16.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

3i ko dikhipe, Kujtim Paçaku

In memoriam
?i ko dikhipe, Kujtim Paçaku

(Kujtim Paçaku: 12. 04.1959 – 17. 05. 2018)

Në vitin 2002, regjisori francez Dominique Dolmieu po vinte nga Parisi në Kosovë për të realizuar një projekt teatror kosovaro-francez. Më sygjeroi që në ekipin e shkrimtarëve ta ftonim të na bashkangjitej edhe një shkrimtar rom nga Prizreni, që quhej Kujtim Paçaku. S’kisha dëgjuar më parë për të, por s’ishte çudi, deri ahëherë, në të vërtetë, nuk kisha njohur asnjë rom. Kur folëm në telefon, Kujtimi iste fjalëpak dhe hezitues. Dëshironte të vinte, por… Tha se pas luftës s’kishte qenë më në Prishtinë dhe nuk ishte i sigurt nëse ardhja e tij do të ishte në rregull. Romët akoma nuk mund të lëviznin të lirë. Ishte koha kur ne po ladronim si të harlisur mbi lirinë e pasluftës dhe prandaj hezitimi dhe frika e tij për t’ardhur në Prishtinë më pat tronditur. Nuk dua që me ardhjen time t’ju vë në siklet, më pat thënë atë ditë në telefon. Por pastaj u bind kur i thash me gjith mend se do të luftoja për ta mbrojtur atë.
Nuk mbaj mend shumë nga ai takim i parë me të në Prishtinën e pasluftës së vitit 2002. Por mbaj mend diçka që kurr nuk e kam harruar: shikimin e tij përdhe derisa ecnim rrugës afër Fakultetit Filologjik. Duke mos llogaritur romë të tjerë që mbas luftës mund të ken ardhur në Prishtinë deri atëherë, të shoqëruar nga policia apo në makina të UN e organizatave të tjera ndërkombëtare, me gjasë, Kujtim Paçaku ka qenë romi i parë që ka ecur “i lirë” rrugëve të Prishtinës. Jam i bindur që ka qenë i pari. Dhe kështu, për Kujtimin, ndoshta metaforikisht, mund të themi se ishte romi i parë që filloi çlirimin e Prishtinës nga urrejtja e nga racizmi për romët, që e asaj kohe të paslufte Prishtinën dhe krejt Kosovën e kishte mbërthyer si murtaja.

Racizmi ndaj romëve në Kosovë është si ajo këmisha që e veshim me ëndje saherë që na jepet rasti, por Kujtim Pacaku ka qenë ai që ka kontribuar padyshim më së shumti për të na e shpërfaqur një rom tjetër, nga ai i stereotipeve e paragjykimeve tona. Kujtimi nuk u binte xurleve e tupanëve, por pianos. Ai këndonte, por jo këngë rome nga ato filmat e Emir Kusturicës, por këngë të bukura korale, këngë të vjetra qytetare të Kosovës dhe jo vetëm. Kujtimi nuk ishte ai romi i pashkolluar i përfytyrimit tonë racist, ai ishte profesor muzike dhe pastaj u bë edhe magjistër në atë fushë. Por mbi të gjitha ai ishte poet. Dhe jo një poet që shkruan vetëm poezi romantike për karavanet rome, por një poet i shkëlqyeshëm që u këdoi romëve dhe të gjithë neve në këto treva. Ai i këndoi njeriut të përbuzur që kërkon liri, që kërkon dinjitet e që thërret për barazi. Ai është njëri nga poetët më të mirë të Kosovës, autor i mbi dhjetë librave, i përkthyer në shumë gjuhë të huaja e i përfshirë në antologji të ndryshme ndërkombëtare të letërsisë. Ai shkruante në shqip dhe në romisht kurse fliste, pos romishtes, edhe 5 gjuhë të tjera. Me vdekjen e tij, kultura në Kosovë ka humbur njërin prej poetëve më subtil që ka pasur dhe i, cili na e ka lënë pejsazhin më të gjallë, më shumëngjyrësh dhe në të njëtën kohë më tronditës të romëve në Kosovë. Kultura rome ndërsa ka humbur poetin, padyshim më të rëndësishëm rom në Evropën e këtij shekulli të ri.

Përgjatë këtyre mbi 15 viteve me të kemi bashkëpunuar me dhjetra herë. Ai ka qenë aktor në shfaqjet tona, poet e shkrimtar në aktivitetet e shumta letrare të Qendrës Multimedia. Ai e donte krijimtarinë artistike dhe nuk përtonte të angazhohej në aktivitete të ndryshme, vecanërisht në ato që lidheshin me romët. Ishte i hapur dhe kishte dije të gjerë për kulturën rome, për traditat dhe për gjuhën. Ishte njeri zemërgjerë, i urtë dhe nuk dinte të ofendonte kurr njeri, vyrtyte këto kaq të rralla tek njerëzit në këto anë.

Kujtimi ka qenë njeri familjar, e ka dashur familjen e tij dhe është munduar t’u siguroj jetesë të dinjitetshme. Por familja e tij e vërtetë kan qenë krejt romët në Kosovë, për të cilët ai është angazhuar çdo herë, në çdo rrethanë. Dhe jo vetëm atëherë kur i hyri politikës dhe u bë deputet në Parlamentin e Kosovës, por edhe si artist e si intelektual. Romët në Kosovë kan humbur një avokues të denjë të kauzës së tyre për drejtësi dhe për dinjitet, kan humbur zërin më bindës që ka artikuluar ëndërrat e tyre në këtë hapësirë Ballkanike. Ne të tjerët, ‘gaxhot’, kemi humbur njërin prej njerëzve me të denjë me të cilin jemi fotografuar, saherë që kemi dashur të krenohemi për ndryshimet shoqërore e politike në këtë vend, kemi humbur njërin nga poetët më të mirë që kishim, kemi humbur njeriun, prezenca e të cilit këtij vendi i ka dhënë shpresë, kemi humbur njërën prej njerëzve që na ka mundësuar ta shohim këtë vend jo vetëm bardh e zi, sic do të donin racistët, por me ngjyra dhe nyanca të bukura.

Para disa muajsh bëmë një foto bashk. E luta, që kur ta postonte në facebook, t’a postonte bashk me tekstin “me vëllaun tim rom”. Por ai s’donte, natyrisht. Një jo-rom, nuk mund të bëhej kurr rom. Nuk bënte punë lutja. Në fund, megjithatë u dakorduam dhe ai e postoi foton bashk me tekstin “me mikun tim, gaxho”. Pra, me “jo-romin”. Por kur u takuam sërish, disa javë para se të vdiste, kur tashmë sëmundja e kishte lodhur e dërmuar, kur po përshëndeteshim në fund, ai me lot në sy më tha: “t’kam pasur si vëlla”. Dhe unë mendoj që ky është kufiri më i afërt kur një jo-rom mund t’i afrohet një romi, t’i bëhet “si vëlla”. Unë e kam pasur atë fat.
Lamtumirë!
?i ko dikhipe, vëlla, Kujtim!

Jeton Neziraj, 23 maj, 2018

(Botuar ne Prishtina Insight)

Më Shumë

Totaj diskuton për mundësin e bashkëpunimit me Rotary Club “Prizren””

Kryetari Shaqir Totaj sot priti kryetarin e Rotary Club "Prizren", Bujar Myftiun, sekretarin e klubit, Agron Didën dhe anëtarin Masar Gurgulen. Diskutuan për mundësitë e...

Policia shqipton mbi 1 mijë e 600 gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1669 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore...

Lajmet e Fundit