Në Gjykatën Themelore në Prizren, në gjykimin ndaj ish-drejtorit të shërbimeve publike në Komunën e Prizrenit, Osman Krasniqi, eksperti Visar Bibaj ka deklaruar se pagesa në shumën prej 247 mijë e 360 euro e 40 centë është realizuar në bazë të tri dokumenteve, të cilat janë bërë me kërkesën e të akuzuarit.
Krasniqi akuzohet se, duke vepruar jashtë objektit të kontratës për tenderin “Furnizim me zhavorr për rrugët e asfaltuara në Komunën e Prizrenit”, i ka mundësuar operatorit ekonomik “Eurovia BI” të shuajë zjarrin përmes transportimit dhe hedhjes së dheut në deponinë e fshatit Zhur, e cila nuk ka parashikuar pozicionin e transportit dhe hedhjes së dheut për shuarjen e zjarrit në deponi. Sipas aktakuzës, dëmi i shkaktuar Komunës së Prizrenit është rreth 280 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi“.
I pyetur se në çfarë dokumenti përfundimtar është bërë pagesa e lartpërmendur, Bibaj deklaroi se pagesa është realizuar në bazë të tri dokumenteve: dy urdhër-blerjeve të datës 04.11.2021 dhe pagesave të datës 10.11.2021 dhe 10.05.2022, të certifikuara nga Ministria e Financave – Thesarit, pas urdhrit përmbarimor.
“Pagesa nuk është realizuar përmes një dokumenti të vetëm, por është realizuar në bazë të tri dokumenteve,” tha Bibaj, duke sqaruar se dokumenti përfundimtar në të cilin bëhet pagesa është urdhër-blerja, që duhet të nënshkruhet nga personat përgjegjës, përfshirë menaxherin e kontratës.
Eksperti gjithashtu sqaroi se tri dokumentet, apo tri urdhër-blerjet, të cilat janë nënshkruar nga zyrtarët e ZKA-së dhe ZKF-së të AK-së, janë bërë dhe janë aprovuar me kërkesën e menaxherit të projektit, në rastin konkret, menaxher i projektit ka qenë i akuzuari Krasniqi.
Përjetoni pushime të paharruar dhe dasma magjike në Hotel “Albes Residence”
Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 9 nëntor 2022, e ngarkon Osman Krasniqin se, nga 8 prilli 2021 deri më 5 maj 2021, në kohë të pacaktuar, si drejtor i shërbimeve publike në Komunën e Prizrenit, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare me qëllim të përfitimit pasuror për operatorin ekonomik “Eurovia BI”, me seli në Prizren.
Ai akuzohet se, si menaxher i kontratës në tenderin “Furnizim me zhavorr për rrugët e paasfaltuara në Komunën e Prizrenit”, ka nxjerrë urdhra për “Eurovia BI” për shuarjen e zjarrit përmes transportimit dhe hedhjes së dheut, duke i mundësuar kështu operatorit ekonomik përfitim pasuror, në një kontratë që nuk parashikonte pozita për këtë shërbim.
Sipas Prokurorisë, Krasniqi akuzohet se ka pranuar faturat dhe ka mundësuar pagesat nga pozicioni i paraparë sipas pikës C për shërbime me zhavorr në vlerën prej 8.02 euro për njësinë matëse m3, në kundërshtim me objektin dhe pozicionet e kontratës, duke anashkaluar zyrën e prokurimit dhe duke dëmtuar buxhetin e Komunës së Prizrenit për shumën totale prej 247 mijë e 360 euro e 40 centë.
Në aktakuzë thuhet se, me këto veprime, i akuzuari ka vepruar në kundërshtim me Ligjin e prokurimit publik dhe rregullat e udhëzuesit operativ për prokurim publik.
Krasniqi po akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.2 i KPRK-së, e cila dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në 10 vjet.