9.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Fshehu disa fakte në një rast penal, Këshilli Prokurorial shqipton vërejtje publike me shkrim ndaj prokurorit Musli Gashi

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) më 14 prill 2022, ka shqiptuar masën disiplinore Vërejtje publike me shkrim” ndaj prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Musli Gashi.

Sipas vendimit të publikuar në faqen zyrtare të KPK-së, prokurori Gashi nga Këshilli është gjetur përgjegjës për shkelje disiplinore sepse i njëjti gjatë shqyrtimit dhe vendosjes të një lënde penale kishte fshehur disa fakte të cilat fakte kishin ndikim në cilësimin juridik të veprës penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Paneli hetimor i KPK-së  ka ardhur në përfundim se prokurori Musli Gashi, ka vepruar në shkeljen të nenit 6 paragraf 2 pika 2.2  të Ligjit Nr.06/L-057, për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, sepse prokurori Gashi gjatë shqyrtimit të vendosjes së lëndës penale …… kishte fshehur disa fakte që kishin ndikim në cilësimin juridik si fakti se, viktima ishte viktimë e ndjeshme dhe se për shkaktimin e lëndimeve te viktima ishte përdorur mjet i fortë”, thuhet në vendimin e KPK-së.

Sipas arsyetimit të këtij vendimi, gjatë seancës së dëgjimit nga Paneli Hetimor janë bërë disa pyetje për prokurorin Gashi se si e ka marrë në pyetje viktimën si të mitur që automatikisht e bënë si viktimë të ndjeshme dhe sipas panelit është dashur të shënohet në procesverbal për shkak se ndryshon kualifikimi juridik.

Lidhur me këtë prokurori Gashi i kishte konfirmuar Panelit se e ka marrë në pyetje viktimën si të mitur dhe se kjo, sipas tij, është si provë në procesverbal.

Po ashtu, prokurori Gashi në pyetjen e panelit se a ka pasur mendimin e ekspertit për mjetin që është përdorur për t’i shkaktuar lëndimet, i njëjti ishte deklaruar se po e kishte pasur, por që sipas tij, këtë mendim të ekspertit nuk e kishte përmendur në aktakuzë me arsyetimin se nuk ishte bindur që mund të shkaktohet lëndimi me atë mjet të fortë dhe se sipas tij nuk është gjetur mjeti.

Mirëpo, sipas Panelit Hetimor edhe kjo çështje kishte ndikuar në kualifikimin juridik sepse sipas tyre përdorimi i mjetit të fortë përsëri do të ndikonte në kualifikim të drejtë të gjendjes faktike.

“Vet fakti që nuk janë përmend këto dy fakte në disopozitiv kanë ndikuar që kualifikimi juridik mos me qenë adekuat dhe personi ka mundur të dënohet shumë më pak se sa do të ishte dënuar në bazë të kualifikimit të drejtë. Kjo ka qenë arsyeja pse paneli hetimor e ka gjetur përgjegjës prokurorin Musli Gashi”, thuhet në arsyetimin e këtij vendimi.

Tutje, arsyetimi i prokurorit Gashi lidhur me këto çështje kishte qenë se mund të jetë lëshim i pa qëllimshëm dhe jo fshehje e fakteve dhe se sipas tij, kjo paraqet bazë për ta përjashtuar përgjegjësinë disiplinore.

Në këtë vendim thuhet se Kryeprokurori i kishte bërë kërkesë prokurorit Gashi për t’i evituar gabimet në aktakuzë, mirëpo që ky i fundit nuk ishte bindur deri sa Gjykata e kishte kthyer aktakuzën e prokurorisë për përmirësim.

Andaj, KPK ka gjetur se sanksioni disiplinor “Vërejtje publike me shkrim” është në përputhje me shkeljet e gjetura dhe ky sanksion sipas KPK-së do të ketë efekt pozitiv mbi prokurorin Gashi që në të ardhmen të veprojë sipas rregullave të Kodit të Etikës.

Ndryshe, Gjykata Supreme e Kosovës me 30 maj 2022 e ka konfirmuar vendimin e nxjerrë nga KPK, me të cilin vendim është shqiptuar vërejtje publike me shkrim ndaj prokurorit Gashi.

Sipas këtij vendimi të Gjykatës Supreme, rezulton se është refuzuar si e pa bazuar ankesa e ushtruar nga prokurori Gashi ndaj vendimit të KPK-së lidhur me masën disiplinore të shqiptuar.

Në arsyetimin e vendimit të Supremes thuhet se Këshilli drejtë ka aplikuar të drejtën materiale dhe se është konstatuar përgjegjësia disiplinore e prokurorit Gashi.

Ndërsa, lidhur me sanksionin disiplinor Gjykata Supreme vlerëson se është në përputhje me parimin e proporcionalitetit për faktin se me rastin e vendosjes është marrë parasysh serioziteti i shkeljes, pasojat e saj, rrethanat në të cilat është kryer ajo, performanca prokurorit si dhe sjellja dhe bashkëpunimi i tij në procedurë disiplinore.BetimipërDrejtësi  

Më Shumë

Malishevë/ Në 25-vjetorin e rënies u përkujtua dëshmori Brahim Morina

Në 25-vjetorin e rënies në altarin e lirisë, u përkujtua dëshmori i kombit, Brahim Morina, nga fshati Drenoc. Në përkujtim të rënies së tij,...

Vdekja e 60-vjeçares nga Rahoveci

Mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës raportoi se ka vdekur një grua nga Komuna e Rahovecit pasi e njëjta është rrëzuar nga një lartësi...

Lajmet e Fundit