi këtu edhe Festivalin e 11-të në vitin 1972, ku interpretoi këngën “Kur dëgjojmë zëra nga bota”.

I goditur nga regjimi, Radi punoi për një periudhë kohe si mësues në Pukë, instrumentist dhe këngëtar në estradën e shtetit.

Në fillim të viteve 90-të, ai u angazhua si redaktor muzike pranë redaksisë së krijimtarisë muzikore në Radio Tirana. Po në këtë kohë Radi iu rikthye festivalit të këngës, duke dominuar skenën e tij nga viti 93 deri në 2010-ën. Françesk Radi spikati për ritmet e veçanta që solli, sikundër për interpretimin karakteristik të tij. “Rroku i burgut”, “Humba pranverën”, “Telefonatë zemrash”, “Zemër e lodhur”, “Ky fat na ra”, janë disa nga hitet e e Françesk Radit të cilat kanë mbetur në fondin e artë të muzikës së lehtë shqiptare.

Françesk Radi ishte bashkëshorti i gazetares së njohur të Televizionit Shqiptar Tefta Radi.

Më Shumë

Shembet muri i një ndërtese në Qendrën Historike të Prizrenit, institucionet nuk ndërmorën masa emergjente mbrojtëse

Muri i ndërtesës me fasadë karakteristike në rrugën “Marin Barleti” në Prizren është shembur, disa muaj pasi që Komisioni komunal për vlerësimin e objekteve...

Vdes nëna e Shyhrete Behlulit, këngëtarja vjen me postim prekës

Këngëtarja Shyhrete Behluli është në zi sot. Ajo sapo ka dhënë lajmin për vdekjen e nënës. Këngëtarja ka shkruar se varrimi i nënës së saj...

Lajmet e Fundit