Brenda një jave, nëpërmjet dy vendimeve, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka nxitur reagim të fortë publik.
Javën e kaluar këtë e ka bërë nëpërmjet vendimit që lejonte biznes në Kalanë e Vushtrrisë, e këtë javë nëpërmjet atij që lejon një ndërtesë afariste e banesore deri në pesë kate, pos përdheses, midis monumenteve në Prizren, në atë që njihet si Zona e Dytë e Mbrojtjes në kuadër të Qendrës Historike të Prizrenit. Për këtë kanë reaguar shoqëria civile e Prizrenit dhe Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore e qytetit jugor. Nëpërmjet vendimit të ditës së 14-të të këtij muaji të nënshkruar nga drejtori i IKMM-së, Ismet Hajrullahu, “aprovohet projekti ideor i kompleksit afarist-banesor me etazhitet B+P+4-5”.
Në arsyetim të vendimit shkruhet se pala ka bërë kërkesë për ndërtimin e kompleksit, i cili gjendet në zonën mbrojtëse përreth aseteve të trashëgimisë kulturore që janë Posta e Parë e Qytetit dhe Kazerma e Vjetër, që njihet ndryshe edhe si “Internati”. Zona e mbrojtur sipas Ligjit për trashëgimi kulturore është në perimetër prej 50 metrave nga monumenti. Për këtë IKMM-ja në terren kishte dërguar zyrtarët Avni Manaj e Alban Kastrati e më pas Komisioni kishte vendosur që të jepej pëlqimi. Por, pos shoqërisë civile ka reaguar edhe Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren. Ky institucion nuk është pajtuar me vendimin. Për këtë të mërkurën i është drejtuar me një shkresë Ministrisë së Kulturës, IKMM-së e Inspektoratit të trashëgimisë kulturore. QRKT-ja shpreh mospajtim për vendimin dhe për këtë rendit tetë arsye.