10.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Gjemia e mbytur pa zë

Agim Baçi(Shënime për romanin “Gjemia e mbytur” e Fatos Kongolit)

Nga Agim Baçi

Sa rëndësi ka për ne e shkuara? Mund të bashkëjetojmë qetësisht me të pathënat? Mund të jetojmë të qetë nëse dikush do të gërmonte të shkuarën tonë? Këto pyetje nuk lidhin vetëm të djeshmen dhe të sotmen e një njeriu. Këto janë ura të rëndësishme për të gjithë shoqërinë. Sidomos kur dy këmbët e së njëjtës urë u përkasin botëve të ndryshme – një në diktaturë e tjetra në liri. Fatos Kongoli vjen përmes romanit “Gjemia e mbytur” për të rikthyer edhe një herë pikëpyetjet e një jete në kërkim të identitetit të humbur si fill në diktaturë e që ka nevojë të ndërtojë “vijat e bardha” të një rrugë të re.

Glauku, një 42-vjeçar, që rikthehet nga jashtë si një amok drejt vendlindjes, është një njeri që vjen drejt një të panjohure e që nuk mban mend të shkuarën e as nuk e di aspak se cilit vit i përket. Ai është mes gjumit dhe zgjimit. A mos i përkasim asaj kohe kur arrijmë të mësojmë të vërtetën?

Do të mjaftojë një kërcënim me vdekje për ish- hetuesin Dhimo Shkurra, përgjegjës i drejtpërdrejtë i ferrit për familjen e Glaukut, që shumë jetë të rinisin hapjen e librit të së shkuarës. Por a do të mund të pendohen? Kongoli nuk përpiqet t’i dërgojë drejt kësaj rruge. Më së shumti ai ndërton njeriun pa shumë formë, pa shumë zë, që nuk mundi të “klithte” në diktaturë, e që as liria nuk arrin ta shërojë.

Stela, një ish-viktimë seksi e Shkurrës, të cilën ai “e ka futur në dorë” me prepotencën e ish- hetuesit, edhe 24 vite pas ndryshimit të sistemit vijon të bashkëjetojë me të, duke mos mundur dot kurrë të vendosë, duke mos bërë asnjë hap drejt së vërtetës. Ndërkohë që jeta e të tjerëve, e atyre që kanë jetuar ferrin që “menaxhohej” nga tipa si Shkurra apo ish vartësi i tij Veli Murta, u duhet të vërtiten, për të gjetur një rrugëtim me kuptim, qoftë për të ditur të vërtetën e të afërmve të tyre, qoftë për t’u dhënë kuptim ditëve në liri.

Megjithatë, do të mjaftojë vetëm një kërcënim, përmes një letre, për t’i marrë jetën në emër të krimeve të së shkuarës, që ish hetuesi dhe vartësi i tij të mos flenë më të qetë. Përballë dilemës së tyre se ç‘duhet të bëjnë është vila misterioze, “vila e së shkuarës”, që mbart enigmën. Një “vilë” e pazbardhur për shumë shqiptarë, të cilët ende luajnë me të djeshmen e tyre me mistere – mistere që vijojnë të krijojnë ende pa fund në hapat tanë të përditshëm.

Duket sikur Kongoli ka vijuar të pathënat e nisura në romanin thuajse autobiografik “iluzione në sirtar”. Dhe përmes enigmës së pazbardhur ka sjellë përpara lexuesit jo vetëm dilemat e tij, por mjaft pikëpyetje që kanë të bëjnë me përditshmërinë tonë, e që fillin e kanë tek e pathëna, te pafuqia për të pranuar atë farë ka ndodhur me ne të gjithë.

Në sfond autori krijon me qëllim një datë, që ka të bëjë me Krishtlindjet. Sepse zbardhja e së shkuarës është një rilindje. Ne vetëm duhet të gjejmë kurajën që të shkojmë drejt kësaj date që mbart për miliona e miliona qenie njerëzore shpresën e një rinisje.

Kongoli fut një gazetar në lojën e zbardhjes së enigmës. E takon me “përfaqësuesit e ferrit në vilën enigmatike” dhe sërish e lë në shpresën se ai do të mund të tregojë. Është moment që ai futet dhe promotori i enigmës së kërcënimeve, Vili, që është vëllai i të ekzekutuarit nga Shkurra dhe xhaxha i Glaukut ngrin i zbardhur mes dëborës. Si për të thënë që vetëm viktimat janë të shkruara disi. Ndërsa “ata” janë ende, të paidentifikuar dhe në betejë për të mbetur të tillë.

“Historia e tyre i përket së shkuarës, dihet. Disa e kanë harruar, kanë pësuar amnezi. Të tjerë shtiren sikur e kanë harruar. Por kjo nuk e ndryshon, dhe s’mund ta ndryshojë, një thelb gjithashtu të pranishëm në amshim: janë qindra, mijëra, dhjetëra mijëra jetë të vjedhura. Ato s’mund të blihen, s’mund të kompensohen. Jetët e vjedhura janë të humbura, të pakthyeshme, të pakonvertueshme. Kjo është edhe brenga ime e dytë, e madhe, të cilën do ta marr me vete kur të largohem prej këndej, në mesnatë”. (“Gjemia e mbytur”, Fatos Kongoli, f. 265)

Një mesazh si amanet për gjithçka që diskutojmë. E pavarësisht korrespondencës me shumë debate mes nesh, Kongoli ka mundur që përmes trillit të tij të sjellë personazhe që ende i kemi përreth, pa mundur të “kenë zë”.

Më Shumë

Qeveria reagon pas procesit të votimit: Republika e Kosovës ka përmbushur obligimin e saj ndaj qytetarëve

Qeverisë e Republikës së Kosovës ka reaguar në lidhje me procesin e djeshëm të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në...

Policia e Kosovës ka një apel për shoferët: Kujdes gjatë vozitjes pas fillimit të reshjeve të shiut në vend

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje drejtueseve të automjeteve që të kenë kujdes gjatë vozitjes pas fillimit të reshjeve të shiut në vend. Në...

Lajmet e Fundit