16.8 C
Prizren
E martë, 30 Prill, 2024

Fundi i dhjetorit e bën me kulm “Koloninë e artistëve”

Kolonina e artisteveObjekti, që ishte peng i politikave të ndryshme për një dekadë, pas kaq kohësh do të bëhet me kulm. “Kolonia e artistëve” po bëhet gati të presë artistët e vet

Me 80 mijë eurot e ndara nga Ministria e Kulturës, “Kolonia e artistëve” në fund të këtij viti bëhet me kulm, derisa punimet kanë filluar të premten që e lamë pas. I gjithë buxheti që deri më tani është ndarë për “Koloninë e artistëve” është afër 700 mijë euro, hapësirë kjo që do të shfrytëzohet për artin pamor, muzikor dhe artin dramatik.

Gani Duli udhëheqës i projektit “Kolonia e artistëve”, që sipas artistëve është njeriu që më së shumti ka kontribuar për finalizimin e saj, ka thënë se ky objekt në dhjetor bëhet me kulm, derisa ka treguar se punimet kanë filluar nga e premtja e javës së kaluar. “Besoj se shumë shpejt do të përfundojë kjo fazë dhe deri në fund të vitit do të mbulohet”, ka thënë Duli. Për problemin teknik me të cilin janë përballë, Duli ka thënë se për zgjedhjen e tij është dashur të merrnin pëlqimin e Komunës së Prishtinës. “Tani kemi ardhur në fazën përfundimtare të mbulimit. Para 10 vjetëve, kur e kemi marrë lejen, një pjesë e ka pasur nënkulmin dhe një pjesë jo. Për atë na ka dalë problem, derisa kemi marrë pëlqimin e Komunës së Prishtinës që edhe pjesa tjetër të ketë nënkulm”, ka thënë Duli, për “Zërin”.

Shkelzen Dragaj, Shef i Kabinetit të ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi, thotë se shuma prej 80 mijë eurove që është ndarë për “Koloninë e artistëve” është marrë nga Kodi i Intervenimeve Emergjente në Kulturë. “Për këtë në kemi nënshkruar Memorandum ku ia kemi transferuar paratë Qendrës së Arteve të Kosovës”, ka treguar Dragaj, derisa ka shtuar se përmes Memorandumit, mjetet financiare në vlerë prej 80 mijë eurosh do të shfrytëzohen për ndërtimin e mbulesës (kulmit) të objektit të “Kolonisë së artistëve”.

Për objektin që ndodhet në fshatin Bardhosh të komunës së Prishtinës, prodekani i Fakultetit të Arteve, Hajrush Fazliu, një ndër nismëtarët e projektit, thotë se me mjetet e ndara do të mbulohet objekti dhe do të kryhet edhe një pjesë e punimeve.

“Tani mbeten vetëm pjesët e enterierit, pjesët rregullative, sipas specifikave të studiove, sepse piktorët i kanë ndryshe, skulptorët i kanë ndryshe, të muzikës i kanë ndryshe, të aktrimit i kanë ndryshe”, ka thënë Fazliu, duke shtuar se do e gjejnë mënyrën se si do t’i specifikojnë dhe do t’i rregullojmë hapësirat. Ai thotë se pjesën më të madhe do të participojnë artistët.

“Artisti që është i Artit Dramatik do ta kenë hapësirën më të vogël, piktori do ta ketë diçka më të madhe, skulptori do ta ketë edhe më të madhe, sepse natyra e punës është e tillë”, është shprehur ai, derisa thotë, pasi t’i vihet kulmi, Këshilli që e përcjell punën menjëherë do të bëjë ndarjen e hapësirave, në mënyrë që secili artist të mundë të realizojë pjesën e vet.

Krahas hapësirave që do të ndahen për artistët, do të ketë edhe hapësira të përbashkëta, thotë Gani Duli. “Janë hapësirat e mëdha që janë të përbashkëta që do të shfrytëzohen sipas nevojave të artistëve edhe për aktivitete kulturore, ndërsa janë 50 deri në 60 hapësira që do të ndahen për artistët”, ka treguar Duli, duke shtuar se në pranverë secili artist duhet të mendojë si t’i qaset problemit, që t’i sigurojë mjetet për pjesën e tij.

Hajrush Fazliu, i cili ka përcjellë projektin nga ditët e para, thotë sapo të vendoset pika e kulmit, mund t’ia fillojë punës në hapësirën e tij, e cila i takon, sepse janë një nga nismëtarët e projektit. “Unë mund t’ia filloj ta përgatis për nevojat e mia, sepse mua nuk ma lejon edhe mosha. Nëse i shtyj edhe tri deri në katër vjet, nuk mund të shkoj plak që të punoj atje”. Fazliu thotë se “Kolonia e artistëve” do të jetë një nga qendrat e vetme në Ballkan të kësaj natyre. “Do të jetë një qendër unike, ishalla do të kemi mundësi ta funksionalizojmë ashtu siç mendojnë”, shprehet Hajrush Fazliu, duke shtuar se “Kolonia e artistëve” është menduar që të jetë hapësirë e artistëve, të ketë simpoziume, të mbahen konferenca artistike, të akomodohen artistët që na vijnë dhe të bashkëpunojmë edhe për aktivitete të tjera.

“Aty ku ka nevojë kultura e Prishtinës dhe e Kosovës, “Kolonia e artistëve” do të jetë në shërbimin e të gjithëve. Kështu që do të jetë e hapur për të gjithë. Edhe aty është menduar një pikë reference për komunikim me botën artistike, qoftë në Evropë, ose edhe më gjerë”, përfundon piktori Fazliu.

600 metra katrorë është bodrumi i objektit, që njëherëësh edhe i ka marrë një shumë të madhe të parave. Thellësia e bodrumit është 4 deri në 5 metra, kjo për arsye të një izolimi të mirë dhe për shkak të kërkesave të natyrës së punës, të muzikës, akustikës.

Objekti i artistëve ka qenë peng i politikave të ndryshme për një dekadë.

Më Shumë

Aksident tragjik në Shirokë të Suharekës, humbin jetën dy persona

Numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues. Çdo ditë raportohet për aksidente të shumta në komunikacion dhe në të...

Suksesi në vlerësimin e brendshëm të shkallës së V-të në gjimnazin “Gjon Buzuku” të Prizrenit

Në gjimnazin "Gjon Buzuku", të enjten u zhvillua vlerësimi i shkallës së pestë për nxënësit e klasave të XI-ta. Drejtoresha e gjimnazit, Gylaj Shipkovica-Karjagdiu, njoftoi...

Lajmet e Fundit