16.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Interesim i vogël për degët deficitare në UP

RektoriatiPër vitin e ri akademik 2014-2015 është parë një interesim shumë i madh i të rinjve për tu regjistruar në Universitetin e Prishtinës. Ashtu sikurse vitet e kaluara edhe këtë vit Fakultetet më të preferuara ishin Ekonomiku, Edukimi e Mjekësia. Interesim të vogël vazhdojnë të kenë degët deficitare edhe pse ishin pa provim pranues. Ekspertët thonë se mungon planifikimi dhe analiza për tregun e punës, ndërkohë udhëheqës të Universitetit, thonë se ka mekanizma për tërheqjen e studentëve në ato degë.

Të rinjtë kosovarë nuk kanë shprehur interesim të madh të studiojnë në programe të shkencave të natyrës, teknike dhe ato bujqësore. Edhe pse në shtatë njësi akademike janë ofruar studimet pa provim pranues, interesimi i të rinjve është të studiojnë në ekonomi, edukim, mjekësi e drejtësi.

Ekspertët thonë se për fat të keq në Kosovë mungojnë analiza të mirëfillta të tregut të punës. Njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, tha për Radio Kosovën, se si pasojë e kësaj, të rinjtë nuk kanë ide se cilat janë profesionet ku do të mund të gjejnë më lehtë punë.

“Universitetet tentojnë të shpallin numër të madh të vendeve të lira për studentë të rinj, pikërisht në ato degë në të cilat tashmë ekziston kuadër i mjaftueshëm në Kosovë, që është një mungesë planifikimi, dhe kjo paraqet një lloj dezorientimi tek të rinjtë, sepse në vend se të orientohen në ato fusha ku mund të gjejnë punë, ata shkojnë aty ku ka më shumë vende që ofrohen”, tha ai.

Pupovci tha se si pasojë e numrit të vogël të studentëve në disa njësi akademike, mund të ndodhë edhe shuarja e disa degëve.

“Ne kemi Fakultetet të cilat janë mbipopulluar me studentë. Në disa Fakultete kemi një mësimdhënës për 200 studentë, kështu kanë dalë përpjesëtimet të cilat janë nxjerrë. Ndërsa, në disa të tjera fatkeqësisht mungojnë studentët, ndërkaq, ka kuadro të kualifikuar”, theksoi ai.

Ndërkohë, ushtruesi i detyrës së prorektorit për mësim në Universitetin e Prishtinës, Qerim Qerimi, tha se ky institucion ka krijuar mekanizma për të tërhequr të rinjtë në degët deficitare, ku në shtatë njësi akademike mund të pranohen studentë pa provim pranues.

“Heqja e provimit pranues, pastaj reduktimi i notës mesatare për përfitimin e bursave, derisa në Fakultetet e tjera kjo notë duhet të jetë 9-të, në degët e Fakultetit të Shkencave Matematikore-Natyrore, së paku duhet të jetë 8-të. Pra këto janë disa nga masat stimuluese”, tha ai.

Edhe pse është premtuar se do të rritet numri i Fakulteteve që do të pranojnë studentë pa provim pranues, kjo gjë ende nuk është realizuar. Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, ka thënë se kjo mund të ndodhë nga viti i ardhshëm akademik.

Më Shumë

Milani nis sulmin final për Zirkzee

Skuadra e Serie A, Milan-i tani po bën presion për të nënshkruar me Joshua Zirkzee nga Bologna dhe po shton përpjekjet e tyre për...

Mourinho mund të jetë zëvendësues i Kloppit në Liverpool

Të zëvendësosh Jurgen Kloppin nuk është aspak e lehtë, trashëgimia që tekniku gjerman ka lënë në Liverpool është shumë e madhe, por tifozët e...

Lajmet e Fundit