21.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Gjykimi për korrupsion ndaj ish-kryeshefit të INFRAKOS-it dhe ish-drejtorëve të Ramadan Mujës

Në gjykimin për korrupsion ndaj ish-kryeshefit të INFRAKOS-it dhe ish-zyrtarëve të Komunës së Prizrenit, dëshmitari Nexhmi Rama ka thënë se nuk ka qenë në dijeni për ndonjë plan për dislokim të hekurudhës e as për ndonjë debat publik të bërë për këtë qëllim.

Këtë deklarim, dëshmitari e bërë të martën në Gjykatën Themelore në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë rast, për korrupsion po akuzohen ish-kryeshefi ekzekutiv i INFRAKOS-it, Agron Thaqi, tre ish-drejtorët e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, Sadik Paqarizi, Nijazi Kryeziu e Visar Islamaj, ish-drejtori i Inspektorateve në Prizren, Bujar Nerjovaj, ish-inspektori i ndërtimit, Bashkim Krasniqi, si dhe menaxheri dhe bashkëpunëtori profesional të “INFRAKOS”-it në Prizren, Naim Avdyl.

Dëshmitari Rama deklaroi se hekurudha në zonën kadastrale të Prizrenit shtrihet nga kilometri 43 e deri në 58, e cila hekurudhë është ndërtuar në vitin 1959, ndërsa në qarkullim është lëshuar në vitin 1963, kurse shtoi se në këtë pjesë të hekurudhës riparime nuk ka pasur, mirëpo ka pasur mirëmbajtje të rregullt deri më 2004.

Sipas tij, kjo rrugë në vitin 2012 nuk ka qënë në funksion sepse nuk kanë operuar trenat dhe treni i fundit që ka qarkulluar ka qenë në vitin 2011. Pra, nuk ka pasur qarkullim të trenave në Prizren që nga viti 2003-2004.

Dëshmitari Rama po ashtu tha se nuk ka qënë në dijeni për ndonjë plan urban për dislokimin e hekurudhës nga Komuna e Prizrenit e as për ndonjë debat publik të bërë për këtë qëllim.

Ai shtoi se ndërtimet që janë bërë në afërsi të brezit të hekurudhës në Prizren janë pengesë për qarkullimin e trafikut hekurudhor, pasi që treni ecë nëpër gabaritin e tij nëse objektet nuk janë të ndërtuar në brezin hekurudhor që nënkupton 6 metra në njërën anë dhe 6 metra në anën tjetër.

Sipas dëshmitarit Rama, që nga viti 2004 ka përfunduar mirëmbajtja e kësaj linje të hekurudhës në pjesën e Prizrenit, mirëpo vëzhgimi është bërë në mënyrë permantente nga punëtori i caktuar, i cili për çdo dëmtim e lajmëron përgjegjësin e tij dhe policinë, e të cilët më pas i identifikojnë dëmtimet e shkaktuara.

Punëtori i cili bën vëzhgimet e dëmeve të bëra në traversa dhe pjesë të ndryshme të hekurudhës, dëmtimet i shënon në procesverbal ku i paraqet një nga një dhe shërbimi i INFRAKOS-it pastaj dëmtimet i llogarit përmes çmimeve të tregut, tha dëshmitari.

Ai theksoi se në rastin konkret, dëmi është llogaritur në shumën prej 104 mijë euro, mirëpo ky dëm nuk ka të bëjë me ndërtimet që janë bërë përreth rrugës.

Dëshmitari Nexhmi Rama tha se që nga viti 1982 punon në hekurudhat e Kosovës dhe se gjatë punës ka përdorur ligjin e vjetër të Jugosllavisë mbi hekurudhat e po ashtu të gjitha rregulloret që kanë rrjedhur nga ky ligj, e që sipas këtij ligji, largësia minimale e ndërtesave prej aksit të hekurudhës është dashur të jetë 25 metra dhe si ligj nuk kishte paraparë dislokim të hekurudhës e as ligji i vitit 2012.

Në fund, dëshmitari tha se dislokimi i hekurudhës mund të bëhet atëherë kur bëhet një studim i fizibilitetit dhe kur ka arsye ekonomike për një gjë të tillë.

Pas kësaj, prokurori Genc Nixha kërkoi që seanca e sotme të shtyhet për shkak të përfundimit të orarit, pasi që kërkon edhe kohë që të përgatitet për pyetje ndaj dëshmitarit të lartcekur.

Me këtë, seanca e sotme është ndërprerë dhe e njëjta është caktuar më 27 tetor.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Sadik Paqarizit, Nijazi Kryeziut, Visar Islamaj, Bujar Nerjovaj, Bashkim Krasniqit, Agron Thaqit dhe Naim Avdylit, të cilët i ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, Paqarizi, Kryeziu, Islamaj, Nerjovaj, Krasniqi, Thaqi dhe Avdyli, akuzohen se në cilësinë e personave zyrtarë, kanë tejkaluar kompetencat, nuk i kanë përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, duke i shkaktuar dëm personit tjetër.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Paqarizi, në periudhën kohore 2012-2014, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, i ka lëshuar leje ndërtimi firmës “Breu Petrol” më 9 gusht 2012, leje ndërtimi për personin Reshat Kamberi më 25 korrik 2013 dhe leje ndërtimi për personin Xhavit Spahija, duke u bazuar në vendimet e marra nga Administrata Komunale, si Plani Urbanistik, i datës 18 tetor 2012, e cila është në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063.

Më këtë, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme, duke i shkaktuar dëm “INFRAKOS”-it në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.

Kurse, i akuzuari Kryeziu, sipas aktakuzës, në periudhën kohore 2014-2016, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave duke lëshuar leje ndërtimi personit Nexhat Bytyqi më 30 maj 2014 dhe leje ndërtimi për personin Avni Haliti më 21 maj 2014, duke u bazuar në vendimet e marra nga Administrata Komunale, si Plani Urbanistik i datës 18 tetor 2012, e cila është në kundërshtim me ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063.

Me këtë, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme, duke i shkaktuar dëm “INFRAKOS”-it në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.

Në aktakuzë thuhet se edhe i akuzuari Islamaj, në periudhën kohore 2016-2017, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave duke lëshuar leje ndërtimi për firmën “Fat Grup” më 6 mars 2017, po ashtu leje ndërtimi për personin Agron Kuka më 3 maj 2017, leje ndërtimi për personin Mexhid Karavidaj më 29 nëntor 2016, si dhe leje ndërtimi për personin Nrec Thaqi më 8 prill 2017, duke u bazuar në vendimet e marra nga Administrata Komunale, si Plani Urbanistik i datës 18 tetor 2012, e cila është në kundërshtim me ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063.

Me këtë, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar dëm “INFRAKOS”-it në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Nerjovaj, gjatë vitit 2013, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit për Inspekcion në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave, edhe pse ka qenë i njoftuar rreth mbindërtimit dhe uzurpimit në ndërtesën “Liburnia”, me pronar Destan Hoxhën, e cila ka qenë në ndërtim gjatë mandatit të tij, i cili ka pasur leje për ndërtimin e 2+B+P+6, duke u bazuar në Plani Urbanistik i datës 18 tetor 2012, e cila është në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Nerjovaj ka lejuar edhe ndërtimin e katit të shtatë, edhe përkundër konkluzionit të nënshkruar nga ana e tij, më 8 prill 2014, nuk është dhënë urdhër që i njëjti të zbatohet e që ka qenë kompetencë e tij, si dhe po ashtu ka qenë i njoftuar për uzurpimin, të cilin pronari i ndërtesës-investitori e ka bërë mbi pronën e hekurudhave “INFRAKOS” dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim parandalues.

Me këtë, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar dëm “INFRAKOS-it”, në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë. Gjithnjë sipas së njëjtës aktakuzë, i akuzuari Bashkim Krasniqi, gjatë vitit 2012, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e inspektorit të ndërtimit në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave edhe pse ka qenë i caktuar për inspektimin e këtij ndërtimi, ku objekti, ka pasur leje për ndërtimin e 2+B+P+6, dhe gjatë ushtrimit të detyrës së tij ka lejuar që të bëhet mbindërtimi, pra edhe i katit të shtatë, respektivisht tejkalimi i lejes së ndërtimit, si dhe ka qenë i njoftuar për uzurpimin të cilën pronari-investitori e ka bërë në pronën e hekurudhave.

Ndërkaq, i akuzuari Thaqi, gjatë vitit 2013, në Fushë Kosovë, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e kryeshefit të “INFRAKOS”, nuk i përmbush detyrat zyrtare edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës.

Aty thuhet se duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta, nuk ka vepruar sipas Ligjit për Hekurudhat, ku në neni 128, paragrafi 2, parashihet që punët mbrojtëse, përfshirë edhe masat e parandalimit për veprimet e ndaluara-ndërtimet në afërsi të infrastrukturës hekurudhore, duke mos marrë pjesë në diskutimet publike për planin rregullativ urban për Komunën e Prizrenit, ku është marrë edhe Plani Rregullativ Urban i datës 18 tetor 2012, e cila është në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063, dhe duke vepruar me vonesë në parashtrimin e padive pranë gjykatave kompetente për mbrojtjen e pasurisë së “INFRAKOS”.

Me këtë, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëm në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Avdyli, gjatë vitit 2013, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e menaxherit të patundshmërive dhe bashkëpunëtorit profesional pranë “INFRAKOS”, nuk i përmbush detyrat zyrtare edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës, duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta, nuk ka vepruar sipas Ligjit për Hekurudhat, për masat e parandalimit për veprimet e ndaluara-ndërtimet në apo në afërsi të infrastrukturës hekurudhore, dhe duke vepruar me vonesë në parashtrimin e padive pranë gjykatave kompetente për mbrojtjen e pasurisë së “INFRAKOS”.

Me këtë, në aktakuzë thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëm në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.

Me këtë, të gjithë të akuzuarit po ngarkohen me veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, nën paragrafin 2.2 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Ushtroi dhunë fizike ndaj katër personave, arrestohet i dyshuari në Prizren

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person në Prizren, pasi i njëjti kishte ushtruar dhunë fizike ndaj katër personave. Rasti ka ndodhur...

Ambasadori Malaj: Dhimbja në Krushë të Madhe preku çdo cep të Kosovës, Shqipërisë dhe botës mbarë

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka thënë se masakra e Krushës së Madhe e ka lidhur mbarë botën në pikëllim dhe në...

Lajmet e Fundit